TIRANE- Një tjetër video vërteton aksionet speciale të policisë bashkiake të drejtuar nga Florjenc Hoxha për të sekuestruar dhe bllokuar ngarkesat metalike dhe me kanaç që mbledhin romët për t’i shitur për skrap për të siguruar mbijetesën. Videoja amatore që ka mbërritur ekskluzivisht në redaksinë e Shqiptarja.com dhe Tv A1 Report konfirmon ndërhyrjet arbitrare të policisë bashkiake në një nga zonat në Tiranë ku romët mbajnë të grumbulluar mbetjet metalike.

Aksioni është kryer dje (e enjte) në thellësi të rrugës "5 Maji", pranë Bregut të Lumit.
 
Në pamjet ekskluzive duket qartë se gjatë aksionit të ndërmarrë gjatë ditës, sesi policia bashkiake hyn nëpër banesat e romëve dhe merr forcërisht thasët e mëdhenj plastikë të mbushur me kanaçe për t’i vendosur në kamionët e mëdhenj të bashkisë. Pamjet ngjasojnë me një situatë lufte: policia që ndërhyn forcërisht mes romëve, gra dhe burra romë që lëvizin të çorientuar dhe reagojnë ndaj këtij aksioni si dhe fëmijë që bërtasin të tmerruar.