'Ustai' i të keqes Berisha, Basha që trajton postin si vend pune dhe PD 'sanduiç' në mes

'Ustai' i të keqes Berisha, Basha që trajton postin si vend pune dhe PD 'sanduiç' në mes

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Me mbledhjen e 4200 firmave të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD, për të thirrur forumin më të lartë të kësaj partie më 11 dhjetor dhe bërë ndryshimet në statut, ka shpërthyer një debat i fortë mes PD zyrtare dhe “sfiduesve” të tyre që kërkojnë rrëzimin e kryetarit.

Lideri i kësaj nisme, ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se Kuvendi Kombëtar është e “vdekur” se do të mblidhet më 11 dhjetor, pasi sipas tij, në një demokraci partie “anëtarësia prevalon mbi përfaqësinë, e cila kthehet dhe ajo në anëtarësi”.

Duke iu referuar një pike të statutit të PD, që parashikon që ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar mund të thirrin Kuvendin, formularët me firmat e 4200 delegatëve janë depozituar në zyrën e Edi Palokës, kryetarit të Këshillit Kombëtar, forumit më të lartë në periudhën mes dy Kuvendeve, fakt ky që ka sjellë një debat, të cilin nuk e kemi parë kurrë si element në jetën politike të dy partive më të mëdha në vend, PS e PD.

Pikërisht këtu ka shpërthyer konflikti, dhe palët janë mbërthyer keq në ndjekjen e procedurave të mbledhjes së firmave, depozitimit të tyre dhe mbi të gjitha tek transparenca e këtij procesi. Njerëzit më të afërt të Bashës, duke filluar nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi dhe mbështetësit e tij, deri në panelet televizive, i mëshojnë fort idesë se Berisha nuk i ka mbledhur firmat e ¼ të delegatëve, numër statusor ky për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD.

Dhe një natë më parë, në gjitha panelet televizive, me ndërhyrje direkte të liderëve kundërshtarë të përfshirë në konflikt apo përmes mbështetësve të tyre, PD-ja zyrtare i ka mëshuar  fort idesë se gjithë nisma e Berishës nga “Foltoret” e deri tek mbledhja e firmave dhe depozitimi i tyre në zyrën e Palokës është thjeshtë një blof, mashtrim dhe tallje me demokratët, pasi nuk janë në numrin e duhur për të thirrur Kuvendin.

Madje Bardhi dhe Salianji arritën deri aty sa ta quanin miting apo tubim të Berishës, datën 11 dhjetor, të paralajmëruar për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar pasi pretendojnë se formularët nuk janë verifikuar dhe mund të kenë firmosur dhe njerëz nga rruga, përfaqësues të partive të tjera dhe se këto duhej të dërgoheshin në strukturat e PD.

Për më tepër që këmbëngulet fort te procedura, pra 4200 firmat duhej të depozitoheshin në zyrën e sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, pikërisht tek njeriu që mbështetësit e Berishës kanë paralajmëruar se do ta shkarkojnë “fishek” pas Bashës, pasi ai s’ka asnjë lidhje me PD.

Duke ndjekur linjën e diskutimit dhe të pretendimit të mbështetësve të Bashës, që janë zyrtarisht dhe lidershipi zyrtar i PD, një ditë më parë dhe Basha në mëngjes ishte definitivisht pro kësaj linje, demokratët dhe shqiptarët po shohin një vendosmëri të zyrtarëve të PD për të ndjekur pikë për pikë procedurat, si në një Kuvend normal. Thonë janë pikë për pikë sipas statutit të PD.

Berisha dhe mbështetësit e tij, ka të paktën zyrtarisht dhe 11 deputetë përkrah, përfshirë dhe kreun e Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka, kryetarët e FGD dhe FRPR, përkatësisht Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi si dhe një sërë figurash të tjera brenda dhe jashtë strukturave e forumeve të kësaj partie, këmbëngulin se është një situatë e jashtëzakonshme, dhe për herë të parë Kuvendi mblidhet me kërkesën e delegatëve, pasi zyrtarët e PD nuk janë dakord. Për këtë arsye, sipas tyre, dhe këtë statuti e ka rregulluar me një nen të veçantë që e lejon kërkesën e ¼ të delegatëve për të thirrur kongresin.

Madje Berisha këmbëngul se në zbatim të kësaj pike të statutit, kryesia, sekretariati dhe kryetari i PD nuk kanë asnjë lidhje me Kuvendin, por do të jenë të thirrur aty si të gjithë delegatët e tjerë për të marrë pjesë në votim, për të diskutuar e madje për të qënë dhe pjesë e verifikimit të firmave dhe mandateve të delegatëve të PD, që bëhet në Kuvend sipas statutit, nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve.

Madje kanë bërë thirrje se kanë plot një muaj në dispozicion që të shkojnë tek zyra e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, e ti verifikojnë me sytë e tyre një për një të gjithë formularët që delegatët kanë firmosur, pasi ata janë të njohur, drejtues dhe anëtarë të forumeve të degëve të PD, grupseksioneve dhe seksioneve në të gjithë vendin, të zgjedhur gjatë drejtimit të PD nga Basha. Madje kanë qenë të njëjtët delegatë dhe në Kuvendin Kombëtar të qershorit të këtij viti dhe njihen nga të gjithë.

Përtej akuzave dhe etiketimeve ndaj njëri tjetrit, nuk po i përmendim jo për efekt hapësire, por sepse mjaft ia kanë rropanisur kokën demokratëve dhe shqiptarëve në të gjitha emisionet televizive, portalet e faqet e gazetave, konkluzioni përfundimtar ka mbërritur në faktin se: Pjesa zyrtare e PD me në krye Bashën nuk e njeh Kuvendin e thirrur nga Berisha e mbështetësit e tyre.

Ndërkohë që pala tjetër, ajo që kërkon “kokën” e Lulzim Bashës por dhe të Gazment Bardhit dhe pjesës tjetër të sekretariatit, është e vendosur për t’i shkuar në fund nismës, zhvillimit të punimeve të Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor, sikurse është paralajmëruar dhe njoftuar zyrtarisht, e realizimin e ndryshimeve në statut sipas tekstit të formularit për thirrjen e Kuvendit.

Ngërçi procedural dhe futja në lojën e teknicialiteteve është një skemë që nuk ofron asnjë zgjdhje. Zgjidhja e vetme është vota, ajo mund të përcaktojë se kush e ka shumicën e PD, dhe që duhet të udhëheqë këtë parti, s’është minore por partia e dytë në vend, në ballafaqimet elektorale dhe lojës së opozitarizmit në Shqipëri.

Pra harrohet një gjë shumë e vogël, për që në vetvete përcakton gjithë ecurinë e një partie politike: PD është një parti politike që në themelin e saj, si çdo parti tjetër, ka lindur si një bashkim vullnetar njerëzish me ide të përbashkëta, me qëllimin final ngjitjen në pushtet.

Në fund të herës suksesi apo mossuksesi varet me fitoren e zgjedhjeve dhe marrjen e drejtimit të qeverisjes së vendit e shpalosjes së këtyre ideve dhe strategjive të përbashkëta, që mendojnë se mund të jenë në shërbim të vendit dhe të karrierës së tyre politike.

Dhe për këtë qëllim duhet të krijohet një frymë, që prevalon mbi teknicialitetet që sjellin ndarje dhe konflikte. Aq më tepër që ato mund të sorollaten gjykatave, dihet se pas Vettingut ka dhe mungesë prokurorësh dhe gjyqtarësh për të marrë në dorë hetimin dhe gjykimin e kësaj çështjeje, gjë që mund të çojë në zgjedhje një PD të ndarë në shumë pjesë, pa frymë bashkëpunimi dhe besimi ndaj njëri tjetrit, me shanse zero për të ardhur në pushtet.

Lulzim Basha po këshillohet nga këshilltarë jo efikasë, pasi që në fillim duhej ti kishin kërkuar daljen nga zyra dhe zbritjen në bazë, madje duke i marrë dhe iniciativën Berishës, për ta sqaruar  anëtarësinë në lidhje me vendimin që mori për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA. Por dhe sanksionet që mund të kishte nga aleati ynë më i madh, sepse me Berishën si pjesëtar të grupit parlamentar, PD s’vjen kurrë në pushtet. T’ua thoshte troç e thjeshtë se PD nuk vjen në pushtet me Berishën brenda saj. Madje mund të kërkonte falje dhe pse e kandidoi në zgjedhjet e 25 prillit në listat e kandidatëve të PD.

Basha duhej të kishte zbritur në bazë e të shpjegonte se pse nuk e hodhi në forume përjashtimin e Berishës nga grupi, por dhe të shpaloste alternativën e tij për risjelljen e PD në pushtet, tashmë dhe duke qenë një partner serioz i SHBA. S’do ishte qameti që Basha të thoshte dhe se Berisha i ishte imponuar për 8 vite me radhë në vendimmarrjen e PD. Kishte plot argumenta për të bindur demokratët se nuk i kishte pasur duart e lira dhe se kjo kishte ardhur dhe për shkak të anës emocionale, ishte “babai” i tij politik. Dhe demokratët kanë zemër dhe do ta kuptonin. Por asnjë nga këto nuk ndodhi, Basha thjeshtë u mbyll në zyrë dhe pret të fitojë me procedura.

Sekretariati i PD më shumë se sa funksion politik, deri më tani kemi parë se po sillet thjeshtë si një sektor juridik i një dikasteri, në mbrojtje të titullarit. Të ftohtë dhe me një gjuhë nenesh dhe procedurash, më shumë se sa të fitojnë zemrat e demokratëve, në fund të fundit me ata do të hyjë në zgjedhje dhe do të tentojnë rikthimin e PD në pushtet, ata përpiqen të argumentojnë se procedurat nuk janë ndjekur për këtë Kuvend të thirrur nga Berisha.

Basha dhe mbështetësit e tyre mbrojnë idenë e kundërshtimit të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, ecurinë e mbledhjes dhe depozitimit të firmave për thirrjen e këtij Kuvendi, madje dhe vendimet që pritet të merren në këtë Kuvend.

Hollë-hollë po të dëgjosh me vëmendje tërë argumentet e Bashës dhe mbështetësve të tij, janë terma juridikë në mbështetje të shpëtimit të Bashës nga shkarkimi si kryetar i PD dhe jo në funksion të shpëtimit të PD nga kriza ku ka rënë. Pasi në fund të fundit PD hyn në zgjedhje dhe jo lideri Lulzim Basha dhe as rivali i tij për postin e kryetarit, Sali Berisha.

Pra trajtohet gjithë kjo krizë në PD, si një debat juridik në gjykatë për vendin e punës së Lulzim Bashës, dhe jo për fatin e PD dhe liderit të saj. Dhe në funksion të mbrojtjes së vendit të punës së Lulzim Bashës, sillen të gjitha argumentat që nga statuti e deri tek procedurat formale.

Nga ana tjetër Sali Berisha, që në startimin e nismës së tij për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, që daton vetëm një ditë pas vendimit të Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD sepse SHBA e kishte shpallur “non grata”, Basha e banalizoi duke thënë se nuk ishte i bindur për këtë vendim të aleatit më të madh të shqiptarëve por e kishte bërë se ia kërkoi ambasadorja, pra Berisha tregoi se nisma erdhi si rezultat i hallit të tij personal.

Dhe kjo është më se e vërtetë, sepse nëse Basha nuk do ta përjashtonte Berishën, dhe sot e kësaj ditë nuk do të dëgjohej asnjë “foltore”, nuk do të kishte as akuza të ndërsjella që janë goxha të rënda, mes tyre, dhe PD do të përgatitej e qetë për betejën opozitare, përballjet elektorale që nga zgjedhjet e pjesshme në pushtetin vendor, apo pas dy vitesh zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor e deri për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të radhës më 2025.

Berisha luan “fit a fit”, nuk ka çfarë humb. Për hir të së vërtetës, Sali Berisha në tërë lojën e tij të kamufluar politike tregoi se ka qënë dhe mbetet një “usta” për thirrjen “nën armë” të mbështetësve të tij, kamuflimin e hallit të tij personal përmes ngritjes së zërit për hallin e partisë, paaftësinë së Bashës për të fituar betejën e parë pas 8 vitesh, dhe shkeljen e statutit prej tij.

Por Berisha është “usta”, por i së keqes në fakt, dhe këtë e tregojnë zullumet e tij gjatë kohës që ka qeverisur vendin, por që pa pasur numrin e duhur të votuesve për të ardhur në pushtet, përmes kalkulacioneve dhe strategjisë së ndjekur, ka arritur ta sjellë PD në qeverisje më 2005 dhe ta mbajë për 8 vite në qeverisjen e vendit.

Këtë llogari të thjeshtë bëjnë demokratët mes Bashës dhe Berishës, dhe lideri historik i mëshon fort kësaj teme. Berisha, përtej teknicialiteteve e njeh mirë bazën e partisë dhe e di se pa këtë kontigjent nuk mund të jetë askush kryetar i PD. Pra nuk e konsideron postin e kryetarit një vend pune, që të emërojnë aty e nëse të shkarkojnë, ta kërkosh të drejtën dyerve të gjykatave, thjeshtë për vulën. Një parti politike nuk është vula, është anëtarësia dhe Berisha e shfrytëzon fort këtë. Për të mbuluar dhe mbrojtur hallet e tija kuptohet.

Skenari i Berishës, sikurse e thonë dhe zërat e mbështetësve të tij është futja në “kurth” e Lulzim Bashës, i cili rrethohet nga njerëz pa përvojë politike, që arrijnë të flasin pafund gjithë ditën, por nuk thonë asgjë. Kurthi i parë ishte dërgimi i 4200 fletëve të votimit tek zyra e kryetarit të Këshillit Kommëtar Edi Paloka, kur Basha dhe zyrtarët e tij të PD ishin të sigurtë që do t’i çonte tek zyra private e Berishës apo diku tjetër. Mbi këtë bazë kishin ngritur dhe strategjinë goditjes së Berishës, për ta akuzuar se është një Kuvend privat. Dërgimi në selinë e PD i formularëve, asnjëherë nuk e përmend nga Berisha dhe mbështetësit e tij, tregoi që kjo lëvizje i zuri të papërgatitur Bashën dhe mbështetësit e tij.

Berisha si “usta” i së keqes, goditjen e Bashës do ta bëjë në Kuvend, të cilin do ta shndërrojë jo thjeshtë për ndryshim statuti por do ta kthejë dhe zgjedhor. Duke shfrytëzuar mbledhjen e Kuvendit, vijnë të gjithë më 11 dhjetor, Berisha do ndryshojë statutin dhe do fusë referendumin në parti. Por dhe duke ndryshuar nenin për zgjedhjen e kryetarit. Nëse vendoset abrogimi i nenit që kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”, me zgjedhjen e tij nga Kuvendi Kombëtar pa përjashtuar dhe parimin “një anëtar një votë”, duke e lënë si opsion këtë, futjen e mocionit të mosbesimit për kryetarin dhe elementë të tjerë, Lulzim Basha shkarkohet ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar, me statutin e ri të ndryshuar.

Nëse ia lë në dorë anëtarësisë zgjedhjen e kryetarit të ri, atëherë Kuvendi zhbën lidershipin e partisë, duke ngrirë kryetarin dhe detyruar të hyjë në garë për t’u rizgjedhur, shkrihet Këshilli Kombëtar dhe zgjidhet i riu, për pasojë bien dhe sekretariati dhe kryesia e PD, dhe fillon gjithçka nga zero. Këto variante konfirmojnë të paktën burimet nga grupi që drejton nismën e Berishës për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD.

Basha do jetë i detyruar të çojë ankimin në gjykatë, ndërkohë që të gjitha materialet e Kuvendit të PD, është me detyrim ligjor, shkojnë në gjykatë dhe verifikohen një për një, e kërkon ose jo Basha apo ndonjë tjetër në PD.

Pjesa tjetër, është një “film” i parë prej kohësh, lidershipi i ri i PD do të akomodohet në zyrat e selisë së partisë, buzë Lanës, ndërsa kësta që flasin nëpër panele televizive, pjesë e strukturave zyrtare të PD ose jo, ose do fillojnë “piruetat”, ose do të shkojnë nëpër shtëpi apo kafe me miqtë, duke shmangur rrugën që kalon afër selisë së PD.

Gjithë koston e kësaj përplasjeje do ta paguajë PD në ballafaqimet elektorale. Sa më shpejt të mbyllet dilema se kush e ka shumicën në PD, aq më e lehtë është dalja nga kriza dhe përgatitja për zgjedhjet e kësaj partie. E cila, e kemi theksuar, si me Bashën ashtu dhe me Berishën kryetar nuk kanë shanse për të ardhur në pushtet as më 2025. I pari e ka treguar se nuk ka fuqi të fitojë, e ka kthyer humbjen në “abone”, i dyti megjithëse 77 vjeçar, ka fuqi të përpiqet, por e shkuara i rëndon shumë dhe mbi të gjitha është person “non grata” në SHBA. Në fund të herës e gjitha kjo është një fatkeqësi për PD, e cila e ka lidhur drejtimin e saj vetëm me emrat e dy personave, Berisha dhe Basha dhe “sanduiç mes tyre. Pa alternativë të tretë. Këtë e tregoi ngritja nga “varri” politik, e Berishës!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit