BULQIZË- Minatori Ilir Kalaveri, baba i tre fëmijëve të mitur, hyri në galerinë e minierës së Tërnovës meditën e së shtunës si çdo ditë tjetër pune, pa e ditur se ajo do të ishte dita e fundit e jetës.

Pak minuta më vonë, 40 vjeçari u rrëzua në një furnel dhe u mbulua nga masivi i kromit. Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati disa orë teksa kolegët e tij, ekipet e shpëtimit dhe policia luftuan për ta nxjerrë nga nëntoka por ishte vonë. 

Trupi i  pajetë 40-vjeçarit u nxor vetëm pasditen e së dielës.

Një ditë më pas hetimet kanë çuar në arrestimin e drejtuesit teknik të kompanisë ku punonte Kalaveri.

Në pranga ka rënë Përparim Koçi, 63 vjeç, i cili sipas policisë dyshohet se nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, shkelje që, sipas hetimit, solli aksidentin me pasojë vdekjen e minatorit.

Burimet bëjnë me dije se në Komisariatin e Bulqizës është shoqëruar për t'u marrë në pyetje edhe drejtuesi tjetër teknik, Rremzi Pupli, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota të ngjarjes.

Kalaveri punonte për subjektin privat  "Eternal Security", me pronarë Lahim Gjikën dhe Halil Gjikën.  Ai është përcjellë sot në banesën e fundit, duke lënë pas vetes gruan, 2 djemtë dhe vajzën e vogël. 

Ndërkohë, Prokuroria po vijon hetimet për të zbardhur nëse në minierë ishin respektuar të gjitha rregullat e sigurisë në punë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë për tragjedinë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan shtetasin P. K., 63 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, me detyrë drejtues teknik në një subjekt minerar. Arrestimi i tij u bë pasi, nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.08.2026, dyshohet se në cilësinë e drejtuesit teknik të subjektit minerar nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, për pasojë është aksidentuar me vdekje shtetasi I. K., 40 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", njofton policia.

 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë