Udhëheqësit ushtarakë të Nigerit, që kanë marrë kontrollin e Qeverisë në korrik, i kanë dhënë ambasadorit francez afat prej 48 orësh që të largohet nga shteti, njoftoi Ministria e Jashtme në Niamej.
Raportet midis regjimit të ri në Niamej dhe disa fuqive perëndimore, por edhe bllokut të Afrikës së Perëndimit, të njohur si ECOWAS, janë përkeqësuar që nga puçi ushtarak i 26 korrikut.
Qeveria franceze menjëherë kundërshtoi këtë urdhër ndaj ambasadorit të saj, duke përsëritur qëndrimin se nuk e njeh autoritetin e udhëheqësve ushtarakë.
Ministria e Jashtme franceze i tha agjencisë AFP se “puçistët nuk kanë autoritet të bëjnë një kërkesë të tillë, miratimi i ambasadorit vjen vetëm nga autoritetet e Nigerit të zgjedhur në mënyrë legjitime”.
Ultimatumi ndaj të dërguarit të Francës vjen disa ditë pasi ECOWAS kërcënoi me ndërhyrje ushtarake për të rikthyer në pushtet presidentin e rrëzuar, Mohamed Bazoum.
Parisi vazhdimisht ka mbështetur thirrjet e ECOWAS-it për rikthimin në pushtet të Bazoumit.
Franca ka 1.500 ushtarë në Niger të cilët i kanë ndihmuar Bazoumit në luftën kundër forcave xhihadiste që kanë qenë aktive për vite të tëra në shtet.
Një ditë më herët ECOWAS u ka bërë thirrje puçistëve që të shqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të rikthejnë sundimin civil, duke përsëritur se opsioni i përdorimit të forcës është ende “në tavolinë”.
Por, gjeneralët, që rrëzuan nga pushteti Bazoumin, po kërkojnë një periudhë trevjeçare tranzitore, ndërkaq ECOWAS po kërkon rikthimin e menjëhershëm të sundimit kushtetues/REL.