Vdekja e legjendës së portës kuqezi, Duka dhe Meta mesazh ngushëllimi: Nuk luajti me doreza, shembull frymëzimi

Vdekja e legjendës së portës kuqezi, Duka dhe Meta mesazh ngushëllimi: Nuk luajti me doreza, shembull frymëzimi

Sulejman Maliqati duke u nderuar me titullin

Legjenda e portës së Kombëtares shqiptare, Sulejman Maliqati është ndarë nga jeta këtë mbrëmje në moshën 94 vjeçare. Pjesë e Partizanit dhe Shqipërisë në vitet 1950-1964, Maliqati njihet me nofkën "Macja e Zezë" për paraqitjet në portë. Në lidhje me këtë humbje, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë shprehur mesazhe ngushëlluese.

"Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së "Partizanit" dhe Ekipit Kuq e Zi, "Nderit të Kombit" Sulejman Maliqati, njërit nga portierët më të famshëm të të gjithë kohërave të futbollit shqiptar, i cili hyri në historinë e sportit tonë si mburoja e pakalueshme e portës që nuk luajti kurrë me doreza, pasi e ndiente topin jo vetëm me duar e gishta por e njësonte me vetë qenien e tij. Shtatë herë Kampion Kombëtar dhe Nënkampion i Lojrave të Leipzigut të vitit 1958, ai përfaqësoi denjësisht fanelën e "Partizanit" dhe ngriti lart emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive, për t'u përjetësuar si shembull frymëzimi për fëmijët dhe brezat e ardhshëm të sportistëve drejt rrugës së suksesit. Do ta kujtojmë gjithmonë Profesor Sulën, njeriun me vlera dhe integritet të lartë qytetar, edukatorin shembullor për brezat më të rinj, këtë model të mjeshtërisë sportive dhe atdhedashurisë! Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të gjithë sportdashësve dhe në veçanti tifozëve të "Partizanit"! Të prehet në paqen e merituar!", shkruan Meta.

Edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për këtë humbje.

"Futbolli shqiptar humbi sot një nga legjendat më të mëdha të historisë së tij. I madhi Sulejman Maliqati është ndarë sot nga jeta në moshën 94-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur e të çmuar për të gjithë futbolldashësit. Ish-portieri i famshëm i Kombëtares në vitet 1950-1964, Maliqati ishte një ikonë e padiskutueshme dhe një shembull frymëzimi për gjenerata të tërë sportistësh. Përveçse i dekoruar me titujt më të lartë shtetëror dhe me shumë trofe të fituar në fushë, Maliqati ka qenë edhe njeri i shkëlqyer, një mik i mirë dhe një personalitet i rrallë e me shumë vlera në jetën shoqërore me kontribute të mëdha veçanërisht në botën e futbollit. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e miqve të tij. Emri i tij ka zënë vend tashmë në panteonin e më të mëdhenjve të historisë së futbollit shqiptar. U prehsh në paqe Sul Maliqati!", shkruan Duka në kanalet e komunikimit.


Lajmi kryesor:

Ndahet nga jeta ikona e portës shqiptare


S.Dh/SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme