Gruaja e futbollistit të ndjerë Diogo Jota ka zbuluar mesazhin e fundit që i kishte dërguar atij pak para aksidentit fatal, sipas një biografie të re për ish-yllin e futbollit. Rute Cardoso kishte dashur t’i dërgonte Jotës videon e dasmës së tyre, pa e ditur se ai sapo kishte bërë aksident me Lamborghini Huracan të marrë me qira, në një autostradë në Spanjë.
Futbollisti 28-vjeçar, i cili luante për Liverpoolin, humbi jetën në datën 3 korrik të vitit të kaluar. Sipas policisë spanjolle, aksidenti ndodhi kryesisht për shkak të shpejtësisë. Diogo po udhëtonte me vëllanë e tij, Andre Silva, drejt Santanderit për të kapur një traget për në Mbretërinë e Bashkuar, pas këshillës që të mos fluturonte me avion për shkak të një operacioni në mushkëri.
Biografia zyrtare e Diogo Jotës, e shkruar nga ish-futbollisti Jose Manuel Delgado, titullohet “Nunca Mais e Muito Tempo” ( “Kurrë Nuk Është Një Kohë e Gjatë”) dhe do të publikohet më 9 prill në Portugali. Botuesit e përshkruajnë librin si një “vepër tepër emocionale dhe respektuese, që i bën homazh jetës dhe trashëgimisë së Jotës, jo vetëm si futbollist elitar, por edhe si njeri.”
Në një intervistë për televizionin portugez, prezantuesja Isabel Figueira tregoi:
“Ajo që më tronditi më shumë ishte mënyra se si Rute rrëfen mesazhet e fundit që i dërgon Jotës, por që ai kurrë nuk i mori. Ajo thotë se sapo kishte marrë videon e dasmës dhe i shkruan: ‘Dashuria ime, kur të ndalesh, më telefono, sepse kam diçka për të të treguar.’ Ishte kjo video e veçantë e dasmës së tyre.”
Komente








