“Valsi i luleve” i trupës së Baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka sjellë magji mbrëmjen e së enjtes në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Një udhëtim koreografik i ndërtuar mbi fragmente nga repertori i baletit klasik, i ndërthurur me elementë bashkëkohorë të lëvizjes, ka tërhequr vëmendjen e një publiku të gjerë vendas dhe të huaj, që mbushi sallën e teatrit. Shfaqja krijoi një dialog të ndjeshëm mes traditës dhe modernes, duke ruajtur hijeshinë klasike dhe duke e pasuruar atë me forma të reja shprehjeje artistike.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Aulon Naçi, vlerësoi mikpritjen e publikut vlonjat.

“Është hera e disatë që TKOB vjen në qytetin e Vlorës, por edhe në shumë qytete të tjera të vendit, si dhe në Prishtinë.”, tha ai.

Edhe për balerinën Enada Hoxha, performanca në skenën e teatrit të Vlorës mbetet gjithmonë një kënaqësi e veçantë.

“Është hera e disatë që vijmë këtu. Kemi ardhur edhe me operën ‘Traviata’ dhe me një mbrëmje gala disa muaj më parë. Për mua, ardhja në teatrin ‘Petro Marko’ është gjithmonë kënaqësi.”

Publiku e priti shfaqjen me entuziazëm, duke vlerësuar profesionalizmin dhe emocionin që baleti përcolli në çdo lëvizje.

Kjo natë dedikuar baletit e ktheu skenën në një hapësirë ku lëvizja, muzika dhe ndjenja u bashkuan në harmoni të plotë.