Vaçe Zela, shuhet uragani
i muzikës shqiptare

Vaçe Zela, shuhet uragani<br />i muzikës shqiptare
TIRANE- Vaçe Zela, një uragan që tronditi nga themelet traditën e vjetruar të muzikës së lehtë, ylli i këngës shqiptare, u shua pas një sëmundjeje të gjatë, duke zbardhur mëngjesi i së enjtes, në orën 02:00, në Basel të Zvicrës. E lindur më 7 prill të vitit 1939 në Lushnje, Vaçe Zela u nda nga jeta më moshën 75-vjeçare.  Dje u shua shpirti i mbi 20 festivaleve të muzikës në Radio Televizionin Shqiptar që nga viti 1962 dhe deri në vitin 1981, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët. 

Vaçe Zela, fituese që nga festivali të parë
Me këngën “Fëmija i parë”, u vu re se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Ishte vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë”, kujtonte këngëtarja nga festivali i parë. Sot duket paradoksale, por Vaçen nuk donin ta pranonin në festival. Por, ja që festivalet rrodhën njëri pas tjetrit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezent me zërin e saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare. 

Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe melodioz. Këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit. Këndoi me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Zvicër e gjetkë duke bërë për vete një publik mjaft të gjerë. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Muzikantët, kompozitorët, populli e donte Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin sa hap e mbyll sytë.

“Kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë”, shprehen specialistët e muzikës. Në Shqipëri në ato vite kur njerëzit mezi siguronin bukën dhe rrobën e varfër të trupit, këngëtarja shqiptare u kërkua të blihej nga Italia me shifra marramendëse. Karriera e saj u ndërpre për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Viti 1994 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje, pikërisht në Zvicrën ku dje mbylli sytë.
 
Jeta personale
Jeta personale e Vaçe Zelës ka nisur me një histori të bukur të dashurisë, fejesës dhe martesës me Pjetër Rodiqin. Pastaj erdhi lindja e vajzës dhe jeta e saj rrodhi natyrshëm mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes. Pas një karriere të ndritur në Shqipëri, Vaçe Zela jetoi për më shumë se 15 vjet në Bazel të Zvicrës me familjen. Vajza e saj, Irma, një studente e shkëlqyer të ekonomikut nis punë si pedagoge në Institutin e Statistikave në Zvicër.

Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, vështirësi sfida e suksese deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Vaçe Zela ishte nisur tek vajza e saj Irma që jetonte në Zvicër, dhe pikërisht në këtë kohë ka nisur kalvari i saj i dhembjes; dy operacione të njëpasnjëshme, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa, që morën fund dje më 6 shkurt 2014.
 
Flamur në gjysmështizë për Vaçe Zelën
 Trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela do të mbërrijë në aeroportin e Prishtinës, ditën e premte, date 07.02.2014, ora 14.00 ku do te pritet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen ditën e shtunë, datë, 08.02.2014 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Homazhet do të mbahen në orën 10.00- 12.00. Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë. Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, z. Edi Rama ditën e shtunë, date, 08.02.2014, ora 13.00 duke u nisur nga TKOB për t'u prehur në varrezat e Sharrës.
 
Fillimet e karrierës
 
Artistja e vogël e qytetit myzeqar
Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste banorët e këtij qyteti me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur. 
Moshatarët e saj e kujtojnë atë si nxënëse shkolle kur këndonte në koncerte. Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ishte 10 vjeç kur nisi të këndonte mrekullisht të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit.

Me këtë jehonë Vaçja u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që kishte nw zemër. Por…nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë. Ndërsa nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa” nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj. Ishte kjo kitarë me të cilën kohë më pas ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, të cilën nuk e çoi dot deri në fund, pasi e rrëmbeu nw jetw pasioni i fëmijërisë së saj, kënga... 

Vlerësimet
Përfshihet në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina.
“Artiste e merituar”, në vitin 1973
“Artiste e Popullit”, në 1977,
“Mjeshtre e madhe e punës”,
“Qytetare Nderi e Lushnjes”,
“Nderi Kombit”. 
“Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH.
“Disku i Artë” nga SHBA për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”
“Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë
“Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj.

Shtëpia e këngëtares e braktisur
 Lagjja ku ndodhet shtëpia e këngëtares Vaçe Zela në Lushnjë do të marrë emrin e saj dhe shtëpia ku këngëtarja u lind do të bëhet muze. Kështu ka pohuar dje për A1 Report kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe. Shtëpia ku u lind dhe u rrit ikona e muzikës shqiptare, Vaçe Zela është shndërruar në një godinë të braktisur, e lënë në harresë nga pronarët aktualë, të cilët e kanë blerë atë disa vite më parë.

“Shuhet ylli i këngës”
 Lajmi që eklipsoi mediat dhe facebook
 Ngushëllimet për vdekjen e e Artistes së Popullit Vaçe Zela kanë “pushtuar” dje televizionet, mediat dhe façebook.
Dritëro Agolli për A1 Report: Vaçja s'do vdesë, do kthehet në flutur.
Nexhmie Pagarusha për A1 report: E kam pasur  të shenjtë në jetën time.
Agim Krajka për A1 Report: “Ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj”

Hysni Zela, vëllai i artistes për A1 Report: 
Kishte rreth nja 15 -20 vjet që ka qenë sëmurë. Meraku, të vinte një ditë në Shqipëri. Amaneti të prehet në atdhe.
Sherif Merdani: Është një humbje aq e madhe, sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë.

Edi Rama: Në një kohë e vend tjetër Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë të ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë.
Ambasada amerikane në Tiranë: “Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund.

Aurela Gace: ...vajzës time do t'ja mësoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjerë ta dinë se çfarë thesari ka pasur e ka Shqipëria.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi: “Vaçe Zela ka qenë dhe mbetet ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore”, etj, etj.
 

 Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura