Komisioni parlamentar i Medias, në mungesë të deputetëve të opozitës, përfundoi sot procesin e përzgjedhjes së emrave për plotësimin e vendeve vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA).

Në përfundim të këtij procesi, nënkryetari i komisionit Afred Peza bëri të ditur se dy emrat e përzgjedhur nga maxhoranca janë ajo e Pirro Mishës (publicist, përkthyes) dhe e Gledis Gjipalit (jurist). Pas përzgjedhjes së anëtarëve nga shumica, mbetet bosh vendi i kandidatit që duhet ta përzgjedhë opozita.

Emrat e miratuar sot nga komisioni do i përcillen për miratim Kuvendit, ndërsa më tej, procedurat do të vijojnë me zgjedhjen e kryetarit të ri të AMA-s. 

ATSH