Në qytetin ku poezia e Lasgush Poradecit mori jetë, vargjet e tij u rikthyen këtë herë përmes muzikës. Në brigjet e liqenit, aty ku poeti gjeti frymëzimin për natyrën, dashurinë dhe jetën, në Odeonin e Pogradecit, këngëtari Xhoni Jesku prezantoi albumin e tij të parë, “Valsi i Yjeve”.
“Sa herë përmendet emri i babait tim, sa herë që frymëzohen artistët e rinj nga babai im, është kulmi i lumturisë. Do të kalojnë vitet, emri i Lasgushit nuk do të harrohet dhe kjo është pavdekësia e tij. Poezitë e Lasgushit, edhe sikur të mos ishin instrumentat, duken sikur janë këngë, sikur këndohen. Dhe ai vetë gëzohej shumë kur vargjet e tij ktheheshin në këngë.”, tha e bija e poetit, Marie Gusho.
Jesku ka kthyer në këngë gjashtë poezi të artistit.
“Është një ëndërr e kahershme që mendoja dhe ngulja këmbë që ta bëja në qytetin tim. Jam mëse i lumtur që ndodhi. Kur vjen në qytetin tënd të lindjes, përgjegjësia është akoma më e madhe. Duhet të sjellësh risi dhe të kombinosh një koncert e performancë që të bësh më të mirën.”, tha këngëtari Xhoni Jesku.
Vargjet e Lasgushit janë përshtatur për të marrë jetë në një tjetër formë artistike, një proces që sipas Jeskut kërkoi kohë, punë dhe kujdes për të ruajtur frymën e poezisë, ndërsa ajo shndërrohej në këngë.
“Ka qenë përgjegjësi shumë e madhe, pasi duhej të tentoje, të frymëzoheshe, të shkruaje mbi vargjet e Lasgushit dhe t’i ktheje ato në tinguj. Nuk është e lehtë, jo çdo lloj poezie mund të përshtatet në këngë. Jam shumë i lumtur që albumi im i parë mban titullin ‘Valsi i Yjeve’, i frymëzuar nga ‘Vallja e Yjeve’.”, vijoi Jesku.
Mbrëmja solli në skenë edhe artistë të tjerë, mes tyre tenorin Gerald Murrja.
“Pogradeci është një qytet me artdashës dhe, siç e pamë, vendi ishte mbushur plot me njerëz. Kam mbetur i surprizuar edhe nga këngët, që vijnë për herë të parë në këtë formë, si balada apo muzikë lirike.”, tha tenori Gerald Murrja.
Mes poezisë dhe muzikës, projekti solli edhe një tjetër dhuratë për Pogradecin: një këngë të konceptuar si himn për qytetin.









Komente
Komento