Lajmi i publikuar nga DW, se vendimi për hapjen e negociatave do të shtyhet në shtator, ka sjellë reagime të shumta nga partitë politike në Shqipëri. Pas PD, edhe LSI ka bërë fajtor kryeministrin Edi Rama, sipas së cilëve është shkaktari kryesor. Në një reagim nga selia, numri dy i LSI, Petrit Vasili është shprehur se nga ky vendim ka humbur Edi Rama dhe jo Shqipëria.
"Shqiptarëve nuk do t’i hapen negociatat në qershor. Nga Samiti i Berlinit përgjigja ishte shumë e qartë. Ky është një moment absolutisht shumë delikat, shuam i vështirë dhe dramatik për vendin. Sërish Shqipëria humbet orën dhe datën, praktikisht humbet trenin e Europës dhe kjo ka vetëm një shkaktar, një fajtor dhe një përgjegjës. Ky është kryeministri Edi Rama dhe rilindja e tij.
Sot sërish në vend të reflektimit të thellë, të përgjegjshëm, kokulur të Edi Ramës, nga kuvlia e tij në Tëitter, praktikisht kukuvajka e shqiptarëve, pasi vetëm lajme të zeza vijnë prej tij, u mundua t’ia hedhë fajin shqiptarëve dhe të identifikojë veten e tij me Shqipërinë. Por sot është koha që të ndajmë me shqiptarët përfundimisht një gjë shumë të qartë. Sot nuk ka humbur Shqipëria. Sot ka humbur Edi Rama dhe politikat e tij thellësisht të gabuara dhe regresive. Sot nuk ka humbur as Shqipëria dhe as Kosova, por Edi Rama dhe Rilindja e tij, që u munduan të gatuanin një dialog kundër Kosovës dhe tërësisë së saj territoriale, sepse e vërteta është që do të vazhdojë por mbi premisa të reja politike, parimore ku si yll ndriçues, yll polar do të ketë integrimin evropian dhe do të ketë paprekshmërinë e territoreve të shenjta të Kosovës së martirizuar për ato territore. Sot nuk ka humbur Shqipëria por është ndëshkuar përfundimisht korrupsioni i shfrenuar i Edi Ramës edhe Rilindjes. Sot nuk ka humbur Shqipëria por ka marrë një grusht ballor kriminalizimi i votës së lirë dhe i ekonomisë nga Rilindja e Edi Ramës. Sot nuk ka humbur Shqipëria por politika e jashtme antishqiptare dhe anti-integrim e Edi Ramës. Nuk mund të harrojnë shqiptarët që sot nuk kanë humbur ata por mashtrimet e Edi Ramës i cili pacipësisht një vit më parë deklaroi, po e citoj fjalë për fjalë çka ka thënë një vit më parë pikërisht në 29 qershor 2018 :
Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar! Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë! Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon! Ky ka qenë mashtrimi i pacipë, me të cilët Edi Rama u përball me shqiptarët për të fshehur dështimin e tij, një dështim që peshon mbi të gjithë shqiptarët, por që përfundimisht shqiptarët e kanë shumë të qartë që sot kanë vetëm një pengesë, kanë vetëm një armik, kanë vetëm një kundërshtar në rrugën e Integrimit Europian dhe ai ka vetëm një emër është Edi Rama dhe Rilindja e tij. Prandaj shqiptarët në çdo rrugë dhe në çdo shesh do të protestojnë kundra kësaj pengese, për të hapur rrugën e Europës, rrugën e lirisë, rrugën e zhvillimit, të ekonomisë, të punësimit dhe të mirëqenies, do të protestojnë gjithashtu edhe për vëllezërit tanë në Kosovë, të cilët penalizohen nga politikat e Edi Ramës. Pasi skeptikët Europian paraqesin politika shumë të gabuara të Edi Ramës që mundësuan, detyruan, imponuan një emigracion të shfrenuar, rritje të azilkërkuesve dhe kjo penalizon ata dhe i bën të jenë skeptikë edhe për ti dhënë liberalizimin e vizave aq të shumëpritur dhe të mirëpritur të vëllezërve tanë në Kosovë. Prandaj të gjithë së bashku qytetarë për të hequr këtë pengesë të fundit për rrugën tonë drejt integrimit që quhet Edi Rama dhe qeverisja e tij, për veten tonë, për shqiptarët, por edhe për vëllezërit tanë në Kosovë", u shpreh Vasili.