Ministria e Shëndetësisë reagoi pas vdekjes së 37-vjeçares shtatzënë nga Pogradeci, për rastin e së cilës familjarët kanë bërë kallëzim për neglizhencë mjekësore.
Në një deklaratë zyrtare, ministria shprehu ngushëllime për familjen dhe njoftoi se ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të mënyrës si është trajtuar pacientja, duke përfshirë çdo hap nga paraqitja e saj në spital deri në përfundimin e trajtimit.
Ministria thekson se rezultatet do të shqyrtohen me seriozitet dhe, nëse konstatohen parregullsi apo mangësi, do të merren masa sipas ligjit.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta. Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri.
Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor" thuhet në deklaratën për shtyp.
Lajmi kryesor:
‘Fute te spitali i Elbasanit se na iku’, 37-vjeçarja shtatzënë nga Pogradeci vdes gjatë transportit drejt Tiranës! Familjarët padisin mjekët, reagon Ministria e Shëndetësisë (VIDEO)








