Kërkesa e dy mjekëve të maternitetit të ri, për riekspertimin e shkakut të vdekjes së Dorjana Hakës, ish-gruas së ndjerë të portierit të klubit të Futbollit “Partizani”, ka sjellë irritimin e familjarëve të saj, të cilët kanë tentuar të qëllojnë brenda ambjenteve të gjykatës mjekët. Kërkesa është bërë nga avokatët mbrojtës para gjykatës, e cila nëse e pranon atë do të thotë se duhet bërë zhvarrimi i Dorjana Hakës, e cila u nda nga jeta disa ditë pasi kishte lindur djalin e saj në maternitet. 

Kjo kërkesë irritoi familjarët të cilët akuzuan mjekët si vrasës dhe kërkuan që gjykata të mos e pranoj kërkesën e tyre, pasi qëllimi i vetëm është zvarritja e procesit gjyqësor. Duke parë shpërthimin emocional të familjarëve të Dorjana Hakës, gjyqtari ndërpreu seancën për të vazhduar javën e ardhshme. Ndërkohë në korridorin e gjykatës, familjarët tentuan të sulmojnë mjekët por ndërhyrja e policisë i nxorri ato nga ambientet e institucionit. Në këtë çështje të pandehur janë marrë gjinekologu Petrit Rexhepi dhe anestezistia Elona Burba.


Anomalia pas lindjes
Nga hetimet e akuzës për këtë rast, ka rezultuar se pas operacionit Dorjana Haka ka pasur kontroll të pamjaftueshëm mjekësor nga ana e mjekëve. Shkak i përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore, sipas prokurorisë, ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trupit. E për këto arsye prokuroria e Tiranës shprehet se rezulton e provuar se të pandehurit Petrit Rexhepi dhe Elona Burba kanë konsumuar elementët e veprës penale të mjekimit të pakujdesshëm.

Por paçka se mjekët familjarëve i kishin thënë se Dorjana do dilte një ditë pas operacionit, përkeqësimi ka ndodhur ditën e tretë të lindjes ku në orën 15:30 Dorjana pati dhimbje koke. Pas këtij komplikacioni Dorjana Haka është transferuar nga spitali “Koço Gliozheni” për në spitalin numër 2 në Tiranë ku është marrë në dorëzim nga mjeku Mentor Petrela, por në ditën e 16 pas lindjes ajo ka humbur jetën. Dorjana Haka arriti të sjellë në jetë fëmijën e saj me futbollistin e kombëtares, një djalë.

Nga dëshmitë e familjarëve të Alban Hoxhës rezulton se 30 minuta pasi e reja ka hyrë në sallën e lindjes, infermierja ka dalë duke i njoftuar se operacioni mbaroi me sukses dhe fëmija ishte shumë mirë me peshë 3 kilogram e 900 gram. Më pas Dorjana është vizituar nga pjesëtarët e familjes dhe doktori ka komunikuar me Albanin duke i treguar se ka qenë një lindje shumë e mirë dhe pa probleme.

Gjyqi për dëmshpërblim
Vdekja në spital e bashkëshortes së portierit të klubit sportiv Partizani, ka futur tashmë në një përballje ligjore familjen Haka me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni”. Enver Haka, babai i Dorjana Hakës, ka paditur në gjykatë Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Glozheni”. Padia civile është depozituar në sekretarinë e gjykatës në datën 18 mars, ndërkohë që Enver Haka kërkon dëmshpërblim financiar nga ky spital.

Në objektin e padisë thuhet tekstualisht: ”Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë dëmin e shkatuar nga humbja e jetës së vajzës sime Dorjana Haka”. Nuk dihet se sa është shuma financiare që ka kërkuar si dëmshpërblim Enver Haka, por për shkak se vajza e tij humbi jetën në spital për shkak të komplikacioneve gjatë lindjes, Haka pretendon se gjithçka ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe mjekimit të gabuar. Pritet që këtë dosje ta gjykojë gjyqtarja Enkela (Bajo) Vlora.