Një apartament i marrë me qira në lagjen “Pavarësia” në Vlorë ishte shndërruar në bazë prostitucioni nga tre shtetas kinezë. Dy prej tyre u arrestuan të martën nga Policia e Vlorës, në kuadër të operacionit të koduar “Viktim”, kundër trafikimit dhe shfrytëzimit për prostitucion.

Në pranga ranë shtetasit X. L., 40 vjeçe, dhe B. W., të dy banues në Kinë. Sipas policisë, ata vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shfrytëzonin për prostitucion një tjetër shtetase kineze, J. G., 52 vjeçe, e cila aktualisht është shpallur në kërkim.

Policia vijon punën për kapjen e saj, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi i plotë i DVP Vlorë 

"Finalizohet operacioni i koduar “Victim”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.  

Zbulohet në lagjen “Pavarësia”, një apartament i marrë me qira, ku shfrytëzohej për prostitucion, një shtetase kineze.    

Identifikohen 3 shtetas kinezë, bashkëpunëtorë për këtë veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 prej tyre, tjetri shpallet në kërkim. 

Procedohen penalisht shtetasja kineze që ushtronte prostitucion dhe një shtetas tjetër. 

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion.     

Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. 

2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim. 

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në një apartament në lagjen “Pavarësia”, të cilin e kishin marrë më qira, për këtë qëllim.    

Shtetasja kineze J. G. dhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”. 

Punohet për kapjen e shtetases kineze të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e kësaj të veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme."