TIRANË - Në këtë episod të emisionit 112 ju sjellim disa situata me të cilat efektivët e Policisë së Shtetit janë përballur së fundmi. Në Kashar një taksist kërkon ndihmën e policisë duke telefonuar në 112 sepse klientja që ka dërguar në destinacion nuk paguan taksinë. Në ndihmë të këtij qytetari përgjigjet patrulla e Komisariatit nr. 6 me të cilën jemi edhe ne ndërsa kur policia mbërrin në vendin e raportuar shohin një vajzë që po largohet nga taksia dhe shoferin që i njofton se ajo është vajza që nuk ka paguar faturën prej 2200 lekë.

Vajza ndalohet nga policia ndërsa duket konfuze në ato që deklaron dhe përpiqet të largohet sërish duke u futur në ambientet e një institucioni aty pranë por ndalohet nga policia dhe rojet private. Nga efektivja e policisë vajza shoqërohet sërish tek taksia ndërsa i bëhet e ditur se do dërgohet në Komisariat nëse nuk bën pagesën.  
Teksa efektivët përpiqen të kuptojnë më shumë për atë që ka ndodhur duke folur me shoferin e taksisë kjo vajzë nis të debatojë me policen ndërsa i kërkon asaj që të paguaj taksinë për të sepse është detyrë e Policisë së Shtetit sipas saj, kur një person është në hall.

Diskutimi mes efektives dhe vajzës vijon për disa minuta ndërsa në emisionin 112 të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri ju sjellim momentet e plota teksa policja në një gjest njerëzor paguan faturën për vajzën, e cila pasi qetësohet i kërkon ndihmë efektives ndërsa thotë se është një personazh i njohur në media. Ndiqni diskutimin e plotë përgjatë emisionit.

Në ngjarjen e dytë, nga agjentët e policisë dhe efektivët e patrullës kapet një djalë 22-vjeçar me një sasi të madhe me doza hashashi. Ju sjellim momentet e regjistruara nga kamera e trupit të policisë ndërsa djali shoqërohet në Komisariatin nr. 3 ku nga numërimi i dozave të lëndës narkotike i rezultojnë 141 doza hashashi ndërsa ai dyshohet të jetë shpërndarës i drogës.