TIRANË- Kanë nisur hetimet për mjekët e Spitalit të Traumës për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti në Tiranë. Paraprakisht spitali i Traumës tha se Kurti mbërriti i vdekur, por një natë më parë ish kryeministri Sali Berisha ka publikuar një foto ku duket 32-vjeçari duke marrë serum. Ende janë të paqarta rrethanat e vdekjes së Lear Kurtit.

Natën kur Lear Kurti u dërgua në spital nga efektivët, 'Trauma' deklaroi se 32-vjeçari kishte ardhur pa shenja jete. Nga ana tjetër, policia deklaroi që Lear Kurti ndërroi jetë në spital. Hetimet po vijojnë dhe pritet të zbardhet dinamika e ngjarjes, ndërkohë që sipas ekspertizës, Kurti ndërroi jetë pasi gëlltiti qesen me kokainë dhe kaloi në overdozë.

Ndërkohë, kreu i qeverisë, Edi Rama duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për vdekjen e Lear Kurtit, theksoi se nuk ka asnjë shenjë që vdekja e 32-vjeçarit të ketë ardhur nga policia. Kreu i qeverisë tha se opozita po e përdor këtë rast duke e lidhur me vrasjen e Klodian Rashës, me qëllim që të prekin njerëzit dhe ata të dalin në protesta. Lidhur me këtë ngjarje, Rama u shpreh se po vijojnë hetimet dhe se Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë korrekte duke pezulluar efektivët që shoqëruan të riun atë natë.

Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i ka bërë thirrje 32-vjeçarit Lear Kurtit, për të ndaluar, por ky i fundit nuk është bindur dhe është larguar me vrap. Efektivët kanë arritur që ta kapin, dhe më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por në ato moment 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe ka ndërruar jetë në komisariat.

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

Lear Kurti në Spitalin e Traumës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:16
Tritan Shehu pas fotos së Lear Kurtit me serum në spital: Është perfuzion venoz bëhet për disa arsye, edhe nëse s’ka shenja evidente jete

Tritan Shehu, deputet i ‘Rithemelimit’, me profesion mjek ka sqaruar foton ku Lear Kurti është shfaqur me një serum në dorë. Ai i ka dalë në mbrojtje mjekëve të spitalit të Traumës, duke argumentuar se serumin në foton ku Lear Kurti. Deputeti thotë se akuza ndaj mjekëve se kanë gënjyer duke thënë se ka mbërritur në spital shenja jete, ndërkohë që i kanë dhënë serum nuk qëndron. Shehu ka sqaruar se ai është perfuzioni venoz që bëhet edhe kur një i sëmurë arrin pa shenja jete.

“Akuzohen se i paskan vendosur një serum të ndjerit Kurti, ndërsa kanë deklaruar arritjen e tij në spital pa jete!! Akuze e pretendim me cinik e idiot se ky nuk mund të ketë.Mjekët, edhe kur një i sëmurë arrin pa shenja evidente jete, por të pa qartë për kohën e ndalimit të funksioneve jetësore, bëjnë të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në jetë fatkeqin. Dhe veprimi i parë është vendosja e një perfuzioni venoz, që mund të shoqërohet me të tjera veprime sic është intubimi, masazhi kardiak, goditja elektrike etj, në vartësi të gjendjes e ecurisë”, tha Shehu.