Ushtria libiane rimerr në kontroll
portin e Sirtes nga forcat e ISIS

Ushtria libiane rimerr në kontroll<br />portin e Sirtes nga forcat e ISIS
Forcat libiane kanë deklaruar se kanë rimarrë nën kontroll portin e qytetit të Sirtes, pas një beteje të ashpër kundër militantëve të Shtetit Islamik. Sirte është bastioni më i rëndësishëm i ISIS jashtë Sirisë dhe Irakut. Më herët gjatë javës avionë luftarakë bombarduan bazat e ISIS në qytet, ndërsa forcat e marinës qëlluan raketa drejt portit. Autoritetet njoftojnë se ofensiva vazhdon. Trupat ushtarake, të mbështetura nga qeveria e mbështetur nga OKB e Tripolit, e nisën betejën për rimarrjen e qytetit muajin e kaluar. Zëdhënësi, gjenerali Muhammad al Ghusri, deklaroi se liderë të rëndësishëm të ISIS janë larguar drejt jugut për të shpëtuar, por shumë militantë janë ende në qytet. Përleshjet kanë shënjestruar qendrën e konferencave Uagadugu, që dikur ka shërbyer si pikë e rëndësishme për samitet ndërkombëtare, por që së fundmi është kthyer në qendrën e komandës së ISIS. 

Trupat besnike të qeverisë sulmuan qendrën në fjalë me artilieri të rëndë, të mbështetur edhe nga aviacioni luftarake. Militantët nga ana e tyre u përgjigjën duke përdorur snajpera, armë automatike dhe goditje mortaje. Qeveria deklaroi se dy ushtarë mbetën të vrarë dhe 8 të tjerë të plagosur. 
Sirte ka qenë gjithashtu qyteti i lindjes i ish-liderit Muamar Gadaffi. Ndërkohë, qeveria e unitetit u formua në Tripoli rreth 2 muaj më parë.
 
Afganistani
Pas muajsh të tërë debati, presidenti amerikan Barack Obama ka marrë vendimin për të zgjeruar aksionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Afganistan. Sipas mediave amerikane, presidenti ka autorizuar edhe realizimin e bombardimeve ajrore aty ku është e nevojshme, me qëllim frenimin e avancimit të talebanëve, të cilët thuhet se po përgatisin një ofensivë verore. Burime nga administrata Obama njoftojnë se, Shtëpia e Bardhë parashikon edhe intensifikimin e ndihmave për forcat e armatosura afgane. Një kërkesë kjo e bërë prej kohësh nga krerët e ushtrisë amerikane, që përfshin edhe ndryshimin e rregullave ushtarake, siç njihen ato për veprimin në një territor të huaj. 
Ndërkohë, 9.800 ushtarët amerikanë që ndodhen ende të vendosur në Afganistan nuk do të përfshihen në luftime direkte me rebelët.
 
“Kalifi”
Abu Bakr al Bagdadi ka mbetur i plagosur në një sulm të koalicionit ndërkombëtar në perëndim të Mosulit, në provincën irakene Ninive. Lajmin e bën të ditur një burim iraken i cituar nga televizioni lokal Al Sumaria, sipas të cilit në shënjestër të sulmit ka qenë një ndërtesë ku ishin mbledhur disa lider të ISIS, mes të cilëve vetë Al Bagdadi. Por një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Chris Gaver nuk e ka konfirmuar lajmin. “Nuk ka asgjë për të konfirmuar për momentin”, ka thënë Gaver për “New York Times”.

 Ndërsa sipas Al Sumaria, edhe eksponentë të tjerë të ISIS kanë mbetur të plagosur nga bombardimi, fryt i një operacioni të organizuar mbledhjesh informacioni. Burime të tjera irakene flasin për një sulm të kryer thuajse në të njëjtën zonë në perëndim të Mosulit në kufi me Sirinë, e sulmuar një ditë më parë, por sugjerojnë vetëm vrasjen e 7 militantëve të ISIS që ndodheshin në një automjet. 
Pikërisht këto ditë bëhen 2 vjet nga rënia e qytetit në duart e militantëve të Al Bagdadit, që në atë kohë nuk kishte shpallur ende lindjen e kalifatit dhe të Shtetit Islamik. 
Lajmet për vrasjen apo plagosjen e liderit të ISIS qarkullojnë prej muajsh, por asnjë prej tyre nuk ka gjetur konfirmim.
 
Siria
Të paktën 8 persona janë vrarë në një sulm të dyfishtë dje me bombë në një nga periferitë e Damaskut, ku ndodhet dhe tempulli i shenjtë shiit. Sikurse raportojnë mediat shtetërore, të paktën 13 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimet, të shkaktuara nga një kamikaz dhe një autobombë. Zona periferike Sajida Zeinab, rreth 10 kilometra në jug nga qendra e Damaskut, ka qenë shënjestër e një seri sulmesh. Dy bombardime të kryera atje më herët gjatë vitit, të dyja të marra përsipër nga Shteti Islamik, u morën jetën më shumë se 150 personave. 

Shpërthimi i parë, nga një atentator që mbante veshur një brez me eksploziv, ndodhi në hyrje të zonës, ndërsa i dyti, me autobombë, në rrugën Al Teen, jo shumë larg tempullit. Tempulli Sajida Zeinab, me kupolën e artë, ka në brendësi varrin e një prej mbesave të profetit Muhamed dhe vazhdon të tërheqë pelegrinë shiitë, pavarësisht luftës civile. 
Më shumë se 250 mijë vetë kanë vdekur dhe 11 milionë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre përgjatë konfliktit 5-vjeçar që ka përfshirë Sirinë.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Prej disa ditësh i shtruar në QSUT, aktori Mehdi Malkaj lë spitalin! Si paraqitet gjendja e tij shëndetësore

Prej disa ditësh i shtruar në QSUT, aktori Mehdi Malkaj lë spitalin! Si paraqitet gjendja e tij shëndetësore