Duke filluar nga 5 janari, në qendrat shëndetësore të vendit ka nisur edhe vaksinimi i djemve 13-vjeçarë me kundër Human Papilloma Virus, vaksinë e futur tashmë në kalendarin kombëtar.
Vendimi për ta bërë të detyrueshëm injeksionin edhe për djemtë, sipas epidemiologëve, synon parandalimin e disa llojeve të kancerit të lidhura me HPV-në, ndërsa te vajzat vaksina mbron kryesisht nga kanceri i qafës së mitrës.
“Por në fakt papiloma virus është e dëmshme jo vetëm te vajza, por dhe te djemtë. Të djemtë shkakton probleme serioze duke shkaktuar në disa raste kancer të organeve gjenitale, një organ të traktit urogenital, kancer të faringit, domethënë dhe ata kanë shumë pasoja nga Human Papiloma virus. Por jo të gjithë Human Papiloma virus në momentin që futen në organizëm shkaktojnë probleme”, tha epidemiologia Rovena Daja.
Sipas epidemiologes, prindërit janë informuar përmes fushatave sensibilizuese, por edhe në mënyrë direkte, përmes mesazheve të dërguara nga programi i vaksinimit.
“Ne kemi të regjistruar të gjithë fëmijët që janë aktualisht deri në moshën 20 vjeç dhe numrat e telefonit të njërit prej prindërve shkon mesazhi në telefon ku informohet paraprakisht që fëmija juaj duhet të aplikojë aktualisht vaksinën ndaj HPV-së e cila aplikohet në moshën 13 vjeç dhe ky mesazh ju shkon prindërve si për djemtë ashtu edhe për vajzat”, tha ajo.
Dozat e vaksinës për mbulimin e mbi 18 mijë djemve që këtë vit mbushin 13 vjeç janë shpërndarë tashmë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
“Vaksina është në gjendje, është në Institutin e Shëndetit Publik dhe ndërkohë e kemi shpërndarë dhe në të gjitha Qendrat shëndetësore”, tha ajo.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, që nga viti 2022 janë vaksinuar në total rreth 46 mijë vajza kundër Human Papilloma Virus.
Komente






