Monedha virtuale mbërrin ne Tiranë. Fjala është për një valutë që ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryesh transaksione, si me paranë e vërtetë. Duke filluar nga kjo javë, në këmbimin valutor ka filluar konvertimi i monedhës “Bitcoin” në lekë dhe anasjelltas. Sipas kursit të këmbimit, 1 Bitcoin këmbehet me rreth 65.220 lekë. Bitcoin është një formë e re paraje, një monedhë dixhitale e decentralizuar, që nuk kontrollohet nga askush, nuk e nxjerr asnjë bankë qendrore dhe mund të përdoret nga të gjithë.