Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ankimuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesave ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, duke kërkuar “shfuqizimin e vendimit dhe fillimin e hetimit disiplinor”.
Sipas ankimit, ILD ka zbatuar një standard të gabuar ligjor. Veliaj pretendon se, në vend që të vlerësonte nëse ekzistonte “dyshim i arsyeshëm për fillimin e hetimit”, ILD i ka kërkuar praktikisht atij të provojë që në këtë fazë përgjegjësinë përfundimtare të prokurorit.
Në qendër të ankimit është pretendimi për një konflikt interesi të prokurorit Ols Dado. Sipas Veliajt, Dado dyshohet se ka pasur interesa si bashkëpronar/përfitues në një zhvillim ndërtimor të miratuar nga Bashkia Tiranë dhe se ka komunikuar me kryebashkiakun në periudhën përkatëse, përpara se të bëhej pjesë e grupit që hetoi Veliajn. Në ankim argumentohet se ILD nuk ka analizuar në mënyrë të mjaftueshme mundësinë e një konflikti interesi, si dhe çështjen nëse prokurori kishte detyrimin të deklaronte interesin apo të hiqte dorë nga çështja.
Veliaj ngre gjithashtu dyshime mbi ligjshmërinë e emërimit fillestar të Ols Dados si prokuror. Sipas ankimit, ILD nuk ka administruar disa prova që pala i konsideron thelbësore dhe që pretendon se institucioni kishte kompetencë t'i siguronte vetë, mes tyre dosjen e plotë të lejes së ndërtimit, aktet e pronësisë, deklarimet e interesave, komunikimet dhe dokumentacionin mbi emërimin dhe statusin e magjistratit.
Në ankim ngrihet gjithashtu pretendimi për konflikt interesi të vetë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani. Sipas Veliajt, në vitin 2008, Metani, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Prokurorisë dhe përfaqësuesit të Presidentit, ka marrë pjesë në procedurë institucionale që lidhej me emërimin e Dados. Sipas ankimit, Metani është vendosur kështu në pozitën për të kontrolluar sot ligjshmërinë e një procedure në të cilën kishte marrë pjesë vetë.
Erion Veliaj kishte kërkuar edhe në Gjykatë Administrative pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado, sot hetuesi i posaçëm që ka në dorë çështjen penale ndaj tij. Por, Gjykata nuk pranoi shqyrtimin e padisë, ndërsa mbrojtja e kryebashkiakut tashmë e ka ankimuar vendimin në Apelin Administrativ.









Komente
Komento