Në Tiranë ish kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u nderua me titullin ‘Doctor Honoris Causa’...por vizitat e saj në kryeqytet do të jenë më të shpeshta.
"Federika do të vijë më shpesh në Shqipëri, tanimë si drejtore e Kolegjit të Europës. Në Tiranë që do të jetë pjesa e tretë e Kolegjit të Europës që qendrën e ka në Bruzh (Bruges)", tha Rama.
Me këtë mesazh Kryeministri Rama e përshëndeti ceremoninë e organizuar nga Senati i Universitetit të Tiranës në nder të ish diplomates që aktualisht është Rektore e Kolegjit të Evropës. Rama nuk e fshehu krenarinë që premtimi i dhënë disa muaj më parë tanimë bëhet realitet.
"Është diçka vërtet e jashtëzakonshme për ne. Diçka që do të ishte shumë e vështirë ta imagjinonim vetëm deri disa vite më parë që Shqipëria do të bëhej vendi i Kolegjit të Europës", tha Rama.
Marrëveshjen e përshëndeti edhe ambasadorja e BE-në në Tiranë, Hohmann. Sipas saj ngritja e kampusit universitar këtu është lajm i mirë për Shqipërinë dhe rajonin, pasi edhe këtu do të përgatiten nëpunësit publikë që do të formësojnë të ardhmen e BE-së.
Rektorja Mogherini dhe ministrja Kushi nëshkruan dje Memorandumin për përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin Administrativ të këtij institucioni.
Kolegji i Evropës është një institucion i Arsimit të lartë i njohur në të gjithë Evropën për përgatitjen e ekspertëve, specialistë të nivelit të lartë për çështjet evropiane dhe të marrëdhënieve midis vendeve, zgjerimit.