Temperaturat arritën 40 gradë Celsius në disa pjesë të Evropës të dielën, ndërsa stuhitë u zhvendosën në zona të tjera, me Francën që raportoi mbi 1.000 vdekje shtesë gjatë valës rekord të të nxehtit. Agjencia franceze e shëndetit publik tha se shumica e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë përfshinin njerëz të moshuar dhe paralajmëroi se numri pritej të rritej. Sipas të dhënave paraprake nga Spanja, ndërkohë, të paktën 327 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave ekstreme gjatë ditëve të fundit.
Shkencëtarët kanë thënë se vala e të nxehtit, e cila filloi më 20 qershor, ishte më e keqja e regjistruar në Evropë.
"Tani për tani 150 milionë njerëz jetojnë nën nxehtësi ekstreme, qindra kanë vdekur, shkollat janë mbyllur, rrjetet elektrike po dështojnë", tha Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në platformën X.
“I nxitur nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valës së të nxehtit ‘që ndodh një herë në një brez’ po ndodh pothuajse çdo vit. Ne u paralajmëruam”, shkroi ai, duke shtuar se shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat e Evropës nuk ishin të pajisura mirë për nxehtësinë ekstreme.
Temperaturat arritën nivele rekord në Austri, Republikën Çeke, Gjermani dhe Poloni, ndërsa stuhitë shpërthyen në disa pjesë të Francës, duke shkaktuar ndërprerje të mëtejshme të udhëtimit dhe furnizimit me energji elektrike.
Në Poloni u regjistrua temperatura më e lartë në historinë e vendit, 40.5°C në Subice, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 40.2°C të vendosur në vitin 1921. Rekorde të reja u shënuan edhe në Hungari, ku temperatura arriti në 40.7°C, si dhe në Republikën Çeke, ku u regjistruan 41.9°C në Doksany, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend. Në Sllovaki termometri arriti në 39.3°C, ndërsa Danimarka shënoi temperaturën më të lartë që nga fillimi i matjeve në vitin 1874, me 36.6°C.
Në Gjermani, shërbimet e trenave u reduktuan në një linjë të madhe hekurudhore në shtetin perëndimor të North Rhine-Ëestphalia dhe tramvajet u pezulluan në qytetin lindor të Leipzigut. Shumë njerëz u fshehën në shtëpi, duke hezituar të dilnin jashtë derisa të perëndonte dielli, raportuan mediat lokale.
Autoritetet çeke u bënë thirrje njerëzve të shmangin aktivitetin fizik dhe lëshuan paralajmërime për smog në pjesën qendrore dhe veriore të vendit për shkak të niveleve të larta të ozonit në tokë të shkaktuara nga nxehtësia.
Ndërkohë, stuhitë e forta që goditën Francën veriore sollën erëra të fuqishme dhe reshje intensive, duke shkaktuar të plagosur, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme të shumta. Rrufetë shkaktuan disa zjarre në zonën e Aisne, përfshirë një në Laon ku mbetën të plagosur pesë persona. Të dielën në mëngjes mbi 60 mijë banesa ishin pa energji elektrike. Në Belgjikë, një burrë humbi jetën pasi një pemë ra mbi automjetin e tij pranë Brukselit gjatë stuhive që përfshinë vendin.
Franca ka nisur gjithashtu bilancin e viktimave të valës së të nxehtit. Agjencia kombëtare e shëndetit publik njoftoi se nga 24 deri më 27 qershor janë regjistruar mbi 1.000 vdekje më shumë se mesatarja e muajve të mëparshëm. Sipas autoriteteve, shifrat janë ende paraprake dhe pritet të rriten. Rritja më e madhe e vdekjeve është regjistruar në rajonin Île-de-France, ku përfshihet Parisi dhe periferia e tij. Shumica e viktimave janë mbi 65 vjeç, por janë prekur edhe grupmosha më të reja. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez bëri të ditur se shërbimet e ambulancës iu përgjigjën mbi 122 mijë thirrjeve gjatë periudhës më të nxehtë të valës së të nxehtit.
Stuhitë me bubullima mund të godasin pjesë të Francës, Gjermanisë dhe Republikës Çeke gjatë një ose dy ditëve të ardhshme, me mot më të freskët që parashikohet në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore këtë javë, ndërsa vala e të nxehtit lëviz më thellë në Evropën Qendrore dhe Ballkan, thonë meteorologët. Në Shqipëri termometri sot shënon deri në 40 gradë celisus.
Komente




