Vdes i vetmuar përfaqësuesi
i poezisë erotike shqipe

Vdes i vetmuar përfaqësuesi <br />i poezisë erotike shqipe
Ndërron jetë në Spitalin Onkologjik të Tiranës poeti Pano Taçi. Trupi i pajetë qëndron prej dy ditësh në morgun e Tiranës, sepse nuk ka pasur asnjë familjar të tij në Tiranë. "Djali i tij vjen nesër (sot) për ta marrë trupin e pajetë të poetit nga morgu", thanë dje specialistë e Mjekësisë Ligjore. Poeti i divorcuar prej vitesh nga bashkëshortja ka jetuar në vetmi e varfëri të plotë pas daljes nga burgu i të përndjekurve politikë. Megjithatë ai ishte krenar për të birin, u fliste të gjithëve për të dhe ishte i lumtur sa herë që e takonte. Pano Taçi lindi në vitin 1929 në Gjirokastër dhe ndërroi jetë më 12 qershor 2012. Poeti, që është konsideruar si përfaqësues i poezisë lirike dhe erotike shqipe, ka lënë në proces botimi librin e tij të fundit me poezi "Muzgu vjen papritur". Ndonëse Pano Taçi ishte pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare që në moshën 14 vjeç, ai u burgos që në vitin 1947 për tentativë arratisjeje dhe "për dashuri borgjeze" dhe deri në vitet '90, në pjesën më të madhe të kohës, ai ka përjetuar përndjekjen dhe persekucionin e diktaturës komuniste. Instituti i të Përndjekurve Politikë ka negociuar dje me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që t'i bëhen homazhet dhe nderimi i duhur poetit. Homazhet do të zhvillohen ditën e enjte, dt. 14. 06. 2012, ora 10.00 - 11.00 në hollin e Teatrit Kombëtar.

Jeta dhe liria e bohemit poet Pano Taçi
Poeti Pano Taçi bënte jetën e një bohemi poet. "Nuk i pati kurrë të ardhurat e e nevojshme për të jetuar. Kur kishte ndonjëherë në dorë, merrte shtëpi me qira, por të shumtat e herëve jetonte në ndonjë papafingo të braktisur", thotë për të një ndër miqtë e shumtë të poetit, shkrimtari Hysen Sinani. Kohët e fundit Pano Taçi jetonte i vetmuar, pa grua, pa të afërm. Lëvizte me një motor të vjetër: rrangallën më me fat ndër gjithë rrangallat e botës, sepse ajo ishte mikja më e dashur e poetit. Me këtë rrangallë ai bënte vërtetë jetën e një bohemi ose Don Kishoti poet. Ndjenjat e tij ishin jashtë psikologjisë së kohës, por mjaft të dlira dhe të pastra. Askënd nuk lëndoi e nuk i ra kurrë njeriu më qafë. Dashuronte me zemër, pa kushte dhe nuk shante askënd, edhe pse jo rrallë herë e braktisnin, sidomos gratë. Pano Taçi ishte mik i të gjithë poetëve më të njohur shqiptarë, i Xhevair Spahiut, Ali Podrimjes, Sadik Bejkos, Agron Tufës, Arian Lekës, Bardhyl Londos, etj. Ishte njeri i dashur dhe i ngrohtë me të gjithë. Me atë natyrën e tij tejet të sinqertë, ai ishte ndër të parët poetë që shkruante pa pasur asnjë lloj tabuje mjaft poezi erotike. Ai dinte të shkruante mjaft bukur edhe poezitë lirike dhe ato me fabulën e moralit të pastër njerëzor. Kohët e fundit me poetin e njohur Xhevair Spahiu pinte shpeshherë kafen te "Bar Europa. Ndërsa vuante nga sëmundja e kancerit në mushkëri, natyra e një rebeli të lindur nuk iu nënshtrua kurrë plotësisht terapive. Poeti ishte shumë i varfër dhe nuk kishte mjaftueshëm para të kurohej, edhe pse ndihmat nga miqtë nuk i munguan asnjëherë. "Në spital njeriu që kujdesej për të ishte djali i poetit të njohur Xhevahir Spahiu, me profesion mjek. "Megjithatë ai sapo bëhej pak më mirë, dilte nga spitali. Nuk duronte dot", thotë redaktori që ka në dorë librin e tij të fundit me poezi, Pandeli Koçi. Poeti sapo ndjente gjymtyrët t'i bindeshin, merrte motorin e tij të vjetër dhe dukej se donte të shijonte edhe pikat më të fundit të jetës në liri, që i kishte munguar aq shumë ndër vite, ndërsa muzgu i saj po i afrohej. Kjo duhet të ketë qenë mbresa e tij e fundit për jetën, përderisa e titulloi edhe librin e tij të fundit me poezi "Muzgu vjen papritur". Pano Taçi poezitë i shkruante në çdo cep kafeneje. Shumë prej tyre i improvizonte në çast dhe jo të gjitha i ka lënë të shkruara. Disa kanë mbijetuar si poezi gojore popullore, sidomos ato të dashurisë. Jeta dhe vepra e Pano Taçit ka qenë një kalvar i pafund vuajtjesh, burgimesh dhe internimesh, por ai se ndau kurrë buzagazin për njerëzit. Poezia, vetëm poezia ishte e dashura më besnike e Pano Taçit, e këtij poeti, një adhurues i përulur deri në thellësi të shpirtit ndaj gruas.

Kur "Muzgu vjen papritur"
Pano Taçi mbetet një ndër ata poetë që për një periudhë të gjatë ka qenë i privuar nga liria e fjalës dhe mendimit. Vetëm pas viteve '90, ai nisi të botojë serinë e veprave të tij poetike, të cilat u vlerësuan nga lexuesi dhe kritika letrare. Librin e tij të fundit me poezi luste që ta botonte më herët. Nuk e gëzoi dot. Priste që Ministria e Kulturës ta financonte. Ajo vonoi, ndoshta priste sponsor të jashtëm, edhe pse poetit ia pati premtuar ndihmën. Ndërsa libri ka mbetur ende në proces botimi, për poetin do të ishte tepër vonë. Ai nuk e pa me sy. Redaktori i librit të tij, Pandeli Koçi, thotë se "mezi e priste këtë libër. Panua më tha se: ata të ministrisë do të më ndihmojnë". Libri ende nuk është botuar. Pra, poeti vdiq me këtë peng. U largua nga kjo botë me pengun e librit "Muzgu vjen papritur".

Bardhyl Londo: Pse ishte
i veçantë poeti Pano Taçi


Krijimtaria poetike e Pano Taçit zë një vend të nderuar në vlerat më përfaqësuese të letërsisë shqipe, duke i dhënë kësaj të fundit më shumë identitet dhe fizionomi artistike dhe kombëtare. Edhe pse në poezinë e tij spikatin motivet e mbijetesës nën regjimin totalitar komunist, fryma humaniste është një ndër ato veçori kryesore që përshkon krejt korpusin e tij letrar. "Me vdekjen e tij kultura shqiptare humbi një ndër penat më të talentuara dhe letërsia shqiptare një ndër zërat më të veçantë të saj", thotë poeti i njohur Bardhyl Londo. Pasi ka folur për kalvarin e burgjeve dhe vuajtjeve të "poetit me shpirt të bardhë", Londo rrëfen edhe disa nga arsyet pse ishte Pano Taçi ishte një poet i veçantë. Ai thotë ndër të tjera se "Ai nuk është i veçantë sepse e kemi specifikuar shpesh si poetin e guximshëm të erosit dhe të dashurisë. Poezia e Pano Taçit është e veçantë sepse ai ëndërroi më të mirën, ëndërroi moralin më të pastër njerëzor, ëndërroi idealet më bukura njerëzore. Njëkohësisht ai ishte një lëvrues i talentuar i poezisë, ishte mjeshtër i vargut dhe origjinal në mënyrën e të shkruarit. Ka shumë veçori që do ta cilësonin të veçantë poezinë e Pano Taçit, por një nga veçoritë e tij më të mira ishte se ai ka menduar përmes vargjeve pareshtur për shpirtin e njeriut, për thelbin bujar të shpirtit njerëzor, për pastërtinë e ndjenjës. Ai ka menduar gjithë jetën e tij për dashurinë dhe moralin njerëzor në emër të poezisë. Po ta vëresh krijimtarinë e tij ajo flet për shpirtin e njeriut dhe moralin human mbarëshoqëror".

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut