Ja edhe dokumenti:
AQSH. Fondi 152. Viti 1929. Dosja 514
“Mbretnija shqiptare
Prefektura e VLORES
VLORE
N. 9356/III
Vlore 2/II/1929
P.T.
Ministrise se P. te Mbrendshme
(Sek. Pergjithshme)
Tirane
Pergjigje shkteses Nr. 6174 D. 10/XII/28
Kemi nderin te ju njoftojme se për gjatë kësaj kohe, Titullari i kësaj Prefekture personalisht u interesue për hartimin e skicave si të varrit qi do të bahet në Kaninë ashtu dhe të Monumentit të Ndyrit Ismail Kemal Bej Vlonës, i cili do të vehet në Sheshin e Flamurit të këtij Qyteti, po n’at vend ku në vjetin 1912 i Ndyri pati ngrehun Flamurin Kombtar për të parën herë.
Mbasi qi këtu nuk ka skulptor dhe arkitekt u shtrenguem qi me anë të ingjinierve si të Bashkisë ashtu dhe atyre të privatve e të shoqninave të huja të pregatisim skicat, të cilat me pako të posaҫme si mbas deshirës dhe urdhnave të Nalt Madhnisë së TIJ për pelqim paraqiten asaj P.T. Ministri.
Shtojm se per shpenzimet e monumentit qi do ngrehet ne qytet, jemi te mejtimit qi të ju dahet Bashkinave të Shtetit të cilat do të jenë në gjendje të paguejn nji perqindje në proporcion të budgeteve të tyre nji shumë të hollash prej Fr. ari 20000.
Kjo shumë do të jetë vetëm për monumentin; sa për varrin do të ҫilet kredija nga fondet qi din ajo P.T. Ministri.
Siҫ do të shifet nga skicat relative se për varrin, qi do të bahet në Kaninë janë dy kopje, njëra me germën (A) mund të kushtojnë 1000 (njimie) napoliona, mbasi qi kjo do të ketë ma tepër gur mermeri ku i ka dhanë shënim dhe me Nr. I me ngjyrë të kuqe.
Numrat 2-3-4- jane gur artificial ҫimento etj. siҫ kemi ba shenimet në nji liste të veҫante e cila bashkanjitet.
Germa (B) mund te kushtoje ma pak, mbasi qi do të kena ma pak mermer e ma shum gur artificial, ҫimento e tjerë.
Këto ҫmime nuk janë ekzakte, por janë parapa në nji menyrë aproksimative.
Monumenti qi do të bahet në sheshin e flamurit mund të kushtojnë aproksimativisht 1000 napoliona se fytyra e trupit t’Ismail Kemal Beut qi do të vehet mbi monument do të jetë prej bakerrit dhe do të shemblleje përgjithësisht fotografisë së tij dhe lypset të bahet prej nji skulptori me eksperiencat e nevojshme.
Shpresojm se këtu nga ingjinieret e huej qi gjinden do t’a marrin në sipërmarrësi; n’asht se do të pëlqehen ofertat e tynë dhe në raste të kundërt duhet qi t’angazhohet nji njeri kompetent për kompletin si të varrit ashtu dhe të monumentit.
Me nderime
Prefekti
(firma)
Në atë kohë në Vlorë ka qenë prefekt Abedin Nepravishta.
Se si u projektua dhe u ndërtua varri i Ismail Qemalit në Vlorë dhe se si u kjrijua statuja e “Flamurtarit”, e ka shkruar në kujtimet e veta autori i veprës, Odise Paskali. Në “Gjurmë jete”, botuar në vitin 1986, tek “Varri i Ismail Qemalit”, Paskali shkruan:
“Varri i Ismail Qemalit u përurua më 28 Nëntor 1932 nga ministri i Arsimit, poeti Hil Mosi, i cili e shpalli monument nacional. Flamurtari në kostum kombëtar përfaqëson popullin të vetëdijshëm që bën rojë pranë varrit të atdhetarit të madh, i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dorë flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë.
Kokën e Flamurtarit e punova njëkohësisht me statujën dhe dëshira ime ishte që të realizoja një tip labi. Një ditë, mbas vendosjes së statujës pashë në pazarin e Vlorës një fshatar që i përngjiste krejt Flamurtarit dhe më erdhi mirë.”
E ka shkruar fare thjeshtë, ndoshta për të lënë krijimin të shprehet me madhështinë e vet. Por, a i ka thënë të gjitha, të gjitha hollësirat që i duhen historisë së artit? Studiuesit kërkojnë, duke hyrë edhe në kapilarët që ushqejnë të tërën, për ta krijuar atë.
Një njoftim interesant është dhënë me 6 shkurt 2012 në gazetën “TRIBUNA”, që botohet nga shqiptarët në Greqi. “Statuja e Flamurtarit në Vlorë. Labi që pozoi për Odhise Paskalin”, titullohet shkrimi i Harilla Koҫit. Duke u bazuar në kërkimet e studiuesit vlonjat Agim Hametaj, autori tregon disa hollësi, që i ka mësuar nga biseda me të bijën e Paskalit. Disa javë mbas qëndrimit në Vlorë, ku kishte shkuar për punën e monumentit të Flamurtarit, Odiseja pa në rrugë një fshatar rreth tridhjetë vjeҫ, lab tipik, që i bëri përshtypje të menjëherëshme dhe që e zgjodhi për model. Që lexuesi të mos lodhet duke kërkuar origjinalin e gazetës, po e kopjoj fjalë për fjalë atë pjesë të shkrimit, që na intereson. Ja se ҫfarë thuhet.
“Statuja e Flamurtarit mbi varrin e Ismail Qemalit në qytetin e Vlorës, realizuar nga Odise Paskali, e ka një model. Stauja nuk është thjesht produkt i fantazisë së skulptorit të shquar, që e realizoi atë në vjeshtën e vitit 1932, në kuadrin e 20 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Për realizimin e saj, Paskali ju referua një njeriu konkret, madje një fshatari krejt të panjohur e të varfër nga fshatrat e Labërisë së Lumit të Vlorës, që pozoi për të. Kjo anë e një prej punëve më të njohura të Paskalit, ka mbetur gjithashtu e panjohur deri vonë.
Studiuesi vlonjat, Agim Hametaj, ka mundur të hedhë dritë mbi këtë fakt, duke sjellë për opinionin një të vërtetë që ai e ka zbuluar përmes vajzës së skulptorit… Hametaj zbulon për lexuesit të gjithë historinë që startoi një mesditë të vjeshtës së vitit 1932, në një nga rrugët e qytetit të Vlorës. Odise Paskali kishte mbërritur në këtë qytet për të realizuar një statujë në varrin e pritshëm të Ismail Qemalit, një projekt që do të financohej nga qeveria e kohës…
…Pak javë pasi kishte mbërritur në qytet, në një nga rrugët e tij ai takon një të ri rreth te 30-ave. Ishte një lab tipik, në staturën e të cilit spikaste krenaria e krahinës nga e cila vinte. “Labi, një fshatar nga Lepenica, me veshjen e atyre anëve me fustanellë, kishte ardhur në Vlorë për të blerë drithë”, tregon Hametaj. Teksa lëvizte me thesin me drithë në krahë, Paskalit i bëri përshtypje fiziku i tij i fuqishëm dhe pamja kreshnike, si edhe krenaria e tij që reflektonte prej së largu. E ndjeu se gjeti atë që kërkonte prej javësh. Ju afrua dhe i kërkoi të ndalonte. “Sa bën ky thes me drithë që ke në krahë?!, e pyeti. “1 lek”, përgjigjet djaloshi, duke vështruar i pasigurtë njeriun që kishte përballë. “Të jap 3 lekë, a vjen të pozosh në studion time?!”, vijoi këmbënguljen e vet skulptori i shquar.
Bashkëbisedimi në rrugë nuk zgajti shumë. Brenda pak minutash ranë në ujdi. I riu nga Lepenica, një fshat rreth 35 km në juglindje të Vlorës, u strehua në banesën e qytetarit të njohur vlonjat, Naun Lëngu, shumë pranë qendrës së qytetit, atje ku ishte vendosur edhe vetë skulptori. Kjo banesë, që njihet edhe si vendi ku qëndroi për disa muaj patrioti Isa Boletini në vitin 1912, kur mbërriti në Vlorë në mbrojtje të Qeverisë së Pavarësisë, shërbeu si studioja ku u projektua modeli i Flamurtarit…
Për 10-12 ditë, skulptori i shquar dhe labi krejt anonim, emri i të cilit mbetet i panjohur, qëndruan ballë për ballë. Kjo, deri në momentin që Paskali realizoi atë që duhej… Ndërkohë miqësia mes skulptorit dhe labit, vazhdoi edhe më pas. “Sa herë që vinte në Vlorë, Odise Paskali do të ngjitej drejt fshatit Lepenicë, për të vizituar në stanin e vet, mikun e tij, labin që shërbeu si model për statujën e Flamurtarit.”
Përse nuk e ka botuar këtë enigmë Paskali? Cila është arsyeja? Dhe pse ka mbetur i pa ditur emri i fshatarit që pozoi për të mbetur në përjetësi i modeluar në bronz? Kaq e vështirë është të shkohet në Lepenicë dhe të pyetet atje? Ndoshta, të shtyrë nga kureshtja e papërballueshme edhe e kane bërë. Dikush duhet ta dijë. A nuk do të ishte një detyrim qytetar për të plotësuar një histori me më shumë vlerë, se sa për historinë e artit? Veҫse në se ekziston ndonjë amanet…
Sidoqoftë më tërhoqi me vrull emri i pronarit të shtëpisë, ku u strehua Paskali dhe modeli i tij. Naum Lëngu është burri i hallës time, Poliksenit, vajza e dytë e Kol Stamatit nga Durrësi, e martuar në Vlorë. Kam kaluar muaj të tëra në atë shtëpi, e njoh mirë që në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Ata kanë kohë që nuk jetojnë, por kanë lënë një vajzë, Fillomillën. I shtyrë nga kureshtja e natyrshme e pyeta për këtë episod. “Po”,-tregoi ajo. “Në atë kohë unë kam qenë e vogël dhe mësoja në Tiranë, por kam ndëgjuar nga gjyshja, Varvara, (Varvara ishte e ëma e Naumit), që të përmendëte se në shtëpinë e tyre ishte strehuar Paskali. Madje fliste edhe për një malësor në kohëra të mëparshme… Kujdeseshin për të. Në kohën e Zogut na vinin për vizitë me 28 nëntor autoritete nga Bashkia e Vlorës. Na thonin se shtëpia jonë është shtëpi historike, na porositnin që ta ruanim dhe të mos e ndryshonim.” Madje ajo shtoi se edhe shtëpia ngjitur me të tyren, ku ka banuar Jani Minga, është ndërtuar në truallin e një toke, që i dhuroi Naum Lëngu.
Shtëpia ndodhet mbrapa Monumentit të Pavarësisë. Adresa është e thjeshtë: Lagja “Varosh”, Rruga “Liria”, Nr. 4. Është një shtëpi dy katëshë, me një baҫe përpara. Pemët e dëndura i a mbulojnë disi pamjen. Në se do të flasim për arkitekturën e saj, ajo është fare e thjeshtë dhe nuk ndryshon nga tipi i këtyre lloj banesave në Vlorë. Dy dhoma poshtë, dy lart, koridoret, shkallët prej druri dhe lart, në ҫati, një dhomë e vogël dhe e ulët. Ishim të rij, sapo kishim kaluar moshën e kalamanit. Nuk na linin të shkonim atje. Ne ngjiteshim fshehurazi. Që andej shihej deti. Dhe tani, më kujtohet fare trubullt, por jo si fanitje, që një herë halla më ka pas thënë se në atë dhomë ka banuar një njeri i madh, ishte Isa Boletini…
Mirëpo në moshën trembëdhjetë vjeҫare njeriu nuk pyet për kuriozitete historike!
Sot dhoma e ҫatisë nuk ekziston më. Tërmeti i vitit 1962 e dëmtoi shumë shtëpinë. Muret prej guri u hapën në mënyrë të frikshme. U dertyruan t’i ribënin. Dyshemetë u kthyen në soleta betoni. Dyert dhe dritaret e kalbura u zëvendësuan me të reja, madje u zmadhuan. Sot ka mbetur e pa ndryshuar vetëm planimetria dhe deri diku imazhi i përgjithshëm i pamjes së jashtme. Një pëllëmbë dore e gdhendur në gur vihet re në një qoshe.
Herë-herë shtëpia merr meritat e pelegrinazhit. Vizitorë, sidomos nga trevat shqiptare të ish Jugosllavisë, afrohen pranë saj, qëndrojnë dhe e vëzhgojnë, duke thënë se ata e dinë se në këtë shtëpi ka banuar Isa Boletini…
Në cilën prej dhomave janë strehuar personazhet e “Flamurtarit”? Të zotët e shtëpisë kanë banuar gjithmonë në katin e dytë. Atëhere Paskali dhe modeli i tij duhet të kenë qëndruar ose në katin përdhes, ose në dhomën e ҫatisë.
E tani, në fund, do tua lë të gjithë atyre që dëshirojnë të futen më thellë në këtë ҫështje, punën e fondit të premtuar nga Zogu për monumentin, në se ishte rrjedhojë e planifikimeve të Prefekturës së Vlorës, apo në se Paskali pati bëri një kërkesë të pavarur.
(aq/shqiptarja.com)