Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe deputeti i saj, Robert Bitri ishin sot në Marinzë të Fierit për të parë nga afër situatën e krijuar pas shpërthimeve të dy puseve në zonën naftëmbajtëse.
Vasili pasi pa nga afër puset e administruara nga kompania "Bankers Petroleum" u tha banorëve se duhet të merren masa urgjente për zhdëmtimin e tyre në masën 100%. Deputeti Bitri në një prononcim për mediat u shpreh se banorët e Marinzës u përballën me një katastrofë dhe se kompania që administron puset do të mbajë përgjegjësi për ngjarjen.
"Banorët e Marinzës u përballën me një katastrofë të vërtetë dhe në momentin që flasim ata nuk e dinë ende se si do të dëmshpërblehen. Sigurisht, banorët duhet të dëmshpërblehen në masën 100% për dëmet që i janë shkaktuar. Kompania "Bankers Petroleum" do të mbajë përgjegjësi të rëndë për këtë katastrofë", u shpreh Vasili.
Gjithashtu, sipas deputetit të LSI-së, Ministria e Energjisë dhe Industrisë është e vonuar në zbardhjen e situatës së krijuar, ndërsa kërkoi kryerjen e transparencës së plotë. Vasili theksoi se ministria duhet të përgatisë një plan për të ardhmen e kësaj zone.
"Ministria e Energjisë dhe Industrisë është e vonuar në zbardhjen e situatës. Ne do të këmbëngulim në zbardhjen e së vërtetës, pasi duhet transparencë e plotë. Ky dikaster duhet të përgatisë planin për të ardhmen e kësaj zone", tha ndër të tjera në prononcimin e tij kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili./atsh/