Vëllezërit e ish-kryepolicit Artan Cuku, i cili u ekzekutua një natë më parë pranë shtëpisë së tij në rrugën e "Kosovarëve", në Tiranë, kanë dëshmuar sot në Polici.  

Shqiptarja.com ka mësuar se vëllezërit e Cukut kanë deklaruar se vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës që ai ka mbajtur gjatë 16 viteve në Policinë e Shtetit.  

Vëllezërit e viktimës kanë treguar gjithashtu se vrasja mund të ketë motiv ngjarje të ndodhura vite më parë, pasi Cuku nuk ruhej nga askush, nuk kishte konflikte të fundit si dhe nuk kishte shprehur shqetësim.

Po kështu, ata përjashtojnë që ekzekutimi të ketë lidhje me vetëvrasjen e Agim Dakës.

Sipas tyre, të afërmit e Dakës janë betuar se kjo çështje është mbyllur dhe se kanë dhënë fjalën që nuk do të hakmerreshin për të.

Pista ku po hetohet aktualisht janë te çështjet që ai ka rihapur kur ka qenë kryepolic në Vlorë dhe në Tiranë. 

Artan Cuku u ekzekutua një natë më parë me 5 plumba pranë banesës së tij. Ai u qëllua në korridorin e apartamentit nga dy persona të armatosur, të cilët i ngritën pritë aty. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com