KORÇË – Një foshnje 4 muajshe ka ndërruar jetë natën e Krishtlindjeve për shkak të kushteve të mjerueshme të banesës ku ajo dhe familja jetonin.
Kështu, mbrëmjen e 24 dhjetorit, vajza më e vogël e familjes Shaka, në Zvezdë të Korçës nuk i ka mbijetuar dot sëmundjes që sipas mjekëve kishte prekur aparatin e saj respirator, për shkak të kushteve të këqija të shtëpisë.
Fëmija i mbetur i familjes Shake, një djalë 18-muajsh, fle i mbështjellë kokë e këmbë me batanije. Megjithëse në dhomë ka zjarr, nuk mund ta përcaktosh nëse të ftohtët me temperatura nën 0 gradë celsius e përballon më lehtë jashtë banesës së familjes Shake apo brenda asaj që mund të quhet shtëpi. E gjithë banesa është një farë dhome e izoluar, e ndërtuar me disa lloj tullash prej betoni dhe që nuk ruajnë kurrfarë nxehtësie.
Por, më shumë se sa dhimbja për humbjen e kësaj fëmije, për familjen Shake ka qenë shqetësim gjetja e të hollave për kryerjen e varrimit të saj. Gjyshi i saj, Sulejman Shake, tregon se ka hyrë në borxh për të varrosur vajzën katërmuajshe të djalit të tij, Nazmiut. Vetëm që të dërgonte për në banesën e fundin mbesën e tij katërmuajshe, i është dashur të kërkojë ndihmë dhe të mëshirohet nga kryeplaku i fshati dhe komuna Pojan, duke i kërkuar lëmoshën më të rëndë të jetës së tij: të holla për të mos lënë pa varrosur këtë foshnjën që vdiq nga të ftohtët.