“Të gjithë ata që mendojnë se Europa mund të mbrohet vetë pa Shtetet e Bashkuara, le të vazhdojnë të ëndërrojnë”, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATOS gjatë fjalës së tij në parlamentin europian.
Komentet e Rutte vijnë pak ditë pasi presidenti Donald Trump u tërhoq nga kërcënimi i tij për rritje të tarifave doganore ndaj vendeve të Europës që kundërshtojnë ambicien e tij për Groenlandën dhe u dakordësua me NATOn për një kornizë marrëveshjeje për të ardhmen e Arktikut.
Rute tha se kjo marrëveshje nënkupton 2 kolona të rëndësishme pune për Groenlandën që supozohet të ulin tensionet mes SHBA-ve dhe BE-së.
Kolona e parë e marrëveshjes, i jep NATOS një rol më të madh në mbrojtjen e Arktikut, ndërsa fokusi mbetet në gjetjen e një mënyre të përbashkët për të ndaluar influencën ruse dhe kineze në rajon. Kolona e dytë e marrëveshjes, nuk kërkon pjesëmarrjen e NATOs dhe lejon SHBA-të, Danimarkën dhe Groenlandën të vazhdojnë bisedimet në tryezë.
Danimarka ka udhëhequr Groenlandën për 300 vite, ndonëse ishulli ndodhet 3000 kilometra larg.
Groenalda mbeti pjesë e Danimarkës pas rënies së monarkisë në vitin 1814, periudhë që shënoi momentin kur Danimarka dhe Norvegjia ndanë rrugë . Në vitin 1916, Shtetet e Bashkuara njohën të drejtën e Danimarkës mbi Groenlandën, nëpërmjet një marrëveshjeje që lejonte SHBA-të të përvetësonin një koloni daneze në Karaibe.
Groenlanda është ishulli më i madh i botës. Ai ndodhet mes Amerikës së veriut dhe Arktikut. Pozicioni i saj strategjik e bën atë të rëndësishme sidomos në rastet kur ka sulme me raketa. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të planifikonin të vendosnin raketa bërthamore në ishull, por pas sfidave inxhinierike dhe kundërshtisë së fortë daneze, u tërhoqën nga ky plan.
Komente










