Pas ndërhyrjeve nga toka dhe ajri, flakët në masivin pyjor të Ribanit në Mallakastër janë vënë nën kontroll. Zjarri, i favorizuar nga era e fortë, u përhap me shpejtësi dhe rrezikoi përkohësisht disa banesa të zonës.

Deputeti i PS për Mallakastrën, Klevis Jahaj, në një lidhje live për Report Tv, deklaroi se situata tashmë është e qetë dhe po monitorohet nga forcat zjarrfikëse.

"Situata aktualisht paraqitet e qetë dhe është nën monitorim nga forcat zjarrfikëse të Bashkisë Mallakastër. Ka përfunduar ndërhyrja si nga ajri, ashtu edhe nga toka, me mbështetjen e forcave zjarrfikëse që erdhën në ndihmë. Gjatë natës do të vijojë monitorimi, ndërsa në mëngjes operacioni do të vazhdojë për shuarjen e plotë të vatrave. Nuk ka rrezik për jetën e banorëve apo për banesat", tha deputeti Klevis Jahaj.

Momenti më kritik ishte kur flakët iu afruan zonës së banuar, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa familje, të cilët pas rrezikut u rikthyen në shtëpitë e tyre. Policia ka nisur hetimet për të verifikuar dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.

Policia po heton edhe dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme. Zv.drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Taulant Gjoka, tha se janë shoqëruar në komisariat disa persona. Në Mallakastër ndërkaq sot u arrestua 54-vjeçari Ardian Xhafo, i dyshuar për zjarrin në zonën "Qafa e Vidhit".  Ai u kap pranë vatrës së zjarrit dhe u vu në pranga pasi dogji 400 rrënjë ullinj.

"Kemi shoqëruar disa persona në komisariat me të cilët po kryhen veprimet hetimore për të grumbulluar të dhënat me interes për hetimin dhe sqaruar statusin e tyre lidhur me dyshimet e arsyeshme që mund të ketë për një zjarrvënie të qëllimshme", tha për mediat  Zv.drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Taulant Gjoka.

Terreni i thyer dhe era e fortë e vështirësuan izolimin e zjarrit, i cili përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha të vjetra dhe bimësi të dendur.

Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, tha se strukturat vendore kanë qenë në terren që prej orëve të para të mëngjesit. Sipas tij, në operacion janë bashkuar vullnetarisht edhe dy turistë, një nga Gjermania dhe një nga Kroacia, të cilët janë zjarrfikës vullnetarë në vendet e tyre dhe kanë ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, situata mbetet problematike edhe në qarkun e Elbasanit, ku dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive, në fshatin Shqiponjë të Prrenjasit dhe në fshatin Dardhë të Librazhdit. Një tjetër vatër e madhe vazhdon të jetë aktive në zonën e Nivicës, në bashkinë Himarë, ku era dhe terreni i vështirë po pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë regjistruar 20 vatra zjarri. Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 727 forca operacionale, 128 efektivë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse, një autoambulancë dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:29
Zjarri në Riban të Mallakastrës rrezikoi banesat, deputeti i PS për Report Tv: U tejkalua rreziku për jetët e njerëzve dhe djegien e pronave të tyre! Ndërhyrja nga ajri është ndërprerë

Klevis Jahaj, deputet i PS në Mallakastër, në një lidhje live për Report Tv ka zbuluar detaje nga operacioni për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit në fshatin Riban të Mallakastrës, ku u rrezikuan përkohësisht edhe disa banesa të zonës.

Jahaj tha se aktualisht situata paraqitet e qetë, pa rrezikshmëri për jetën e qytetarëve apo pronat e tyre dhe ka përfunduar ndërhyrja me helikopter nga ajri. Sipas deputetit socialist, deri ditën e nesërme, situata do të mbahet nën monitorim nga forcat zjarrfikëse të bashkisë Mallakastër.

“Situata aktualisht paraqitet e qetë, është nën monitorim nga forcat zjarrfikëse të Bashkisë Mallakastër. Ka përfunduar ndërhyrja qoftë nga ajri, qoftë nga toka nga forcat zjarrfikëse që kanë ardhur në gatishmëri për të mbështetur bashkinë Mallakastër në këtë situatë. Situata do të mbahet nën monitorim gjatë natës, për të vijuar sërish në mëngjes operacionin për shuarjen e plotë të flakëve. Nuk paraqiten rrezikshmëri për njerëzit apo banesat e tyre. Nuk janë 15 banesa që janë evakuar, por ishin 3 të tilla, që janë kthyer sërish pranë banesave të tyre, sepse është shmangur gjithë rrezikshmëria që mund të kishte për të rrezikuar djegien e pronës së tyre, qoftë edhe jetën e qytetarëve. Ky është një lajm i rëndësishëm”, tha mes të tjerash Jahaj.

Më tej ai theksoi se ndërhyrja nga ajri dhe toka do të vijojë sërish mëngjesin e ditës së nesërme, për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve.

Jahaj tregoi gjithashtu se në operacionin për shuarjen e flakëve u bashkuar edhe forcat zjarrfikëse të bashkive të tjera të qarkut Fier, por edhe zjarrfikës të Beratit e Cërrikut.

“Pavarësisht vështirësive që kishte situata, u shmangën të gjitha dëmet që mund të shkaktoheshin. Gjithsesi situata është nën monitorim dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, me ndërhyrje nga ajri dhe këmbësoria, që do të priten nga zjarrfikësja e Bashkisë Mallakastër, për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve. Forcat zjarrfikëse janë alokuar në 2 vatrat brenda pyllit. Sot zjarri nisi në orët e para të mëngjesit. Ka pasur një reagim shumë të shpejtë nga zjarrëfikësit e Mallakastrës, por edhe të bashkive të tjera të qarkut të Fierit. U bashkangjitën në operacion edhe zjarrfikësit e Beratit dhe Cërrikut. Ka pasur një ndërhyrje të menjëhershme nga emergjencat kombëtare civile, duke shmangur agravimin e situatës, por edhe mos-rrezikimin e jetëve të njerëzve dhe banesave që ishin përreth pyllit”, shtoi Jahaj.

Ora 19:39
Lanë pushimet për të luftuar flakët në fshatin Riban, kryebashkiaku i Mallakastrës falënderon dy turistët nga Gjermania dhe Kroacia (VIDEO)

Dy turistë, një nga Gjermania dhe një nga Kroacia, lanë pushimet dhe iu bashkuan operacionit për shuarjen e zjarrit në Mallakastër. Kryebashkiaku Qerim Ismailaj, i falënderoi publikisht për kontributin e tyre, duke bërë të ditur se të dy janë zjarrfikës vullnetarë në vendet nga vijnë dhe vendosën të ndihmonin forcat në terren në përballjen me flakët.

Ora 19:09
Zjarri në Mallakastër, reagon Policia e Fierit: Po hetohet edhe pista e zjarrvënies se qëllimshme, disa të shoqëruar në Komisariat (VIDEO)

Policia e Fierit po heton dyshimet se zjarri në Mallakastër mund të jetë shkaktuar qëllimisht dhe për këtë arsye disa persona janë shoqëruar në komisariat për t'u marrë në pyetje.

Zv.drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Taulant Gjoka, tha për mediat se në operacionin për shuarjen e flakëve në Mallakastër ka një angazhim të fortë institucional për të ndihmuar banorët e rrezikuar dhe neutralizuar flakët. 

"Ky është një operacion kompleks. Jemi të angazhuar të gjithë për të siguruar një perimetër sigurie dhe ndihmuar banorët e rrezikuar. Kemi shoqëruar disa persona në komisariat me të cilët po kryhen veprimet hetimore për të grumbulluar të dhënat me interes për hetimin dhe sqaruar statusin e tyre lidhur me dyshimet e arsyeshme që mund të ketë për një zjarrvënie të qëllimshme. U bëj apel qytetarëve të Fierit të tregojnë kujdes me mjedisin, zjarret dhe bashkëpunimin me forcat e Policisë" tha Gjoka 

 

Ora 19:00
Zjarri në Mallakastër, digjen 15 hektarë pyll, drejtori i MZSH: Situatë dramatike por asnjë banesë nuk është prekur! Do punojmë edhe gjatë natës nëse duhet! (VIDEO)

Të paktën 15 hektarë sipërfaqe me pisha mendohet se janë djegur nga zjarri në fshatin Riban të Mallakastrës, ndërsa flakët vijojnë të mbahen nën kontroll pas një ndërhyrjeje që ka zgjatur gjatë gjithë ditës dhe që detyroi autoritetet atje të evakuojnë 15 familje bashkë me bagëtitë dhe kafshët shtëpiake. 

Në një intervistë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara, përshkruan një situatë shumë të vështirë nga flakët masive, erës së fortë dhe temperaturave të larta dhe zotohet se beteja deri në neutralizimin e plotë të vatrës do të vijojë nëse duhet edhe gjatë natës. 

“Prej orëve të para të mëngjesit, bashkë me kryetarin e Bashkisë, nëndrejtorin e Policisë së Fierit dhe shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës, Patos, Fier, Berat, forcat e emergjencave civile dhe forcat vullnetare jemi duke luftuar me flakët në fshatin Rabin. Ka qenë një situatë shumë dramatike dhe e vështirë por ajo që kemi bërë është që kemi siguruar njerëzit dhe gjënë e gjallë dhe i kemi evakuuar. Asnjë nga banesat deri në këto momente nuk është prekur nga zjarri. Ka qenë një zjarr masiv i përmasave të mëdha, temperatura të larta me flakë që kanë përpirë hektarë me pisha. Me ndihmën e dy helikopterëve që kanë punuar për gjatë ditës, vatrën e zjarrit e kemi mbajtur të menaxhueshme brenda perimetrit. Do punojmë gjatë gjithë natës nëse është e nevojshme për eliminimin e plotë të saj.  Deri tani sipërfaqja e djegur mendoj që është diku tek 15 hektarë në mos më shumë., Kemi më shumë djegie sipërfaqësore se djegie të thellë. Ka agravuar si pasojë e erës. Me familjet do të merret bashkia për të bërë akomodimin e tyre. Banesat e tyre janë të paprekura” tha Cara 

Ora 17:21
Zjarrfikësit në terren, dy vatra zjarri mbeten aktive në qarkun e Elbasanit

Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarkun e Elbasanit, ndërsa shërbimet po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Njëra vatër ndodhet në fshatin Shqiponjë, në Njësinë Administrative Stravaj të bashkisë Prrenjas, ndërsa tjetra në fshatin Dardhë, në Njësinë Administrative Hotolisht të bashkisë Librazhd.

Forcat e angazhuara në terren po vijojnë punën për vënien nën kontroll të zjarreve.

Ora 17:06
Zjarr i madh në Nivicë të Himarës, era favorizon përhapjen e flakëve, zjarrfikësit në vendngjarje (VIDEO)

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka rënë në zonën e Nivicës, në bashkinë Himarë. Flakët janë favorizuar nga era, duke bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Terreni dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen e shërbimeve.

Lajmi në përditësim 

Ora 16:07
Zjarri në Riban të Mallakastrës del jashtë kontrollit, flakët rrezikojnë përhapjen në zona të tjera (VIDEO)

Për shkak të erës së fortë, vatra e zjarrit në Riban të Mallakastrës ka marrë përmasa të mëdha dhe ka dalë jashtë kontrollit, duke u afruar banesave të fshatit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë kurorat e pishave, duke rritur rrezikun e përhapjes së zjarrit edhe në Patos e Roskovec. 

Ndërkohë forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për neutralizimin dhe shuarjen e flakëve. Gjithashtu po punohet edhe nga ajri me helikopter për vënien nën kontroll të flakëve.

Ora 11:08
20 vatra zjarri gjatë 24 orëve, 727 forca operacionale u angazhuan për shuarjen e flakëve, 128 efektivë të FA

1785834699_zjarret2026.jpeg

727 forca operacionale u angazhuan gjatë 24 orëve të fundit për shuarjen e 20 vatrave të zjarrit në vend. Sipas të dhënave të ndara nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi në operacione morën pjesë 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

“727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit në menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit. Në mbështetje të strukturave vendore, u angazhuan posaçërisht 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore. Si Ministër i Mbrojtjes, e kam të pamundur të mos përcjell respektin e pakufijshëm për secilin prej tyre, si dhe ndaj të gjithë efektivëve të angazhuar që në fillim të verës në menaxhimin e zjarreve. Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, dhe jo t'i qëndrojnë larg tij. Mirënjohje të thellë për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pashoq, që po tregoni duke mbrojtur jetën, komunitetet dhe pasurinë tonë natyrore. Shqipëria krenohet me ju! Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës”, shkruan Ermal Nufi.

Ora 09:46
Ndezi zjarrin që dogji 400 pemë ulliri në ‘Qafën e Vidhit’, arrestohet 54-vjeçari në Mallakastër (VIDEO+EMRI)

Policia ka vënë në pranga një 54-vjeçar për zjarrin në Qafën e Vidhit në Mallakastër ku u dogjën rreth 400 pemë ulliri.

Ardian Xhafo akuzohet për “shkatërrim të pronës me dashje.”

Njoftimi i policisë

Kapet në flagrancë pranë vatrës së zjarrit që dyshohet se ndezi, vihet në pranga 54-vjeçari. Nga zjarri u dogjën rreth 400 pemë ulliri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, pas njoftimit se në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit” kishte rënë zjarr dhe po digjeshin dhjetëra pemë ulliri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për të kryer veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Pranë vatrës së zjarrit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin A. Xh., 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 400 pemë ulliri.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. Xh., për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ora 08:33
Vatër e re zjarri në Mallakastër, digjet zona pyjore në Rriban (VIDEO)

Një vatër zjarri ka rënë mëngjesin e sotëm në zonën pyjore të Rribanit, në bashkinë Mallakastër.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pyll, ndërsa ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse po has vështirësi për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve hyrëse. Ekipet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në zona të tjera.

Deri më tani nuk raportohet për banesa apo persona të rrezikuar, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon

Një ditë më parë, në Mallakastër ra zjarr pranë fshatit Hekal, në afërsi të "Qafës së Vidhit" ku u dogjën rreth 10 hektarë me ullishte e shkurre. Gjithashtu flakët iu afruan puseve të naftës dhe banesave, por u neutralizuan në kohë.

SI.E./R.Xh/Shqiptarja.com

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sula: 04/08/2026 16:21

    Me falni por kaq keq eshte tjetersu njeriu saqe nuk I dhimbset asgje vetem te beje keq a nuk eshte dhe e jotja ajo qe digjet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00

    Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?