Vangjeli: Dashuri me shikim të fundit, por në Tiranë janë të gjithë lakuriq

Vangjeli: Dashuri me shikim të fundit, por në Tiranë janë të gjithë lakuriq

Halli i Ilir Metës, ndryshe nga sa e sulmojnë kritikët e tij dhe po aq ndryshe nga sa e duartrokasin mbështetësit e tij, nuk ndryshon shumë me hallin e tij të dy vjetëve më parë. Ai ka ndryshuar zyrën dhe mjetet, por marrëzia që ai tenton të zgjidhë e të ngatërrojë njëkohësisht duke qenë dhe vetë pjesë e saj, është identik si në 2017-ën. Edhe atëherë Meta sulej të bindte opozitën e Lulzim Bashës që të hynte në zgjedhje. Por Basha, me këmbëpërplasje në Bulevard dhe tone tenori në çadër, nuk hiqte dorë nga ultimatumin dramatik: Kurrë në zgjedhje me Edi Ramen!

Kur për shumë arsye, kryetari i PD-së futi partinë në qeverinë Rama, ai u armiqësua në skaj me vetë Metën. Nisi një stinë dashurie me Ramën, që si të gjitha dashuritë me shikim të fundit, u shndërrua shpejt në një urrejtje të madhe sepse nuk u celebrua me qeverinë e rradhës. Edhe këtë vit, me tre dekrete të njëpasnjëshëm me të njëjtin objekt, Meta, kësaj rradhe si President Republike, ende nuk e ka të qartë nëse Basha do të hyjë në zgjedhje dhe nuk është i sigurt nëse nuk do të duhet një dekret i katërt.

Kaq mjafton për të kuptuar skenën absurde ku luhet me të gjithë absurditetin e saj drama publike shqiptare, kjo telenovelë me skenar të dobët, regji të keqe, aktorë ku thërret qameti dhe spektatorë fatkeqë sa për t’ju dhimbsur edhe gurit.

Ndryshe nga gjithë bota e qytetëruar që zgjedhjet i përdor për të zgjidhur kriza, Shqipëria hyn në krizë sa herë që i duhet të bëjë zgjedhje.

Të gjithë, edhe maxhoranca, edhe opozita, janë bashkaksionerë të kësaj monstre që ka çmendur shqiptarët. Por me përqindje shumë të ndryshme. E majta dhe e djathta sillen si shkak-pasojë të njëra-tjetrës duke ndikuar tek njëra-tjetra dhe duke denatyruar rolin e njëra-tjetrës.

Në demokraci, qeverisja duhet të jetë normalisht problemi, por nga momenti që opozita u vetëpërjashtua nga sistemi, ajo vetë u shndërrua në një problem për t’u zgjidhur. Problemet zgjidhen me zgjedhje dhe këtë e thotë çdo manual fillestar i demokracisë, që periodicitetin e tyre e ka tabu të paprekshme. Por opozita i bojkoton edhe ato. Nga frika se do të vidhet vota. A thua se gjithë shpura socialiste e akuzuar për akte të tilla, nuk ka siamezët e saj identikë në PD, LSI apo PDIU, a thua se banditët mavi nuk kanë veshur e zhveshur sipas nevojës së tyre, fanelat e gjithë spektrit politik në vend, për turpin e të gjithë spektrit politik vendas dhe si një mëkat i shtrirë mbi të gjithë.

Kujt i duket se po luhet akti i parë i një drame të re në Tiranë, mjafton të rikujtojë deklaratat e socialistëve në dimrin e 2011-ës apo dhe të 2013-ës për të kuptuar se frikërat e Bashës sot janë identike me ato të Ramës dje, se makthet e Palokës për votën nuk ndryshojnë nga ato të Taulantit për votimin, se alarmet e Flamurit nuk kanë diferencë nga ankthet e Pandit të ish-opozitës, e kështu me rradhë, kur secila Albanë, Joridë e Gridë nga një anë, ka Elisën, Blerinën apo Likën e anës tjetër.

Eshtë Shqipëria e sotme një diktaturë nën Edi Ramën apo ka qenë e tillë dje me Sali Berishën? Vështirë të thuhet një gjë e tillë sa kohë që “diktatori” i rradhës lutet për votim dhe vetë opozita tenton të shmangë votimin. Normalisht duhet të ishte e kundërta, por në rendin e gjithë ngjarjeve të kthyera kokëpërmbys në Shqipëri, edhe ky është një detaj më shumë që plotëson puzzle-n qesharak të absurdit të madh. Ndaj të gjithë në Tiranë, që nxitojnë të meren me pasojën, e kanë shumë të vështirë të kuptojnë se cili është shkaku real i krizave të paprera politike në vend. Që të kuptohet një gjë e tillë, nuk duhet shumë mençuri. Duhet vetëm pak pafajësi fëmije që të kuptohet se agallarët meskinë dhe bejleruçinat provincialë të politikës shqiptare janë tëresisht lakuriq. Njëlloj si në përrallën e famshme të Andersenit. Por me një ndryshim fatal: përrallat kanë zakonisht fund të lumtur dhe të mirët fitojnë gjithmonë. Në realitetin shqiptar, të paktën deri më tani, të këqinjtë, hipokritët naivë dhe budallenjtë e padobishëm, horrat e rrugës që tentojnë të sillen si zotërinj në zyra dhe zotërinjtë që sillen me rregulla rruge janë ngjitur lart dhe kanë mbetur lart duke i zgjatur jetën njëri-tjetrit. Qoftë kur betohen për luftë, qoftë kur vendosin të bëjnë paqe me njëri-tjetrin. (Java News)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • www.youngtribune.com: 30/06/2019 04:33

    Me mire nje opozite e re te matet kundra kesaj pozite sesa po ajo opozite deshtake

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Kristen Stewart është gati të ketë një fëmijë më të fejuarën e saj

Kristen Stewart është gati të ketë një fëmijë më të fejuarën e saj