Blejmë, kursejmë dhe marrim borxh masivisht në valutë. Në kushtet e prezencës së lartë të valutës e sidomos të euros në ekonomi, Banka e Shqipërisë vlerëson se duhet të merren masa të tjera shtesë për të kufizuar përdorimin e saj.

“Përdorimi i valutave në ekonomi dhe në sistemin bankar mbetet i lartë dhe vijon të kushtëzojë nivelin e rrezikut të ekspozimeve, duke reflektuar faktorë të qëndrueshëm strukturorë si hapja e ekonomisë dhe zakonet e agjentëve ekonomikë. Niveli i euroizimit mbetet i lartë, sidomos në strukturën e depozitave dhe të kreditimit, çka tregon se procesi kërkon ende ndërhyrje të koordinuara dhe një angazhim të vazhdueshëm institucional”, thuhet në raportin e deeuroizimit të gjashtëmujorit të dytë të 2025-ës.

Sipas raportit të bankës, 51.4% e kursimeve të shqiptarëve mbahen nëpër banka në valutë, pjesa dërrmuese në euro. Deri në fund të 2025-ës nëpër banka ishin të mbyllura si depozita 7.7 miliardë euro në valutë. Ndërsa pragu i synuar nga banka qendrore është që niveli i depozitave në monedhë të huaj, të mos kalojë më shumë se 30% të totalit të kursimeve, prag që me shifrat aktuale duket gati i pamundur për t’u kapur.

Ndërkohë rreth 44.2% e totalit të kredisë së dhënë për ekonominë është gjithashtu në monedhë të huaj, ku 22% e tij është e pambrojtur, për shkak se kredimarrësi të ardhurat i ka në një monedhë tjetër nga ajo që ka marrë huanë.

Viti 2026 po regjistron rekorde të reja negative të zhvlerësimit të euros dhe dollarit, duke goditur direkt depozitat në monedhë të huaj, pasi konvertimi i kursimeve në lekë është automatikisht me vlerë më të ulët. Kurse një mbiçmim i tyre do rriste depozitat por të shtrenjtonte kostot e borxhit dhe të kredive.

Prej vitit 2017 Shqipëria ka në fuqi një memorandum mes tre institucioneve (BSH, AMF, Ministria e Financave), që parashikon marrjen e masave për të ulur përdorimin e valutave, që nga reduktimi i informalitetit, zhvillimi i sistemeve të pagesave, marrja e borxhit në monedhën vendase, ofrimi më shumë i kredive në lekë e deri tek fuqizimi i monedhës në shërbimet bankare. Por rezultatet e deritanishme, tregojnë sipas bankës se masa të tjera duhet të shtohen.