TIRANË- Familja e këngëtarit të mirënjohur Doktor Florit, i cili humbi jetën një ditë më parë ka paditur në Prokurorinë e Tiranës, Shërbimin e Urgjencës për dhënie me vonesë të ndihmës mjekësore. Po ashtu mësohet se në prokurori pritet të shkojnë edhe drejtues të Urgjencës për të paditur familjarët e Doktor Florit për shpifje.
- Prokuroria komunikon akuzën e ngritur nga familjarët -
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për "Mosdhënie ndihme", parashikuar nga neni 97 i Kodit Penal për rastin e vdekjes së shtetasit Florian Kondi (Dr. Flori).
Burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se po punohet intensivisht për marrjen në pyetje të personelit mjekësor dhe familjarëve të të ndjerit. Kujtojmë se një ditë më parë, këngëtari i mirënjohur Doktor Flori humbi jetën pas një problemi shëndetësor të shfaqur në mëngjesin e të hënës.
Familjarët pretendojnë se urgjenca është thirrur disa herë dhe ka vonuar më shumë se 1 orë për të mbërritur në shtëpinë ku i ndjeri ishte në momentet e fundit të jetës. Mjeku i Urgjencës ka deklaruar që në momentet e para që trupi ka arritur se pacienti kishte vdekur dhe nuk ishte më e mundur të ndërhyej. Mësohet se gjatë ditës së djeshme është kryer edhe autopsia ndaj të ndjerit, por ende nuk ka një komunikatë zyrtare mbi shkaqet që çuan në vdekjen e Doktor Florit. Sot ndaj të ndjerit u mbajtën edhe homazhe në hollin e TVSH-së.
Le ministre de la Santé, Ilir-Beqja lors de la conférence de presse
- Reagimi i Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja -
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja lidhur me rastin ka shfajësuar ekipin e Urgjencës duke nënvizuar se gruaja e "Doktor Florit" është paraqitur në urgjencë duke kërkuar ndihmë për një burrë që kishte pirë alkool dhe në këtë rast mjekët duhet të shoqëroheshin me një polic. "Thirrja telefonike nga familjarët është bërë në orën 10:05 minuta. Gruaja kërkoi ndihmë për dikë që ka konsumuar alkool. Në raste të tilla ambulanca shkon bashkë me një polic, por gruaja nuk donte të shoqërohej nga policia", tha Beqja.
-Shefi i Urgjencës, Lusha padi familjarëve të Dr Florit për shpifje-
Shefi i Urgjences, Naim Lusha
Shefi i Shërbimit të Urgjencës, Naim Lusha ka reaguar përmes një prononcimi për mediat lidhur me akuzat e ngritura ndaj urgjencës nga famlijarët e Doktor Florit, i cili humbi jetën një ditë më parë. Ai ka bërë të ditur se edhe urgjenca do të ngrejë një padi penale me akuzën e shpifjes drejtuar familjarëve të Doktor Florit, ndërsa ka rrëfyer kronologjinë e ngjarjes.
"Ekipi mjekësor ka mbërritur në orën 10:08 minuta në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur Florand Kondin në gjendjen e vdekjes klinike nga një arrest kardio-vaskular. Jemi njoftuar në orën 09.45 fillimisht nga gruaja e doktor Florit e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore për burrin e saj që është i alkoolizuar, i axhituar dhe i dhunshëm, i është dhënë përgjigje nga personeli se stafi mjekësor duhet të shoqërohet me policë në këto raste, gruaja është larguar pa dhënë më shpjegime", thekson Lusha.
Sipas tij, "telefonata e parë në urgjencë ka mbërritur në orën 10:05 dhe ekipi mjekësor ka qenë në shtëpinë e të ndjerit në orën 10:08 minuta. Në këtë moment është tentuar rikthimi në jetë nga ekipi mjekësor nëpërmjet reanimimit zemër- mushkëri dhe i është injektuar adrenalinë, por ishte i pamundur rikthimi në jetë. Është çuar në QSUT nga autoambulanca jonë në prani të ekipit mjekësor dhe vëllait. Në një turn 12 orësh ka tre automjete autoambulancë, 6 mjekë, 5 infermiere dhe tre shofer" përfundoi Lusha./ATSH/