KARAKAS - Presidenti i Venezulës, i trajtuar muajin e fundit për kancer vdiq dje në Karakas rreth orës 16:25 me orën lokale. Zëvendës presidenti Nicolas Maduro, njoftoi lajmin e ndarjes nga jeta të Hugo Chavez, mbrëmjen e djeshme në televizionin kombëtar. Ai i bëri thirrje popullit të Venezuelës për të treguar forcë e guxim dhe të jetë i bashkuar e të përmbushë parashikimet e "këtij udhëheqësi të madh."

58-vjeçari Chavez ishte trajtuar në Kubë për kancer para se të kthehej në Karakas muajin e kaluar. Kohët e fundit, ishte njoftuar se ai kishte marrë një infeksion pas trajtimit intensiv me kimioterapi, në një spital ushtarak në Karakas.

Chavez prej dhjetorit të vitit të kaluar nuk dilte në publik. Madje mungoi në përurimin për mandatin që kishte rimarë si president në janar.

Në daljen e tij në TV dje për të dhënë lajmin e vdekjes, nënpresidenti Nicolas Maduro tha se bëhet fjalë për komplot kundër Venezuelës, duke shfaqur bindjen se kanceri i zotit Chavez, i diagnostikuar fillimisht në vitin 2011, është shkaktuar nga "një lojë e pistë e armiqve të Venezuelës". Maduro ishte i rrethuar nga lider politikë dhe ushtarakë.

"Hugo Chavez vdiq sepse është sulmuar ashtu sic u sulmua edhe lideri palestinez Yasser Arafat", - kështu u shpreh dje zv.presidenti Venezuelan Nicolas Maduro. Ai nënvizoi se vetëm një grup special shkencëtarësh mund ta konfirmojnë testin, se ai u vra me dashje. Maduro ka raportuar ekzistencën e një plani për të destabilizuar Venezuelën, pas sëmundjes së liderit të tyre.

Më herët, Maduro tha se lideri venezuelian 58-vjeçar kishte pësuar një tjetër infeksion të rëndë në frymëmarrje dhe ishte në "orët e tij më të vështira."

USHTRIA NE RRUGE

Forcat e armatosura “Bolivariane” të Venezuelës janë shpërndarë në të gjithë vendin në ruajtje të Kushtetutës dhe rendit. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrotjes. Ndërkohë që vajza Maria Gabriela ka shprehur krenarinë e saj dhe ftesën për të vazhduar luftën.

VARRIMI TE PREMTEN

Varrimi do të bëhet të premten më 8 mars. Ministri i Jashtëm saktësoi se Venezuala do të respektojë 7 ditët e zisë ndërsa shkollat do të mbyllen për 3 ditë.

ZV PRESIDENTI MADURO MERR PRESIDENCEN, ZGJEDHJET BRENDA 30 DITESH

Ministri i Jashtëm Jose Elias Jaua Milano shpalli shtatë ditë zie në nderim të Chavez më tej Milano tha se Zëvendës-Presidenti Nicolas Maduro do të marrë presidencën deri kur të thirren zgjedhjet brenda 30 ditëve. Zëvendës presidenti Nicolas Maduro mund të përballet me një sfidë nga guvernatori i shtetit Miranda, Henrique Capriles, i cili humbi përballë z. Chavez në zgjedhjet e tetorit 2012. 50-vjeçari Maduro ka qenë shofer autobusi dhe ish-udhëheqës sindikalist. Për 6 vjet, ai ka qenë edhe ministër i Jashtëm.

VENEZUELA DEBOI DJE 2 DIPLOMATE AMERIKANE
Të martën, Venezuela dëboi dy diplomatë amerikanë, duke i akuzuar se ishin takuar me oficerë ushtarakë dhe po komplotonin për të destabilizuar qeverinë.

Të dy diplomatët, oficerë atashe të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, ishin stacionuar në ambasadë. Pentagoni nuk bëri ndonjë koment tjetër veç se konfirmoi se të dy oficerët tashmë janë larguar nga Venezuela. Ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit me anë të një deklarate i quajti absurde akuzat e Venezuelës se diplomatët amerikanë ishin përfshirë në shkaktimin e kancerit të zotit Chavez. Presidenti amerikan Barak Obama lëshoi ​​një deklaratë ku thuhet se Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë mbështetjen për popullin venezuelian dhe janë të angazhuar për politika që nxisin demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Amerikane, Jose Miguel Insulza, dërgoi ngushëllimet e tij për popullin e Venezuelës, duke e quajtur këtë një kohë të pikëllimit të madh. Organizata e Shteteve Amerikane do të mbajë një takim të veçantë në kujtim të presidentit Chavez, informon Zëri i Amerikës.

Redaksia Online
(bm/sg/shqiptarja.com)