Vdekja e 38-vjeçarit në Ksamil, Policia: Po presim ekspertizën! Gazetari i akuzon: Ngjarja u fsheh, u vra me ‘JetSki’

Vdekja e 38-vjeçarit në Ksamil, Policia: Po presim ekspertizën! Gazetari i akuzon: Ngjarja u fsheh, u vra me ‘JetSki’

Foto nga vendi i ngjarjes

Një i ri 38-vjeçar nga Tirana u gjet pa jetë ditën e djeshme, në vendin e quajtur shkëmbinjtë e “Gjirit të Barxhos”, në Ksamil.

Sipas informacioneve paraprake të Policisë së Sarandës, viktima Florian Kofina është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak, teksa ishte duke lundruar me një kanoe.

“38-vjeçari dyshohet se kishte dalë për lundrim me një mjet kanoe dhe ka qenë duke bërë zhytje në këtë zonë”, informoi zyrtarisht policia vendore.

Ndërkohë janë hedhur dyshime edhe në rrjetet sociale për ngjarjen, teksa ishte gazetari Flamur Vezaj që me një postim në Facebook deklaronte se 38-vjeçari ishte vrarë nga një person me “JetSki”. “Policia që s’duam, fsheh vrasjen e pushuesit me “JetSki”, shkruan ai ndër të tjera. Ai jep edhe emrin e personit të dyshuar, I. Doda, duke theksuar se pas presionit autoritetet janë detyruar ta ndalojnë, teksa “ka mbështetje me pushtetarët”.

Këtij postimi më pas iu referuan edhe disa media online, por të pambështetura në versione zyrtare.

Sipas portaleve në fjalë, i riu ishte goditur nga një tjetër person që po lundronte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi me një mjet “JetSki”.

Të pyetur për këtë çështje, zyrtarë të Policisë së Shtetit nuk dhanë detaje të hollësishme, por sqaruan se “po presin rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore”.

Paraprakisht nga autoritetet ligjzbatuese është njoftuar se dyshohet për një arrest kardiak, por disa media iu referuan dëshmitarëve të ndryshëm dhe të paidentifikuar, se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale.

Postimi i Flamurit Vezajt:

“Policia që s'duam, fsheh vrasjen e pushuesit nga “JetSki”.

Jemi mësuar tashmë që policia fsheh me dashje ngjarje të caktuara ose tenton t'i fshehë ato, duke ndjekur modelin e gënjeshtrës publike të ish-drejtorit të përgjithshëm, Ardi Veliu, për ngjarjen në Elbasan! Kjo "sëmundje" nuk po ndryshon fatkeqësisht edhe sot, edhe me ndryshimin e papritur të ministrit të brendshëm (edhe ky nën hetim nga SPAK, por kjo është një çështje tjetër).

Drejtues të policisë, me qëllim dhe për të sfumuar ngjarjen, shpërndajnë informacion të rremë herë pas here, por edhe pse provohet që po gënjenin, askush nuk mban përgjegjësi! Edhe sot ndodhi e njëjta gjë: policia gënjeu duke fshehur një vrasje me argumentin se kishte "atak kardiak"!

"Sot, më datë 04.08.2024, tek shkëmbinjtë në "Gjirin e Barxhos", në Ksamil, në një masiv shkëmbor në det, është gjetur i pajetë shtetasi F. K., rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak." - njoftimi i policisë!

Por e vërteta është ndryshe. 38-vjeçari F.K. nga Tirana është goditur me "jetski" nga shtetasi I. Doda, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë të vdekur në vend! Por, falë disa dëshmitarëve, policia është vënë nën presion (pasi autori I. Doda ka njohje me pushtetarët) dhe tashmë e ka arrestuar, por nuk ka sqaruar opinionin për gënjeshtrën e shpërndarë në media për "atak kardiak" të viktimës nga “JetSki”!

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për mashtrimin, fshehjen e të vërtetës dhe ngjarjen që ndodhi? Përsëri do të harrohet pas tre ditësh, pasi gjykata e reformës së re me ndërmjetësimin e "miqve" në pushtet të autorit do t'i lehtësojë akuzën duke ia faturuar fajin viktimës, si gjithmonë!”.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Sarandës:   

“Sot, më datë 04.08.2024, tek shkëmbinjtë tek “Gjiri i Barxhos”, në Ksamil, në një masiv shkëmbor në det, është gjetur i pajetë një shtetas rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak. Nga informacionet paraprake dyshohet se ai kishte dalë për lundrim me një mjet kanoe dhe ka qenë duke bërë zhytje në këtë zonë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Spiropali uron Tavon: Populli i Himarës foli, zgjodhi dhe dëshmoi kulturë demokratike! Punë të mëdha na presin

Spiropali uron Tavon: Populli i Himarës foli, zgjodhi dhe dëshmoi kulturë demokratike! Punë të mëdha na presin