Veliaj: 148 zaptime në Qytetin Studenti, do të fillojë puna për Kampusin Universitar (FOTO)

Bizneset i janë përgjigjur thirrjes së Kryeministrit dhe Bashkisë së Tiranës për të dhënë një dorë në rikonstruksionin e godinave të konvikteve në “Qytetin Studenti”. Falë nismës “Adopto një konvikt”, deri në verë do të përfundojë ndërhyrja në të gjitha hapësirat e përbashkëta, për t’i hapur rrugë më pas edhe ndërhyrjes në çdo dhomë, bën me dije zyra e Shtypit në Bashkinë Tiranë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me deputeten e PS, Vasilika Hysi inspektoi punimet që po kryhen në rezidencat Nr. 20 dhe Nr. 21. “Dua të falenderoj të gjitha kompanitë që i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit dhe bashkisë për të adoptuar një konvikt. Jemi në situatë emergjence, nuk mjafton të thuash hashtagun “Me studentët”, nëse nuk je gati vetë të bësh diçka. Për të gjithë ata që këtë thirrje e çuan në veprim konkret, ka vetëm mirënjohje, edhe nga unë, edhe në emër të kryeministrit dhe të Qeverisë. Deri në fund të muajit, me këtë sistem adoptimesh, ku një kompani merr përsipër një konvikt, do t’i kemi adoptuar të gjitha konviktet e “Qytetit Studenti”. Deri në verë, të gjitha hapësirat e përbashkëta, që janë nyjet higjieno-sanitare, sallat e leximit, banjot, fasadat, korridoret, hollet e tyre, do të kenë përfunduar, që pastaj t’i lihet radhë punës nëpër secilën dhomë të ‘Qytetit Studenti’”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e studentëve për ecurinë e punimeve. “Dua t’i ftoj të gjithë studentët të bashkëpunojnë. Ka qenë jashtëzakonisht ndihmues fakti që po punojmë në një krah, teksa lirohet krahu tjetër, dhe do të doja që ta vazhdonim këtë bashkëpunim. Tani që vëmendja publike është kthyer e plotë, nuk e lëshojmë më këtë punë derisa të realizojmë deri në pikën më të fundit të gjitha premtimet që janë bërë me ‘Paktin e Universitetit’, sipas afateve që janë dakordësuar nga kryeministri dhe studentët”, deklaroi ai.

Ndërhyrja e radhës do të jetë lirimi i territoreve nga 148 zaptime në ‘Qytetin Studenti’, për t’i hapur rrugë fillimit të projektit për “Kampusin e ri Universitar”. “Rendi i punëve është ky: hapi i parë, ndërhyrje emergjente me çdo kompani që adopton një konvikt, si fazë e emergjencës; hapi i dytë, ka të bëjë me lirimin e territoreve në “Qytetin Studenti”. Kemi identifikuar me IMT-në dhe IKMT-në 148 zaptime”, theksoi Veliaj.

Ai siguroi se Kampusi i ri do të jetë një premtim i mbajtur, jo vetëm në kohë, por edhe me cilësi. “Pas kësaj do të fillojë zbatimi i projektit për Kampusin e ri Universitar. Më vjen mirë që vetëm në pak ditë nga shpallja e Paktit me Universitetin nga Kryeministri, puna vlon në “Qytetin Studenti”. Jam i bindur se Kampusi i ri do të jetë realisht premtim i mbajtur, jo vetëm në kohë, por edhe me cilësi, kur vjen puna për t’i lënë një pajë një hapësire që i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, që nga vitet e para të demokracisë dhe ka marrë kaq pak në terma të vëmendjes publike”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi, njëherësh edhe Nënkryetare e Kuvendit, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për gatishmërinë e treguar për përmirësimin e kushteve të godinave në “Qytetin Studenti”, ndërsa u kërkoi të rinjve dhe të rejave që të aplikojnë për praktikat e punës në institucionet shtetërore.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni: 23/01/2019 15:27

    Qyteti studenti eshte bere kandahar. Nuk kane lene lulishte dhe cep godinash pa bere shtepi private dhe lokale. Per fat te keq shumica jane legalizuar dhe kusuri i lekeve tona per te mbuluar kompensimin e atyre barbareve

    Përgjigju
  • ylli: 23/01/2019 13:14

    Sa nevoje kemi per lajme te mira....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e 6 marsit 2022, SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla

Nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e 6 marsit 2022, SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla