Vaksina e re eksperimentale kundër Ebolës, e testuar fillimisht tek një majmun, mundëson mbrojtje të shpejtë dhe të përhershme nga ky virus vdekjeprurës.
 
Ky është rezultati i dalë nga eksperimentet e Institutit Kombëtar të SHBA-së, të cilët kanë vërtetuar se imuniteti mund të zgjasë për të paktën 10 muaj. Për shkencëtarët, kjo është prova e parë e mbrojtjes së përhershme që jep vaksina e re.
 
Nëse miratohet, ajo do të përdoret për popullatën e prekur nga epidemia dhe tek personat e ekspozuar ndaj këtij virusi. Në lidhje me virusin e përhapur në Afrikën perëndimore, ka ardhur një mbështetje edhe nga Shtetet e Bashkuara.
 
Vetë presidenti Barack Obama, gjatë një interviste televizive, ka thënë se SHBA-të duhet të bëjnë më shumë për të vënë nën kontroll sëmundjen e cila po kthehet në një kërcënim global. Ndërkaq, Kombet e Bashkuara premtuan dje 600 milion dollarë për furnizimet e nevojshme në luftë ndaj këtij virusi.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)