Por këto zgjedhje sipas tij ishin fitore jo vetëm për mazhorancën, por dhe për mentalitetin qytetar të shqiptarëve. Lidhur me mosfunksionimin e koalicionit të majtë, Vasili shpjegon në një intervistë për “Shekullin” se do të ketë një analizë serioze, ndonëse sipas tij, elementet thelbësore në mënyrën e funksionimit dhe sa korrekt e luajal ka qenë koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Evropiane në terren, janë mjaft të qarta që tani,veçanërisht për bashkitë që nuk u fituan.
Zoti Vasili tani që ka përfunduar gara elektorale për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj si i vlerësoni zgjedhjet e 21 qershorit, procesin në tërësi?
Zgjedhjet e 21 qershorit janë një fitore e qartë e mentalitetit qytetar të të gjithë shqiptarëve, të cilët kanë zgjedhur pa asnjë ekuivok që të bëjnë zgjedhje të qeta dhe të refuzojnë tensionet artificiale dhe çdo gjë tjetër që do të prishte festën e votës së lirë. Nisur nga një realitet i tillë vlerësimi për to është tërësisht pozitiv si për sa i takon mënyrës së zhvillimit të tyre gjatë ditës së votimit ashtu edhe gjatë administrimit të mëtejshëm në numërim dhe nxjerrjen e rezultateve përfundimtare. Kemi hyrë pra në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e zgjedhjeve me standarde të larta të cilat po perfeksionohen pozitivisht nga një proces zgjedhor te tjetri.
Mazhoranca ka dalë bindshëm fituese nga ky proces, pritej një rezultat i tillë?
Që të jem i sinqertë, nuk jam aspak i surprizuar nga një rezultat i tillë dhe nuk do të isha aspak i surprizuar edhe sikur ky të ishte më i thellë se kaq. Nuk kishte asnjë premisë objektive që të kishte rezultate të ndryshme nga këto pasi dominimi politik dhe psikologjik i mazhorancës ishte i qartë dhe kontrastonte thellë me disfatizmin qaraman dhe mosalternativën e opozitës dhe liderit të saj.
Lëvizja Socialiste për Integrim në shumë bashki të mëdha ka dyfishuar votat në mbështetje të saj por ndërkohë kandidatët e propozuar nga LSI-ja në disa zona të njohura si bastione të së majtës kanë humbur. Pse mendoni se ka ardhur ky rezultat?
Lëvizja Socialiste për Integrim ka realizuar një rezultat të shkëlqyer, i cili ecën në rrugën e rritjes së vazhdueshme dhe të pandalshme të saj. Ky rezultat ka qenë vlerësimi konkret masiv i elektoratit shqiptar për politikën konkrete dhe të prekshme të LSI-së, e cila u qëndron larg patetizmave romantike elektorale të stërkonsumuara në këto 25 vjet në Shqipëri. Prirja jonë për të vënë gishtin në plagë dhe për t’u përgjigjur me alternativa halleve të përditshmërisë së familjes shqiptare është mirëkuptuar gjerësisht nga shqiptarët, të cilët janë ngopur deri në bezdi me ëndrrat elektorale të Shqipërisë imagjinare dhe të parealizueshme, të premtuara e ripremtuara pafundësisht në pluralizmin e tranzicionin agonik shqiptar. Vota për LSI-në ishte dhe do të jetë edhe në të ardhmen ndarja nga fjalët e mëdha dhe nga premtimet e pambajtura dhe përkushtimi ndaj fjalës së mbajtur.
Mendoni se ka raste kur ka çaluar bashkëpunimi me Partinë Socialiste?
Çdo garë elektorale kërkon një analizë serioze dhe komplekse gjë të cilën ne në LSI do ta bëjmë deri në fund, ndonëse elementet thelbësore të së cilës lidhur me mënyrën e funksionimit dhe sa korrekt e luajal ka qenë funksionimi i Aleancës për Shqipërinë Evropiane në terren, janë për ne mjaft të qarta që tani,veçanërisht për bashkitë që nuk u fituan.
Gara për Tiranën nxori fitues kandidatin Erjon Veliaj, por ndërkohë votat për të janë më pak se votat për koalicionin e majtë. Si e shpjegoni këtë fakt?
Është e rëndësishme që gara për Tiranën përfundoi me sukses për Aleancën për Shqipërinë Evropiane dhe që Erion Veliaj, si përfaqësues i kësaj Aleance, është kryetari i bashkisë së Tiranës për t’i dhënë fund një herë e mirë parazitizmit bashkiak që i mori frymën Tiranës dhe për të hapur një rrugë të re dinamike zhvillimi, për një metropol i cili për nga përmasat është një realitet tepër i rëndësishëm që ndërtohet për herë të parë si i tillë në Shqipëri. Sa i takon asaj që ju pyesni, kam vetëm një të dhënë shumë të saktë që e gjithë vota e LSI-së ka qenë në drejtimin e duhur për kandidatin Veliaj, por besoj, që ky është një normalitet politik tashmë i njohur nga të gjithë dhe për këdo në LSI, e cila në të gjitha garat për bashkinë e Tiranës që nga 2007-a kur kandidonte Edi Rama dhe ku ajo ka marrë pjesë dhe asnjëherë nuk ka pasur kandidatin e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbështetur kandidatët me të cilët ka bërë aleancë dhe vota e saj ka qenë përcaktuese për fitoren e tyre.
Do të ketë një analizë për të nxjerrë përgjegjësit në ato zona ku kandidatët e LSI-së kanë dalë humbës apo dhe më gjerë, ku votat për koalicionin nuk përputhen me votat për kandidatin çka tregon se diçka nuk ka funksionuar si duhet?
Analizat e rezultateve zgjedhore janë pjesë e natyrshme e politikës dhe pa to politika nuk mund të nxirrte konkluzione të drejta dhe të pjekura. Por sa i takon konkurrimit të kandidatëve që ishin përfaqësues të ASHE-së dhe jo më të forcave politike që patën të drejtën e propozimit dhe veçanërisht të rasteve ku ata nuk fituan, besoj se jemi që tani të qartë e të kthjellët për shkaqet dhe shkaktarët.
Zgjedhjet vendore treguan se mbështetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim është rritur ndjeshëm. Do të rritë kjo pretendimet e LSI-së në qeveri?
Lëvizja Socialiste për Integrim është rritur ndjeshëm dhe kjo rritje do të vazhdojë, sepse shqiptarët kërkojnë freski dhe dinamikë në politikë dhe detyra jonë si LSI është të vazhdojmë pa u lodhur në këtë proces rritjeje që shëndosh e freskon të majtën dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndërtimi i një Shqipërie sa më të qetë dhe që punon është ky objektivi ynë politik.
Zoti Vasili ndërsa në përgjithësi duket se mazhoranca i ka cilësuar si arritje këto zgjedhje, raporti paraprak i OSBE/ ODHIR kishte mjaft kritika, jo vetëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por veçanërisht për partitë politike. Keni një koment për këto vlerësime?
Vlerësimin shumë të madh për zgjedhjet e kanë bërë vetë shqiptarët, testoni po të doni ata se ç’mendojnë për zgjedhjet! Pyetini a ishin shumë më të qeta, a ishin pa përplasje, a u numëruan shpejt votat dhe pa kontestime dhe përgjigjja do të ishte një “po” e madhe. Zgjedhjet janë për shqiptarët dhe janë ata që duhet të ndihen mirë dhe të qetë në momentin që zgjedhin pushtetarët e tyre vendor apo qendror qofshin, nëse ata ndihen mirë dhe të qetë dhe nuk kanë asnjë dyshim se vota e tyre u tjetërsua atëherë mund të themi se zgjedhjet ishin ato që na duheshin. Shqiptarët u ndjenë të tillë. Çdo vërejtje për përmirësim është e mirëpritur, por kjo nuk i lëviz asgjë thelbit të pozitivitetit të zhvillimit e administrimit të tyre.
Faktori ndërkombëtar, kam parasysh deklaratat e zotit Kukan apo komisionerit Knut Fleckenstein, ishin pozitive për procesin, por dekriminalizimi cilësohet si minus në këto zgjedhje. Kush ka përgjegjësi për mosarritjen e një konsensusi para 21 qershorit për dekriminalizimin?
Opozita. Është kaq direkte përgjigja ime, sepse është opozita penguesja e drejpëdrejtë e këtij procesi ndërkohë që mazhoranca ka ofruar hapësira pa fund dhe kompromise të panumërta. Sjellja e opozitës ndaj dekriminalizimit ka qenë thjesht dhe vetëm një gomë shpëtimi të cilën opozita e fryn dhe e ç’fryn sipas sikletit politik të humbjes së radhës. Opozita nuk beson te dekriminalizimi aspak, nëse do të besonte si mund të ndodhte që ajo flamurtarja e këtij procesi do të propozonte kandiatë për zgjedhjet lokale me rekorde kriminale ndërkohë që po vetë çirrej e ulërinte për të tjerët? Sinqerisht, lidhur me këtë çështje opozita është bërë vërtet qesharake dhe e pabesueshme, me fjalë të tjera, duhet të gjejë patjetër një komardare tjetër që ta fryjë në shtator me hapjen e sesionit të vjeshtës dhe ta shfryjë në prag të zgjedhjeve të 2017-s ku do bëhet gati për humbjen e radhës.
Dhe një pyetje të fundit, ndarja territoriale dhe kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit janë garanci për një menaxhim më të mirë të qyteteve?
Unë si një prej anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Reformën Admistrativo- Territoriale, besoj shumë te modeli i ri i administrimit të pushtetit lokal në Shqipëri dhe praktikisht nuk kishte asnjë rrugë tjetër më efikase dhe racionale se kjo. Duhen sigurisht plotësime të mëtejshme dhe këmbëngulëse të kuadrit ligjor për një funksionim sa më të mirë të tij, por mendoj se hapi më i madh dhe i vështirë politik u hodh në 21 qershor me zgjedhjet që sapo u mbajtën me sukses të plotë.
21 qershori, LSI-ja forcë e parë në 11 bashki
Aleati kryesor i socialistëve ka mundur të dalë forcë e dytë edhe në bastionin e së djathtës në Shkodër, pavarësisht influencave të deputeti Doshi
Rezultatet e fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxjerrin Lëvizjen Socialiste për Integrim si forcë të parë në Skrapar dhe Dropull ku ka siguruar plot 10 këshilltarë por edhe në Fushë-Arrëz, Pukë, Delvinë, Klos, Krujë, Peqin, Këlcyrë, Memaliaj dhe Përmet. Ndërkohë që LSI-ja ka mundur të sigurojë vendin e dytë në renditjen e partive edhe në qarkun e Shkodrës i njohur si bastion i së djathtës por edhe nën influencën e lartë të ish-deputetit socialist Tom Doshi, i cili edhe pse ishte pro kandidates Keti Bazhdari, deklaroi hapur se do të punonte kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duket se LSI-ja ka dalë fituese në këtë betejë më deputetin e Shkodrës.
Qarku Shkodër ka në përbërjen e tij 5 bashki, në të cilat Partia Demokratike doli forcë e parë politike në rang këshilltarësh, Lëvizja Socialiste për Integrim e dyta dhe Partia Socialiste si forcë e tretë. Një tjetër qytet verior, Kurbini i ka siguruar Lëvizje Socialiste për Integrim 7 këshilltarë po aq sa Partisë Socialiste ndërkohë që me numër të barabartë këshilltarësh, nga 5 secila, PS-ja dhe LSI-ja kryesojnë edhe në Malësinë e Madhe ku Partia Demokratike ka mundur të marrë vetëm 3 këshilltarë. Mati dhe Devolli u ka dhënë mbështetje të njëjtë 3 partive kryesore, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike por edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duke u siguruar përkatësisht 3 dhe 4 këshilltarë secilës.
Ndërkohë që në Kamzë LSI-ja ka lënë pas dhe Partinë Socialiste duke siguruar 9 këshilltarë nga 8 që ka marrë PS-ja. Edhe në Vorë ku beteja ishte mjaft e ashpër, LSI-ja është renditur si forcë e dytë me 6 këshilltarë nga 7 që ka Partia Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim ka lënë pas demokratët edhe në bashkinë e madhe të Durrësit ku me 13 këshilltarë është renditur si forcë e dytë politike pas aleates së saj, Partisë Socialiste. Mbështetja e durrsakëve është konsideruar si mjaft e rëndësishme edhe nga kreu i LSI-së, Ilir Meta i cili deklaroi dy ditë më parë se në këtë qark partia që ai drejton ka arritur të ketë mbi 22 mijë vota, 3-fishin e atyre të siguruara në vitin 2013.
Ndërkohë që në rang vendi koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Evropiane kryeson bindshëm në 59 këshilla bashkiakë nga 61 të tillë. E djathta është fituese vetëm në Shkodër dhe në Vaun e Dejës, ndonëse Partia Demokratike rezulton të jetë parti e dytë për numër votash në rang vendi. Koalicioni i majtë ka marrë 63.48 për qind të votave e përkthyer në numër votash ka marrë 989.072 vota ndërsa koalicioni i djathtë ka marrë 32,46 për qind të votave ose 505.795 vota.
*Marre nga gazeta Shekulli
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)