Vdekja tragjike në aksident e dy motrave Dhimaku mbrëmjen e së dielës, për shkak se një 24-vjeçar i dehur në timon u erdhi përballë me makinën e tij pas parakalimit të gabuar, është bërë shkas që në opinion publik të kërkohen masa urgjente. Për deputetin socialist Erion Braçe, për ngjarje të tilla, shkaktuesi i aksidentit duhet të dënohet si vrasës me dashje.

“Të dehesh, të marrësh makinën, të dalësh me të në rrugë, të ecësh me shpejtësi përtej normës, të hysh në parakalim të gabuar dhe t’i shkosh tjetrit përballë në korsinë e tij, nuk është aksident, as aksident me pasojë vdekjen! Është vrasje me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja dhe plagosjen e një të trete.  Kodi ynë Rrugor e Kodi ynë Penal nuk e njeh këtë nocion, ndërkohë në rrugë ndodh si vrasje me dashje madje! Duhet të ndryshojmë dy ligjet sa më parë”, shkroi Braçe. 

Kevi Norra që i mori jetën 2 motrave studente të mjekësisë dhe plagosi rëndë shoqen e tyre, ishte punonjës i Ministrisë së Brendshme, dhe për Erion Braçen edhe në këtë drejtim ligji duhet të ndryshojë.

“Një ligj i ri për përgjegjësitë përtej punës që bëjnë për punonjësit e shtetit duhet të hartohet sa më parë, tani! Me ligj çdo punonjësi shteti duhet t’i ngarkohet përgjegjësi e t’i kufizohen akte që kanë në thelb paligjshmërinë duke përdorur fuqinë e të qenit në një zyrë shteti", tha Braçe. 

Ashpërsimi i dënimeve dhe i masave është i domosdoshëm edhe për Islam Qibinin, ekspertin e sigurisë rrugore. Megjithatë për të, e rëndësishme është implementimi rigoroz i dënimeve të rënda.

 “Duhet të rishikohen. Kemi raste që tronditin si ai para disa ditëve. Duhet të shikohen masat. Në shumë vende evropian aplikohet masa e arrestit direkt. Duhet të trajtohet si vrasje me dashje. Duhet të respektohet ligji. Nëse ligjet janë aty dhe askush s’i zbaton atëherë çfarë kuptimi ka?”, tha ai për Report Tv. 

Kodi aktual penal i Shqipërisë e dënon nga 5 deri në 20 vite burgim shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor që shkaktojnë vdekjen e plagosjen e rëndë e disa personave. E teksa dhimbja për motrat e shuara 22 dhe 20 vjeçare, në mes të bllokut në Tiranë një pemë duket se shpëtoi një tjetër tragjedi kur një i dehur në timon përplasi makinën teksa doli nga rruga nga shpejtësia e madhe.

Postimi i Erion Braçes:

Dy vajza të reja fare u përcollën dje në banesën e fundit. Nuk e imagjinoj dot dhimbjen e nënës së tyre, babait të tyre, gjithkujt që i njohu e ndau jetën e shkurtër me to! Është e tmerrshme, nuk ka ngushëllim, fare! Kam prej mëngjesit të djeshem që dëgjoj: Aksident, aksident rrugor! Jooooo! Nuk është aksident!

Të dehesh, të marrësh makinën, të dalësh me të në rrugë, të ecësh me shpejtësi përtej normës, të hysh në parakalim të gabuar dhe t’i shkosh tjetrit përballë në korsinë e tij, nuk është aksident, as aksident me pasojë vdekjen! Është vrasjeeee me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja dhe plagosjen e një të trete.

Kodi ynë Rrugor e Kodi ynë Penal nuk e njeh këtë nocion, ndërkohë në rrugë ndodh si vrasje me dshje madje! Duhet të ndryshojmë dy ligjet sa më parë; Dëgjoja dje arrestohet shoferi, ishte i dehur, ishte me shpejtësi, hyri në parakalim të gabuar;

Ja u arrestua, po pastaj? Do hetohet e gjykohet për aksident me pasojë vdekjen? Nuk është i tillë! E dyta, dëgjova po dje se autori është punonjës i Ministrisë së Brendshme; Nuk e di në qëndron kjo apo jo. Por një ligj i ri për përgjegjësitë përtej punës që bëjnë për punonjësit e shtetit duhet të hartohet sa më parë, tani! Doemos këta duhet të kenë përgjegjësi publike, më shumë se çdo qytetar i zakonshëm.

Dëgjoj shpesh, përdori armën e shërbimit e vrau gruan, sulmoi komshiun, kërcënoi një tjetër në lokal, ndërtoi pa leje, shkeli ligjin dhe në fund, ishte punonjës i shtetit. Kjo nuk duhet të ndodhë më! Me ligj çdo punonjësi shteti duhet t’i ngarkohet përgjegjësi e t’i kufizohen akte që kanë në thelb paligjshmërinë duke përdorur fuqinë e të qenit në një zyrë shteti!”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:13
Aksidenti me dy viktima në Sarandë, eksperti Qibini: Masa më të rënda për shkelësit (VIDEO)

Një shofer i dehur në timon, mbi të gjitha punonjës në ministri, dhe një parakalim i gabuar kokë me kokë me 2 motrat në Delvinë, nuk duhet konsideruar thjesht një aksident rrugor, por vrasje. Propozimi vjen nga deputeti socialist Erjon Braçe, përforcuar përmes zërit të ekspertëve për masa më të rënda ndaj shkelësve.

Ashpërsimi i dënimeve dhe i masave është i domosdoshëm edhe për Islam Qibinin, ekspertin e sigurisë rrugore. Megjithatë për të, e rëndësishme është implementimi rigoroz i dënimeve të rënda.

“Kur kemi humbje jete më shumë se një viktimë, është nga 5-20 vjet heqje lirie. Por këto masa që janë të parashikuara në kodin penal dhe rrugor duhet të rishikohen, kemi të bëjmë me fenomene që tronditin publik, si rasti i Sarandës ku një drejtues si dehur bën parakalime të gabuara, se nuk e percepton dot. Duhet të rishikohet jo vetëm kodi rrugor por edhe penal. Shumë vende si në Itali, e Greqi, në rast se një drejtues mjeti përfshihet në një aksident me dëme shëndetësore aplikohet masa arrestit. Duhet të cilësohet si vrasje me dashje, për arsye se ky vetë drejton mjetin në gjendje të dehur, s’mund ti parashikojë pasojat që mund të sjellë. Duhet të respektohet ligji. Nëse ligjet janë aty dhe askush s’i zbaton atëherë çfarë kuptimi ka?”, tha ai për Report Tv. 

Për Report Tv, Qibini thotë se duhet të miratohet një rregullore vetëm për rregullat se si duhet të qarkullojnë drejtuesit e mjeteve.

“Drejtoria e Transporteve duhet të japë leje drejtimi për një drejtues që njeh normat e sjelljes, kemi drejtues mjetesh që nuk qëndrojnë mirë në sedilje, nuk mbajnë duart në timon, qarkullojnë mbi normat e lejuara. Ka ardhur koha të miratohet një rregullore vetëm për rregullat se si duhet të qarkullojnë drejtuesit e mjeteve, si duhet të hapë derën, si duhet të qëndrojë në sedilje, si duhet të qarkullojë në rrugë malore apo dishezë”, tha eksperti.