Shpërthimi i një motori-bombë i parkuar pranë një objekti dy katësh, tronditi të gjithë qytetin e Shkodrës paraditen e kësaj të shtune. Shënjestër e atentatit ishte i forti i Shkodrës, 42-vjeçari Lul Kulla, i cili ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës. 

Krahas tij, plagë të rënda nga shpërthimi kanë marrë edhe dy persona të tjerë, të cilët gjithashtu ndodhen te Trauma nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pesë personat që gjithashtu mbetën të lënduar, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Lul Kulla është një personazh i njohur për policinë. Ai njihet si i forti i Shkodrës i arrestuar për disa vepra penale si i dyshuar për vrasje, gjobëvënie dhe kultivim kanabisi. 

Ngjarja është në kufijtë e një sulmi terrorist, ndërsa pamjet e shpërthimit janë dramatike. Report Tv ka siguruar një video vetëm pak sekonda pasi eksklozivi i vendosur në motorin e parkuar, është aktivizuar me telekomandë. Në pamje duken njerëzit të cilët vrapojnë të alarmuar, të tjerë tentojnë t'u japin ndihmë të plagosurve, ndërsa vendi i ngjarjes mbulohet nga flakët dhe tymi. 

Policia ka shoqëruar rreth 30 persona të dyshuar për ngjarjen, por ende vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve. Pas ngjarjes mbërriti me urgjencë në Shkodër drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi i cili do ndjekë hap pas hapi hetimet për zbulimin e autorëve të kësaj ngjarje drithëruese. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com