Gjendja e komandantit të kontingjentit shqiptar në Letoni, major Tanushi, që mbeti i plagosur nga shpërthimi i minës vijon që të jetë e rëndë. Ministria e Mbrojtjes thekson se Tanushi është nën kujdes mjekësor maksimal në spitalin e Rigës, ndërsa rreshter Kapaj ndodhet në gjendje të mirë, jashtë rrezikut për jetën. Ministrja e shoqëruar nga gjeneralmajor Nazmi Cahani, përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel dhe atasheu ushtarak shqiptar kolonel Fadil Ciroku, mbërritën dje në bazën ushtarake Camp Adazi.
Në takimin me efektivët shqiptarë, ministrja e Mbrojtjes shprehu dhimbje për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, ku si pasojë e shpërthimit të municioneve të paplasura, gjatë kryerjes së detyrës, humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj e u plagosën major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.
“Dhimbja është e përbashkët dhe unë jam këtu me ju për të ndarë bashkë hidhërimin, por edhe për te gjetur forcën. Familjet e 3 efektivëve, ju dhe familjet tuaja, do të keni mbështetjen time personale, por edhe të secilit prej 8 mijë efektivëve të familjes sonë të madhe ushtarake, për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Ju nuk do të jeni kurrë vetëm dhe asnjëherë s’do të jenë vetëm familjet e çdo burri dhe gruaje në uniformë”,- tha ministrja e Mbrojtjes gjatë bashkëbisedimit me efektivët.
Djemtë dhe vajzat e kontingjentit, misioni i të cilit përfundon pas pak javësh, thanë se janë të vendosur për të përfunduar plotësisht dhe me dinjitet misionin, jo vetëm si detyrim kushtetues, por mbi të gjitha për të vijuar angazhimin e lënë në mes nga kolegët e tyre. Ministria e Mbrojtjes thotë se në takimin me Xhaçkën, drejtuesit ushtarakë kanadezë e letonezë të bazës, shprehën vlerësimet maksimale për përfaqësimin dinjitoz dhe profesionalizmin e efektivëve shqiptarë në këto dy vite të përfshirjes së tyre të misionit të NATO në Letoni.
Zarife Hasanaj humbi jetën dy ditë më parë pasi një minë të cilën po përpiqej ta çmontonte shpërtheu, duke lënë të plagosur edhe dy kolegë të saj shqiptarë, major Klodian Tanushi dhe rreshteri Julian Kapaj, të cilët ndryshe nga e reja nga Tropoja nuk ishin për herë të parë me misione jashtë vendit.