Vaktet e fëmijëve, çfarë
t'u japim për të ngrënë

Vaktet e fëmijëve, çfarë<br />t'u japim për të ngrënë
Çfarë t’u japim fëmijëve për të ngrënë? Sigurisht që të gjithë prindërit kanë vështirësi me vitaminat me proteinat që zgjedhin të konsumojnë të vegjëlit, por si mund të gjendet një ekuilibër mes asaj që duhet të hanë dhe asaj çfarë preferojnë të vegjëlit.

Mëngjesi
Është ushqimi i parë dhe i vetëm, i cili i jep fëmijës energjinë e duhur për të qenë në formë që në orët e para të ditës. Mëngjesi shërben për të rigjeneruar rezervat e konsumuara gjatë natës.Ai duhet të jetë i përbërë nga: Karbohidrate (bukë, drithëra me pak sheqer); Qumësht ose kos; një frut, ose një lëng frutash pa sheqer. Nëse fëmija juaj ka shqetësime me gjumin e mëngjesit dhe ngrihet përherë i përgjumur, atëherë organizojeni mëngjesin tuaj dhe të fëmijëve në një mënyrë tjetër.

Ngrihuni dhjetë minuta përpara fëmijës, që të keni mundësinë së bashku me "gjumashin" tuaj të uleni të gjithë në tavolinë. Duke parë të tjerët ai do ta ketë më të lehtë të mësojë shembullin që i ofrohet. Nëse fëmijës suaj nuk i pëlqejnë ushqimet me qumësht, ose vetë qumështi, atëherë duhet ta mësoni se ai e ka të domosdoshme të konsumojë gjysmë litri qumësht në ditë. Në pamundësi ta detyroni të pijë gotën e qumështit mund ta keni si përbërës në ushqimet e tjera, çka nënkupton në thelb se ai mund të konsumojë qumështin përmes tre, ose katër prodhimeve derivate të tij. Nëse është paksa "kokëfortë" në kërkesat e tij, atëherë mund të luash me varietet si kos me fruta, ose qumësht i përzier me fruta.
Filloni të korrigjoni defektet e ushqimit, jo vetëm të fëmijës suaj, por të gjithë familjes, ndoshta edhe duke u konsultuar me një specialist të ushqimit.

Dreka
Dreka e fëmijës, edhe në rast të një fëmije mbipeshë, nuk duhet të eliminojë ushqimet kalorike, por vetëm t’i ekuilibrojë ato.
Ekspertët thonë: Evitoni dietat e hekurta. Andaj, nuk flitet për të eliminuar ëmbëlsirat, ushqimin e mesditës, ose karamelet, por mbi të gjitha për të ekuilibruar cilësinë. Edhe në rastet e një mbipeshe, fëmija juaj duhet të ushqehet sipas shijeve dhe urisë së tij. Mos harroni se ushqimi duhet të jetë një kënaqësi dhe jo një punë e detyruar. Të luftosh obezitetin do të thotë të luftosh edhe jetën sedentare.

Fëmijët kanë filluar të bëhen "përtacë", Qëndrojnë shumë orë përpara TV-së dhe kompjuterit duke reduktuar në maksimum orët e lëvizjes. Drejtojini fëmijët tuaj të merren me sport, të shëtisin në këmbë, pa i mësuar gjithë kohës që të udhëtojnë vetëm me autovetura. Natyrisht duhet të pakësoni (por, pa i eliminuar përfundimisht) ushqimet me shumë kalori si pijet e gazuara me përmbajtje të lartë sheqeri, ëmbëlsirat me sherbet, sallamet dhe karamelet e ndryshme.

Mësojini të zgjedhin ushqimet e duhura duke parë etiketat dhe përbërësit e tyre. Ekspertët e ushqimit janë kategorikë kur mendojnë se nuk duhen eliminuar ushqimet me shumë kalori, por duhet kontrolluar dhe minimizuar konsumi i tyre. Duhet të mësoni se nuk është e mirë të hani ju vetë mes vakteve, pasi u jepni një shembull jo të mirë të ushqimit. Po ashtu, mos e shtrëngoni kurrë fëmijën ta mbarojë ushqimin që ka në pjatë, nëse oreksi i tij ju thotë se nuk mundet të hajë më.

Darka
Duhet të jetë një ushqim i ekuilibruar, gjithmonë duke iu referuar asaj që fëmija juaj mund të ketë ngrënë në vaktin e drekës. Nëse fëmija juaj ka ngrënë mish në ushqimin e drekës, atëherë është e panevojshme t’u jepni të tjera proteina në darkë. Në të kundërt, nëse në drekë ka ngrënë oriz, ose makarona, atëherë jepini proteina për vaktin e darkës. Cila mund të quhet një darkë e ekuilibruar? Një darkë e përbërë nga: Një supë me zarzavate (respektoni dëshirën e fëmijës nëse nuk ka uri); Një biftek mishi me zarzavate (duke e alternuar me vaktin e drekës);  Një gotë qumësht; Një frut, dhe uji. Në çdo rast duhet kujtuar se fëmija duhet të ulet i qetë në tavolinë, pa shikuar televizor.

Fëmija duhet të respektojë rregullat e ushqimit. Është e padiskutueshme se ai tërhiqet më shumë ndaj ushqimeve që njeh, pasi e ndjen veten më të sigurt se mund të marrë energji prej këtyre ushqimeve. Refuzimi për të ngrënë disa lloj ushqimesh mund të jetë edhe manifestimi i parë i periudhës së kundërshtimit, e quajtur edhe fillimi i fazës "Jo" për gjithçka, e cila mendohet se fillon që në moshën dy vjeçare.

Të hyni në fazën e konflikteve nuk ndihmon as fëmijën tuaj dhe as nervat tuaja, prandaj duhet të kini shumë kujdes që ushqimi i tij të mos kthehet në një ferr të vërtetë për të. Sa për të tjerat duhet ta mësoni fëmijën se jeni ju komandanti. Për të respektuar shijet e tij (është e drejta e tij që ti ketë) vendosni së bashku se çfarë mund të gatuani për drekën dhe darkën e tij.

 Shkrimi u publikua sot (26.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Abuzim me 2 tendera me vlerë mbi 15 mln lekë, SPAK dërgon për gjykim ish-kryetaren e Bashkisë Patos dhe 6 zyrtarë

Abuzim me 2 tendera me vlerë mbi 15 mln lekë, SPAK dërgon për gjykim ish-kryetaren e Bashkisë Patos dhe 6 zyrtarë