Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka raportuar në Komsionin e Sigurisë për reformën ligjore në Forcat e Armatosura në vitin 2016. 

Gjatë këtij raportimi Kodheli bëri të ditur se ushtria shqiptare është angazhuar në disa misione ushtarake paqeruajtëse. Sipas Ministres së Mbrojtjes, Shqipëria shumë shpejt do të ketë prezencë ushtarake edhe në luftën kundër ISIS. 

"Një ligj që do të vijë në tryezën tuaj ka të bëjë me ushtarakët tanë në koalicionin global në luftën kundër ISIS. Flasim për një aleancë të zgjeruar të NATO-s në  Irak, Bagdad dhe qytete të tjera. Prezenca jonë është kërkuar nga partneri ynë strategjik SHBA. Është një vendimmarrje e Parlamentit dhe miratimi duhet të kalojë me ligj në Kuvend", u shpreh Kodheli. 

Sipas Kodhelit, Shqipëria ka dyfishuar prezencën e saj në Afganistan, por edhe në misionet e tjera.

Ndërkohë e pyetur nga kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho për prezencën e ushtrisë greke në kufirin shqiptare, Ministrja e Mbrojtjes e quajti këtë veprim një lodër ushtarake.

"Një lloj nevrikllëku nga ministri grek i Mbrojtjes. Afruan edhe trupa në kufi, por mua m'u dukën më shumë si lodra se sa si veprime të mirëfillta ushtarake", tha Braho. 

"Gjithsesi ato quhen lodra ushtarake. Shpesh herë fqinjët tanë hedhin parulla edhe për konsum të brendshëm politik", tha Kodheli.  

Gjithashtu në komisionin e sigurisë ka raportuar edh zv/Ministri i Brendshëm, Stefan Çipa, për veprimtarinë gjatë 2016-së

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com