Protesta e dytë e thirrur nga ‘Rithemelimi’ për vdekjen e Lear Kurtit ka nxjerrë në shesh sërish një numër të vogël pjesëmarrësish. Këtë e tregojnë edhe pamjet me dron të siguruara nga Report Tv ku duket se apelit të Sali Berishës nuk i janë përgjigjur më shumë se 200 protestues. 

Me thirrjet “qeveri e krimit, polici e krimit, drejtësi për Learin”, në protestën që zgjati rreth 1 orë kërkuan dorëheqjen e drejtuesit të AMP, Ardi Veliut dhe Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Sapo mbërritën para Ministrisë së Brendshme, nisën tensionet e para pasi hodhën domate dhe miell në drejtim të policisë.

Kur i hodhën miell efektivëve, bërtitën “Kjo është kokaina juaj”. Kjo ishte si kundërpërgjigje ndaj AMP që mohon dhunën policore ndaj Lear Kurtit, ndërsa ekspertiza paraprake tregon se shkak i vdekjes mund të ketë qenë overdoza pasi i riu gëlltiti 2 qese kokainë gjatë ndjekjes nga policia. Një prej protestuesve i bënte thirrje efektivëve që të ulnin kapelet me pretendimin se rasti i 32-vjeçarit mund të përsëritej te fëmijët e tyre. 

“Secili polic duhet të kuptojë se mund të jetë edhe fëmija juaj si 32 vjecari. 32 vjet si kjo politikë e poshtër që na ka lënë në këtë gjendje. Turp për ne që nuk reflektojmë”, tha protestuesi.

Ashtu si në protestën e parë, pasi qëndruan rreth gjysmë ore para Ministrisë së Brendshme, qytetarët marshuan drejt kryeministrisë. Aty mbajtën fjalime dhe ndezën qirinj për Lear Kurtin, por nuk patën përplasje me efektivët. Në mesin e protestuesve u panë eksponentë dhe përfaqësues të Rithemelimit të PD-së, si Klevis Balliu, kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia si dhe Endrit Braimllari nga Partia e Lirisë.

Protestuesit kanë paralajmëruar se ditën e nesërme do të mblidhen sërish për të kërkuar drejtësi për Lear Kurtin pasi i besojnë versionit të Sali Berishës se ka ndërruar jetë nga dhuna policore. Gjithashtu nesër pritet të ketë një tjetër raport për të hedhur dritë mbi vdekjen e Lear Kurtit.

Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i ka bërë thirrje 32-vjeçarit Lear Kurtit, për të ndaluar, por ky i fundit nuk është bindur dhe është larguar me vrap. Efektivët kanë arritur që ta kapin, dhe më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por në ato moment 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe ka ndërruar jetë në komisariat.

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:55
Protesta për Lear Kurtin/ Qytetarja me fjalor rruge: Shtet k*rvar, me drogaxhi e ku*va, e keni degjeneruar Shqipërinë

 

Në protestën e thirrur nga Sali Berisha ku kërkohet drejtësi për vdekjen e të riut Laer Kurti, një nga protestuesit ka përdorur një fjalor jo të hijshëm kundrejt kryeministri Edi Rama dhe qeverisë së tij.

“Kurvar, drogaxhi, si mund të qeveriset një vend nga një kryeministër që merret me prostituta dhe kurva. Ku i keni marrë ju shtëpitë, si i keni marrë lekët që keni shtëpi. Me kreditë e Edi Ramës.

Kam tre vjet në Itali dhe nuk kam një shtëpi timen, ju ku i gjetët. Unë nuk jam dashnorja e Edi Ramës sepse unë nuk shkoj me burra të degjeneruar.

Turp keni trup të degjeneruar, të mallkuar. E keni degjeneruar Shqipërinë duke shkuar me kurvat italiane”, tha ajo.

Ora 19:45
Djali i Ilir Vrenozit drejton protestën me 'një grusht' njerëzish për vdekjen e Lear Kurtit

 

Sali Berisha duket se kishte vënë drejtues djalin e Ilir Vrenozit për të mbajtur protestën e dytë për vdekjen e Lear Kurtit. Ai është parë duke mbajtur fjalën para 'një grushti' njerëzish që kërkonin dorëheqjen e Ardi Veliut dhe Bledi Çuçit.

Ora 19:06
Protesta në Tiranë, Report Tv sjell pamjet me dron! Një ‘grusht’ qytetarësh i përgjigjen thirrjes së Berishës

 

Ish kryeministri Sali Berisha nuk ja ka dalë as kësaj here të organizojë një protestë të fuqishme. Report Tv sjell pamjet me dron në të cilat duket një numër i vogël qytetatësh të cilët i janë bashkuar protestës së thirrur nga Berisha.
Protestuesit kanë marshuar nga Ministria e Brendshme te Kryeministria, për vdekjen e Lear Kurtit.

Ora 18:50
VIDEOLAJM/ Protesta për vdekjen e Lear Kurtit, efektivi bën shenjën e kryqit para memorialit për policët e rënë në krye të detyrës

Një prej efektivëve që ndodhej në kordonin e policisë para Ministrisë së Brendshme, ku u mblodhën protestuesit, ka bërë shenjën e kryqit sapo ka parë memorialin. Në një moment kur lejuan një prej protestuesve të ndizte qiri për Lear Kurtin, është kthyer për të parë veprimin e tij dhe bëri shenjën e kryqit para memorialit për  policët e rënë në krye të detyrës.

Ora 18:35
Protesta në Tiranë, protestuesit u hedhin miell efektivëve të policisë: Kjo është kokaina juaj

 

Protestuesit në Tiranë u kanë hedhur miell efektivëve. Në shenjë revolte të vdekjes së Lear Kurtit pasi iu hodhën miell protestuesve kanë thënë: Kjo është kokaina juaj!

 

Ora 18:35
Protesta për Lear Kurti, protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë, bllokojnë Bulveradin

 

Njëlloj si protestën e shkuar për Lear Kurtin, protestuesit kanë marshuar drejt kryeministrisë. Qytetarët kanë bllokuar Bulevardin. 

Kjo është protesta e dytë për vdekjen e Lear Kurtit, 32-vjeçari që ndërroi jetë në duart e policisë 19 tetor. 

Ora 18:28
Protestuesi lejohet të kalojë rrethimin e policisë, ndez qirinj për Lear Kurtin

 

Protestuesi që u ndalua pak më parë nga efektivët, është lejuar të kalojë rrethimin për të ndezur qirinj për të ndjerin Lear Kurti. Ndërkohë është bërë thirrje që edhe të tjerë të kalojnë rrethimin, por policia nuk i lejon.

Ora 18:14
Kaloi rrethimin e policisë duke hedhur piketat, policët tërheqin me dhunë protestuesin! U hodhi domate efektivëve

 

Njëri nga protestuesit në Tiranë për vdekjen e Lear Kurtit ka kaluar rrethimin e policisë duke hedhur piketat e vendosur. Pasi hodhi domate në këndin e yjeve të policsë të rënë në krye të detyrës, protestuesi është tërhequr me forcë nga policët.