Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik shprehen se janë drejt përfundimit të draftit që do t’i hapë rrugën ofrimit falas të vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës. Për këtë ekspertët kërkuan mbështetjen e deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë si dhe koalicionit të grave deputete, për të votuar projektligjin që do të vijë në parlament për miratim në fund të dhjetorit. “Unë mendoj që brenda muajit dhjetor ne mbyllim gjithë pjesën teknike. Dhe do kërkoja nga ju zonja një mbështetje në lidhje me futjen e kësaj vaksine. Sot për një kancer kemi vaksinë. Le ta bëjmë këtë ndryshim pikërisht tani. Kërkoj mbështetjen tuaj, është për të gjitha gratë dhe vajzat.”- deklaroi Silva Bino, eksperte e ISHP-së. Futja e vaksinës së kancerit të qafës së mitrës në kalendarin kombëtar të vaksinimit mbart një kosto të lartë për buxhetin e shtetit, por efekti në shëndet pritet të jetë i madh.