Vaçe Zela largohet me këngë

Vaçe Zela largohet me këngë
TIRANE- E rrallë fisnike e thjeshtë, Vaçe Zela u largua nga jeta duke kënduar.

Trupi i pajetë i Vaçe Zelës u vendos dje në skenën ku  këndoi dhe fitoi shumë nga 12 çmimet e saj, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Muzika në monitor dhe buzëqeshja në fytyrën e saj kanë shoqëruar ceremoninë për më se dy orë. Tirana nuk kishte parë ndonjëherë homazhe kaq madhështore sa ato të lamtumirës së Vaçe Zelës. Homazhet janë çelur nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në ceremoni morën pjesë dhe zyrtarë të lartë të vendit dhe përfaqësues të huaj. “Vaçe Zela nuk ka vdekur. Është shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg”.

Me këto fjalë e ka mbyllur ceremoninë e homazheve kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërsa për më shumë se një orë qëndroi në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit së bashku me bashkëshorten Lindën dhe me qindra artistë nga Tirana, rrethe të Shqipërisë, Lushnja ku ka lindur Vace Zela, por dhe nga Kosova e Maqedonia. Vargje të pafund njerëzish të thjeshtë hynin e dilnin në teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, duke mbushur platetë e teatrit, me sytë nga skena, ku arkivoli i së ndjerës Vaçe Zela dhe zëri i saj që ushtonte nga ekranet trazuan dashurinë e shqiptarëve për të, duke përzier lotët me emocionet e rindezura nga këngët e saj magjike.

Personalitete të politikës, muzikës, teatrit e përcollën me lot në sy në banesën e fundit, duke e shoqëruar me tingujt e këngës së W. Houston, “I always love you”. Njerëzve të ardhur nga Kosova, të cilët kanë shoqëruar trupin e këngëtares nga aeroporti i Prishtinës, iu janë bashkuar ata që erdhën nga vendlindja e këngëtares, Lushnja, që herët në mëngjes. Holli i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku qe vendosur fotografia e Vaçe Zelës u mbush me buqeta me lule.

Erdhi ora e lamtumirës dhe qindra njerëz përcollën trupin e këngëtares Vaçe Zela drejt Varrezave të Sharrës në Tiranë me karafila të bardhë dhe duartrokitje. Një grusht me dhe iu hodh në varr si bekim nga qyteti i saj i dashur, Lushnja. Një grusht tjetër me dhe hidhet si shenjë dashurie për yllin kombëtar të këngës nga toka e Kosovës. E mbuluar me lule, e shoqëruar me zërin e këngëve magjike të saj, Vaçe Zela largohet nga jeta duke kënduar...  
 

Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane