LIBRAZHD-  Është arrestuar ditën e sotme nga policia pronari i firmës që kishte marrë me konçension minierën e Librazhdit. I arrestuari Agim Yzo, 46 vjeç është pronari i kompanisë Yzo sh.p.k. Sipas policisë, në këtë minierë mungonin kushtet e sigurisë së punëtorëve në punë.

Ditën e djeshme, 2 minatorë humbën jetën brenda minierës.

Viktimat ishin Drini Bogdani inxhinier miniere dhe Haki Danga, minator. Shkak i vdekjes së tyre ka qenë asfiksimi si pasojë e shpërthimit të gazit.


TRAGJEDI NË MINIERËN E LIBRAZHDIT, VDESIN DY MINATORË

Tjetër tragjedi në galeritë e nëntokës shqiptare.  Policia  e Librazhdit thotë se dy minatorë kanë humbur jetën në minierën e fshatit Gurrë të Librazhdit.

Viktimat janë: Drini Bogdani, inxhinier miniere dhe Haki Danga, minator.

Policia ka arritur të nxjerrë trupin e pajetë të inxhinierit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të Haki Dangës.

Inxhinieri dhe minatori mendohet se kanë mbetur të asfiksuar në galeri. Dyshohet se ka pasur shpërthim gazi. 

Në linjë telefonike për 'A1 Report", Fatmir Kryeziu, kryetar i komunës Qukës u shpreh se nga të dhënat e punëtorëve shkak i tragjedisë ka qenë shembje e një masivi të madh dheu, i cili ka zënë të dy punonjësit si inxhinierin dhe minatorin, teksa ishin duke punuar.
 
"Është një minierë, e cila është e licencuar, ka punëtorë çdo ditë në këtë minierë, janë fatkeqësi që s’ndodhin gjithmonë", ka shtuar Kryeziu.

Kjo tragjedi është e dytë në miniera brenda 24 orëve në galeritë e nëntokës shqiptare, duke shkaktuar 7 të vdekur në një ditë.

Redaksia online
(sg/mag/v.gj/shqiptarja.com)