Vdekja e 22-vjeçares, reagon Irani: Nuk humbi jetën nga goditjet në kokë, por vuante nga një sëmundje

Vdekja e 22-vjeçares, reagon Irani: Nuk humbi jetën nga goditjet në kokë, por vuante nga një sëmundje

Një protestuese në Gjermani duke mbajtur portretin e Mahsa Aminit

Një raport i forenzikës i publikuar nga autoritetet iraniane tha se vdekja e Mahsa Aminit nuk u shkaktua nga goditjet në kokë dhe gjymtyrë, por ishte e lidhur me një sëmundje. Këto gjetje janë kundërshtuar nga familja e 22-vjeçares, që thanë se ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore para se të dërgohej në paraburgim për shkeljen e rregullave të hixhabit.

Agjencia shtetërore e lajmeve, ISNA, tha më 7 shtator se Organizata Shëndetësore e Forenzikës ka përcaktuar se “një sëmundje” ishte shkaktare e vdekjes së Aminit, por nuk është përmendur nëse ajo kishte pësuar ndonjë lëndim. Sipas televizionit shtetëror iranian, në raportin e forenzikës thuhet se vdekja e Aminit ishte e lidhur me “një ndërhyrje kirurgjike për tumor në tru, kur ajo ishte tetëvjeçare”.

Amini ishte arrestuar më 13 shtator nga policia e moralit të Iranit dhe vdiq tri ditë më pas. Dëshmitarët kanë thënë se Amini ishte rrahur gjatë arrestimit, ndërkaq babai i saj ka deklaruar se ajo kishte pasur shenja të dhunës në këmbët e saj, duke mbajtur përgjegjës policinë për vdekjen e së bijës. Vdekja e Aminit ka nxitur një valë protestash në mbarë Iranin, lidhur me trajtimin e grave dhe kushteve të rënda të jetesës në përgjithësi.

Ndërkaq, nëna e një 16-vjeçarje që u vra gjatë protestave për Aminin, ka hedhur poshtë pretendimet zyrtare se vajza e saj ra nga një ndërtesë, duke thënë se e bija kishte pësuar goditje në kokë. Nasreem Shakrami tha për Radion Evropa e Lirë se është nën presion nga autoritetet që të ndjekë narrativin e Qeverisë – që vajza e saj ra nga një ndërtesë – sa i përket arsyes së vdekjes së vajzës së saj.

Shakrami tha se autoritetet mbajtën sekret vdekjen e vajzës së saj, Nikas, për nëntë ditë dhe më pas ata nxorën fshehurazi trupin e pajetë të saj nga morgu për ta varrosur në një zonë të largët, pa pëlqimin e familjes. Sipas saj, në raportin e forenzikës thuhej se disa nga dhëmbët e Nikas dhe disa eshtra në fytyrë ishin të thyera dhe kishte fraktura në kafkë. Kjo bëri që nëna e saj të dyshojë se Nika ishte rrahur.

“Të gjitha dëmtimet i kishte në kokë”, tha ajo.

Të paktën 154 persona, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë gjatë 18 ditë protesta, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, teksa Qeveria iraniane ka paralajmëruar për shtypje më të ashpër të protestave, nëse ato vazhdojnë./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri