Vdiq në punë në Itali, babai i Edisonit me lot në sy: Iku me gomone, do vinte në Vlorë për 80 vjetorin tim! E ëma zë krevatin: Punonte pa mbrojtje! Jeta iu pre në mes

Më 17 shkurt, e priste të birin Edison Malaj të festonin të përmalluar të gjithë bashkë në gjirin familjar, ditëlindjen e 80.

“Bëja 80 vjetorin, më thotë djali kur e ke ditëlindjen. Më tha djali do të njoftoj vëllezër e motra, të festojmë ditëlindjen. Jo me detyrim i thash unë. Tre fëmijët e tjerë kishin ardhur dhe Edisoni mëngjesin e 17 shkurtit do vinte”, tha Xhezmir Malaj, babai i Edison Malajt nga fshati Hoshtimë i Vlorës që vdiq gjatë një aksidenti në punë në Itali.

As nuk e kishte menduar se vetëm një ditë para këtij gëzimi, më 16 shkurt, në vend të përqafimit të djalit e 2 mbesave në emigrim, do i vinte telefonata e kobshme.

 “Ra telefoni, na la Edi tha e shoqja”, rrëfen i ati për Report Tv.

Xhezmir Malaj, nga fshati Hoshtimë i Vlorës, humbi djalin e tij Edisonin 55-vjeçar në një aksident gjatë punës në ndërtim në Cosenza të Italisë. Një pjesë betoni u shkëput nga vinçi duke e lënë të vdekur në vend.

Me zemrën e bërë copë dhe me lotët në sy, i moshuari kujton kohët e errëta kur i biri çau detin me gomone 30 vite më parë.

 “E morën me skaf, atij në mes të detit ju fik edhe skafi, isht siklet”, tregoi më tej i ati.

Nëna 78-vjeçare e Edison Malajt ka zënë shtratin nga dhimbja e papërshkrueshme e humbjes së të birit. 

“Më ka ikur djali të keqen nëna në mënyrë barbare. Se u nis për të ardhur këtu për gëzim, jetën ia preu në mes”, tha Nigjare Malaj nëna e Edisonit.

I dinë shumë mirë sakrificat e djalit për të mbajtur familjen në Itali. Punonte 16 orë në ditë na rrëfen babai i Edisonit – por nuk mundi të blinte dot një shtëpi të tijën.

“Punonte me vinç, me transport materialesh ja këto punë bënte ai. Unë i thoja ik që andej. I doli edhe një damar në grykë, ishte në rrezik për jetën. Ata e fillonin punën 6 të mëngjesit me 6 të darkës, 12 orë. Këtu punojnë 8 orë shqiptarët jo nga 12 orë. Të punosh si skllav që në mëngjes e deri në darkë është çmenduri, pa ngrënë, me një sufllaqe në mëngjes”, tha Xhezmir Malaj.

Vdekja në punë e Edison Malajt ngjalli reagime të shumta edhe në shtetin fqinj, ku u mbajt një tubim për rritjen e kushteve të sigurisë në punë. Ndërsa 3 persona po hetohen për aksidentin në ndërtim.

“Pa asnjë mbrojtje djali, as kaskë, as rroba trupi, as këpucë. Asgjë. Këta kishin shkuar tani që ta nxirrnin djalin nga pllakat dhe ti vinin pajisjet e punës”, shtoi e ëma.

Tek këta dy të moshuar të mbetur vetëm në fshat në pritje që shtëpinë t’ia mbushin gjatë verës nipër e mbesa të 3 fëmijëve të tjerë në emigrim, mes rrudhave e lotësh, gjejnë forcën për të mos pasur inat me botën e as me fatin.

“Do të durojmë, nuk jemi as të parët e as të fundit...”, shtoi Xhezmir Malaj.

B.K/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë