Filmi biografik për Michael Jackson, ka hasur disa pengesa ligjore dhe është shtyrë për në 3 tetor 2025. Shkaku i vonesës lidhet me skenarin e filmit, ku ka pasur përfshirje të një detaji të cilësuar si shkelje e një marrëveshjeje të vitit 1993 me familjen Chandler.
Skenari përfshinte historinë e akuzave për ngacmim seksual të Jordan Chandler i cili kishte paditur Michael Jackson, por më 1994 ata e zgjidhën çështjen jashtë gjykatës. Si pjesë e marrëveshjes, ishte ndaluar që historia e tij të shfaqej në film.
Për shkak të kësaj, ekipi i prodhimit, duke përfshirë regjisorin Antoine Fuqua dhe producentin Graham King, është detyruar të ripunojë skenarin dhe të rixhirojnë disa skena. Xhirimet përfunduan në maj 2024, por tani, për shkak të ndryshimeve dhe shtyrjeve, buxheti ka kaluar në 150 milionë dollarë dhe priten edhe disa kosto shtesë.
Në rolet kryesore janë Jaafar Jackson (nip i Michael) si Michael Jackson, Colman Domingo dhe Nia Long si prindërit e tij, Joe dhe Katherine Jackson, dhe Miles Teller si avokati i pasurisë, John Branca.
Filmi pritet të tregojë jetën dhe karrierën e Michael Jackson në një shkallë të madhe kinematografike.
Artisti i njohur ndërkombëtarisht vdiq në vitin 2009 në moshën 50-vjeçare nga një mbidozë e propofolit ndërsa përgatitej për një turne rikthimi, This is It.