Vehabizmi, misteri i fjalorit
islamik dhe hoxhallarët!

Vehabizmi, misteri i fjalorit<br />islamik dhe hoxhallarët!
Si kurrë më parë, ngjarjet e nxehta në Lindjen e Mesme kanë mbërthyer vëmendjen mediatike shqiptare jo si lajme nga bota, por si ngjarje që shënojnë rrezikun më imediat të interesit kombëtar. Në Shqipëri janë arrestuar gjashtë vetë të akuzuar si rekrutues të luftëtarëve për në Siri e më së fundmi me akuza të ngjashme u arrestuan 40 individë në Kosovë, më shumë edhe se në Angli apo Gjermani, vendet evropiane që besohet t’i kenë kontribuar me më shumë luftëtarë konfliktit në Siri.

Politikanë, opinionistë e intelektualë publikë në Kosovë prej kohësh deklarojnë se rreziku më i madh që i kanoset Kosovës është Islami radikal. Të tjerë e kanë quajtur Islami vehabi dhe nga Enver Robelli gjer tek Baton Haxhiu kanë identifikuar imamin e xhamisë kryesore të Kosovës, Shefqet Krasniqin, si mbartësin e përfaqësuesin e mirëfilltë të vehabizmit. Në një intervistë të kohëve të fundit Halil Matoshi bënte thirrje se arrestimet duhet të fillonin nga Shefqet Krasniqi, i quajtur nga Matoshi si predikues i Islamit politik.

Islami radikal, vehabi, politik duket të përfaqësojnë në retorikën e emergjencës kombëtare të njëjtën gjë, të njëjtët njerëz, të njëtin fenomen. Pak rëndësi ka që kushdo që ka kaluar sado pak kohë në studimin e vehabizmit dhe islamit politik do të thoshte se vehabizmi është një nga format më opozitare ndaj islamit politik dhe se në mënyrë predominante është apolitik. “Vehabinjtë” në Egjipt mbështetën ushtarakun sekular Sisi kundër forcës mëmë të islamit politik, “Vëllazërisë Muslimane”. Kohët e fundit ISIS-i deklaroi se kur të pushtojnë Egjiptin, të parin që do vrasin do jetë Mursi, presidenti i rrëzuar i “Vëllazërisë Muslimane”.

Por, përsëri, për ata që marrin përsipër të informojnë sot publikun kosovar, ato janë e njëjta gjë, e mbarten nga të njëjtët njerëz, kryesisht Shefqet Krasniqi. Askush nuk merr përsipër të sqarojë as pse nëse Shefqet Krasniqi është përgjegjës për bëmat gjakatare të Lavdrim Muhaxherit, ai është njëkohësisht edhe objekti i sulmeve të retorikës së Lavdrim Muhaxherit, siç mund të shihet fare lehtë në postimet në FB ose edhe në intervistën dhënë gazetës Dita në Tiranë. Në vetë fjalët e tij: “Armiqtë tanë janë dhe në Kosovë edhe nëpër botë. Enisi (Rama), Shefqeti (Krasniqi), Gëzimi, Arifhikmeti, Gazeta Express, shijat, Saudia, Kuvajti, Rusia, Sahavatet, OKB-ja, CNN-i, BBC-ja, Assadi, Sissi janë bashku me një zë kundër Hilafetit Islamik…”

Nëse Shefqet Krasniqi është motivuesi i luftëtarëve kosovarë që kanë shkuar në Siri, atëherë pse ai shpallet armik nga L. Muhaxheri? Nëse vehabizmi është ideologjia që motivon L. Muhaxherin me shokë, atëherë pse shpallet armik Arabia Saudite, qendra shpirtërore e vehabizmit, vendi që e ka financuar e promovuar vehabizmin?

Disa të tjerë ngrenë shqetësimin se “Islami tradicional” shqiptar është në rrezik nga “Islami vehabi” e dikush e bën më pikant përshkrimin duke sqaruar se islami tradicional, tolerant shqiptar është ai ‘hanefi’, pa pasur nevojën të sqarojë se nëse hanefizmi është “Islami tolerant” dhe si ka mundësi që talebanët janë hanefi? Në kontratën e shtetit shqiptar me Komunitetin Musliman është sanksionuar përgjegjësia e shtetit për të mbrojtur hanefizmin, megjithëse duhet dyshuar nëse ata zyrtarë shqiptarë që e miratuan e kanë ditur kuptimin e asaj që po firmosnin.

Pyetjet e vërteta janë këto: a e dinë gjithë kjo armatë politikanësh, opinionistësh apo intelektualësh publikë domethënien e termave “vehabi”, “islam politik”, “hanefizëm” etj? A përdoren këto terma për të shënuar e sqaruar fenomene të jetës tonë sociale dhe politike apo përdoren si efekte retorike? A shërbejnë ato në informimin e publikut si nevojë e një demokracie të shëndoshë apo të bigotrisë, si kërcënim ndaj të drejtave civile të grupeve e individëve? A shërben kjo për të evidentuar problematika, për të kuptuar atributet e tyre, duke kontribuar në adresimin e tyre apo për të stigmatizuar të gjithë aderuesit e një besimi, duke kontribuar në industrinë e frikës?

A është terrorist secili mysliman që në pasim të bindjeve të tij fetare ka mjekër po aq të gjatë sa Lavdrim Muhaxheri? A na tregon gjatësia e mjekrës gjithçka duhet të dimë për dikë në mënyrë që ta shpallim armik? Para ca kohësh pyeta një gjykatës kosovar se kush janë vehabinjtë në Kosovë e ai më tha se “janë këta mjekrat”. Para më shumë se dhjetë vjetësh shkrimtari Ervin Hatibi botoi një shkrim me titull: Kërkohet një mjekër për armikun kombëtar.

Në të kundërtën, vehabizmi ose edhe Islami politik nuk janë terma tërësisht mistikë, por kanë atribute të evidentueshme. As përpjekjet për t’ju larguar përgjithësimeve, duke thënë se ka shumë vehabizma ose se vehabizmi është regresiv, nuk na thonë më shumë se sa mund të thoshim për shumë lëvizje të tjera fetare. Një forum diskutimi pak vite më parë, mbi Islamin në Ballkan dhe rolin e Turqisë në Universitetin e Oxford-it, deklaronte fundin e “intermezos së vehabizmit” në Ballkan. Vite më pas ende po flasim për vehabizmin.

Kjo vjen si pasojë e të kuptuarit të vehabizmit si rezultat i “financimeve arabe” pa e kuptuar atraksionin e një lëvizjeje që bën thirrje në kuptimin e fesë pa pasur nevojë për teologë, pa klerikë, por që premton një akt fuqizimi të besimtarit të thjeshtë, të cilit i premtohet se ai/ajo mund ta kuptojë vetë fenë, por i duhet të hedhë përtej bagazhin e traditës shekullore. Ky premtim, së bashku me literalizmin dhe anti-klerikalizmin, e bën vehabizmin më atraktiv për shumë besimtarë se sa të gjitha fondet e mundshme arabe për të njëjtat arsye pse protestantizmi po mposht katolicizmin edhe në kështjellat e këtij të fundit si Brazili. Më shumë se sa fondet “vehabizmin” ka gjasa ta shpjegojë sociologjia, por kjo kërkon studim e jo retorikë.

Shumë prej këtyre trendeve kanë shkëmbime të ndërsjella në lokacione të ndryshme e prandaj shpesh studiuesit insistojnë jo vetëm në studimin e literaturës që këto trende kanë prodhuar, por edhe në studimin e tyre në kontekste historike dhe sociale. Pse të gjitha raportet që kemi nga Iraku na tregojnë se para pushtimit amerikan në 2003, martesat ndërsektare suni/shia ishin tejet të përhapura, por pas pushtimit kemi një rritje të sektarizmit? A munden doktrinat fetare të vehabizmit, shiizmit, islamit politik të na shpjegojnë sa çka po ndodh pa marrë në konsideratë kontekstin social dhe historik? Shqiptarët, që habiten me telashet që u vinë nga Iraku, duhet të kujtojnë që dërguan ushtarë dhe ju bashkëngjitën një pushtimi të paligjshëm në vitin 2003 dhe sa po shohim janë dhe rezultate të shkatërrimit të strukturave sociale atje. Edhe apologjetët e pushtimit amerikanë pranojnë se Iraku para pushtimit udhëhiqej nga një diktaturë, por nuk kishte “Al Kaida” në Irak.

Si rrjedhim, qartazi ka nevojë të kuptohen trendet e mendimi që informon veprimet dhe ligjërimin fetar. Mes tyre duhet kuptuar edhe vehabizmi. Osama bin Ladeni vinte nga tradita e vehabizmit, por po ashtu edhe oponentët e tij kryesorë. Vehabizmi është përdorur nga qeveritë e Gjirit Persik ose edhe nga Egjipti për të delegjitimuar Islamin politik, në të njëjtën kohë që Islami politik në Gjirin Persik ka përqafuar doktrinën teologjike të vehabizmit teksa është distancuar nga bindja e verbër ndaj shtetit dhe monarkut. Kuptimi i vehabizmit bëhet duke studiuar jo vetëm literaturën studimore, por edhe ligjërimin që këto lëvizje kanë prodhuar, si dhe kompleksitetin historik ku manifestohen. Emërtimi i fenomeneve duhet të ketë si qëllim njohjen dhe kuptimin e tyre e jo prodhimin e retorikës boshe.

Vehabizmi apo islami politik shënojnë trende e fenomene që kanë atributet e tyre dhe nuk ka asnjë dobi nga veshja e këtyre termave të kujtdo që nuk na pëlqen. Tani le të kthehemi tek pretendimi i shprehur ndër të tjerë nga Halil Matoshi e gjer tek Arbana Xharra ose edhe Alma Lama, se përgjegjës për faktin se kemi luftëtarë shqiptarë në radhët e ISIS-it janë hoxhallarë si Shefqet Krasniqi ose edhe Irfan Salihu. U vu në dukje edhe më sipër se ky pretendim nuk mbështetet nga sa dimë për terroristët si L. Muhaxheri.

Por, kjo retorikë sjellë si argument deklarime të këtyre imamëve që nuk kanë të bëjnë fare me terrorizmin. Mund të akuzosh një hoxhë për misogjinist (Irfan Salihun) ose për prishje të marrëdhënieve ndërfetare (Shefqet Krasniqin), por nuk ka asnjë provë ose logjikë që lidh deklaratat e tyre për femrat e Kosovës ose Nënë Terezën me vajtjet e shqiptarëve për të luftuar në Siri e Irak. Pretendimi është thjesht absurd. Pas sulmeve të 11 Shtatorit, dy predikues të famshëm të së djathtës së krishterë amerikane deklaruan se sulmet mbi kullat binjake ishin dënim nga Zoti, sepse Amerika ka toleruar homoseksualët dhe lesbiket. Shumë i dënuan deklaratat e tyre, por nuk i akuzoi kush për terrorizëm. Për sa kohë që nuk dallohen, qoftë misogjinizmi ose çfarëdo mëkati që do t’u atribuosh hoxhallarëve kosovarë nga terrorizmi, do prodhohet vetëm retorikë me partizanizëm politik (e qartë kjo tek artikulli i Alma Lamës), por jo analizë, mendim e strategji të adresimit të problemeve.

Le të jemi të qartë, ka shumë për të thënë për diskursin fetar në Kosovë dhe ai shpesh ka kontribuar në një frymë tensioni. Hoxhallarët si Shefqet Krasniqi e të tjerë kanë qenë kontribues të tij, ashtu siç ka kanë qenë dhe politikat e sekularizmit selektiv të qeverive kosovare, një pjesë e klerit katolik që ka deklaruar një lloj rekonkuiste ose edhe një nacionalizëm përjashtues që sheh vetë prezencën e Islamit si dëmtues të interesit kombëtar. Të gjitha këto duhen diskutuar, megjithëse nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me terrorizmin.

Dhe, këtu dua të konkludoj duke sqaruar se pse e mendova të rëndësishme të angazhohem jo vetëm me hutinë rreth “terminologjisë islamike”, por edhe me retorikën që shigjeton hoxhallarët. John Horgan, psikolog në Universitetin e Massachusetts-it, që ka studiuar psikologjinë e grupeve terroriste, u pyet në një intervistë se cila është mënyra për ta kundërshtuar psikologjinë e grupeve si ISIS dhe ai tha se gjëja më e rëndësishme është që këto lëvizje të deligjitimohen.

Kur L. Muhaxheri me shokë adresohet në mënyrën më të ashpër nga mediat ose politikanët e Kosovës, kjo vetëm sa e përforcon atë që ai beson, se mediat e shteti janë kundër Islamit. Policia mund të arrestojë ata që kanë shkuar në Siri e Irak edhe pse ende nuk ka bazë ligjore për ta bërë këtë, por kur fillojmë të mendojmë për të parandaluar që mesazhi i ISIS-it të tërheqë të tjerë shqiptarë, përgjigjet e dhëna nga disa analistë se faji duhet kërkuar tek niveli arsimor nuk është bindës. 

Përsëri, po të shihet video e L. Muhaxherit ose edhe intervista e tij tek Dita, sulmi i tij është kundër atyre që ai quan “hoxhallarë munafikë (hipokritë)”, “Enisi dhe Shefqeti”. Po të shihen rrjetet sociale si FB, askush nuk është përfshirë në një fushatë delegjitimimi të ISIS-it si një pjesë e mirë e hoxhallarëve. Ata flasin gjuhën, mbartin simbolikat e kredibilitetin si dhe njohin referencat për të folur në emër të fesë dhe ky është rrafshi i vetëm i diskursit ku ekstremistët fetarë mund të angazhohen dhe kanë parë nevojën të debatojnë.

Pse L. Muhaxheri nuk adreson asnjë nga analistët që e kanë sulmuar në gazeta kur flet në videon e tij të famshme? Sepse ai nuk ka asnjë interes të debatojë me ta. Në një shkrim të shkruar në shkurt, me titull “Siria toksike dhe luftëtarët shqiptarë”, ku komentoj videon e L. Muhaxherit, kam shkruar: ‘… pjesa dërrmuese e fjalës së Lavdrimit është e mbushur me akuza për “hoxhallarë munafikë (hipokritë)”, të cilët rrinë “e shijojnë jetën e familjet e tyre” teksa luanët – si Lavdrimi – po derdhin gjakun. Fjalimi i Lavdrimit është pikërisht në këtë kontekst, ku hoxhallarë nga tërë bota, përfshirë edhe shqiptarët, janë angazhuar në një fushatë kundër ushtrisë së “Shtetit të Irakut dhe Sirisë”, gjë që shkurajon mobilizimin dhe rekrutimin e ushtarëve të tjerë”.

Diskursi i hoxhallarëve në Kosovë ka qenë shpesh problematik, por kjo nuk e ndërron faktin se një pjesë e madhe e tyre sot përbëjnë të vetmen fushatë me shanse efikasitet delegjitimimi të ISIS-it! Retorika, propaganda, vizioni politik dhe historik, që shpalosin, është ngritur mbi gjuhën, simbolet dhe tekstet fetare, andaj nevojitet e njëjta gjuhë për t’i demaskuar për atë që janë një bandë kriminelësh.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar